“Bernabeu”, dyshime për parregullsi nga Brukseli

redaktor

Bashkimi Evropian hedh dyshime mbi “Bernabeun” e ri. Në një letër të publikuar më 7 mars, Komisioni Evropian vë në dyshim legjitimitetin e shitjes së parcelave pranë stadiumit që do të shërbejnë për rimodelimin e këtij impianti mitik. Gjithashtu ky organizëm vë në dyshim shitjen dhe vlerësimin e gjithë terreneve të përfshira në këtë operacion, si dhe marrëveshjes ndërmjet bashkisë së kryeqytetit dhe Real Madridit. Nga sa kuptohet, Bashkimi Evropian mendon se klubi i Realit është ndihmuar në çështjen e stadiumit dhe kjo gjë përbën shkelje të ligjit të kompetencave. Ristrukturimi i stadiumit “Santiago Bernabeu” mund të jetë në rrezik serioz. BE dyshon se operacioni i shkëmbimit të pronave ndërmjet Realit dhe Bashkisë së Madridit nuk është i ligjshëm. Komisioni Evropian ka premtuar se brenda një muaji do të bëjë vëzhgimet e duhura mbi këtë çështje dhe nëse konfirmohen parregullsitë e hamendësuara, atëherë rimodelimi i stadiumit nuk mund të realizohet dot më, pasi ky operacion është jetik për ndërtimin e stadiumit të ri. Gjithçka filloi në vitin 1998, kur bashkia dhe Reali zbatuan një marrëveshje të arritur që më parë, ku klubi dha një sipërfaqe prej 30.000 metrash katrorë nga kompleksi i tij sportiv në shkëmbim të dy parcelave të mëdha, njëra prej tyre pikërisht në zonën e quajtur Las Tablas. Në vitin 2003, bashkia nuk lejoi që këto terrene t’u shiteshin subjekteve të tjera private të interesuara, pasi i konsideroi si prona të klubit madrilen. Gjërat mbetën kështu për shumë kohë dhe në vitin 2011 të dyja palët firmosën një marrëveshje, sipas së cilës klubi merengues siguroi afërsisht 20 milionë euro, por përfitimi ishte plot 3.7 herë më i lartë nga ç’do të kishte qenë 11 vjet më parë, nëse kjo shitje do të ishte realizuar në atë kohë. Bashkia e Madridit ia pagoi atë borxh klubit duke i dhënë katër parcela në zonën Carabanchel, si dhe gjithë zonat e gjelbra dhe ato për këmbësorë rreth e rrotull “Bernabeut”, në La Castellana, terrene në të cilat është projektuar rimodelimi i këtij stadiumi si dhe ndërtimi i një hoteli të madh, së bashku me një qendër tregtare. Ky operacion përbën shkelje sipas Komisionit Evropian e konsiderohet si ndihmë shtetërore ndaj klubit, dhe përbën shkelje të artikullit 107 të traktatit të BE që flet pikërisht për kompetencat dhe marrëveshjet tregtare të shteteve anëtare.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *