Për Bankën Europiane për rindërtim dhe Zhvillim, Shqipëria do të pësojë një rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto me 9.0 përqind në vitin 2020.
BERZH e argumenton rishikimin e parashikimit për tkurrjen e ekonomisë shqiptare në këtë masë të madhe për shkak të ndikimit ekonomik të pandemisë së koronavirusi.
Banka pret që vendi të rimarrë ritmet e rritjes me shpejtësi në 2021, ku Ekonomia pritet të rritet 12.0 përqind.
Sipas botimit të fundit të “Prospektet Ekonomike Rajonale të BERZH”, ekonomia e Shqipërisë ka të ngjarë të preket fuqimisht nga epidemia për shkak të mbështetjes së saj të lartë në turizëm dhe vlerës së ulët të shtuar të tregtisë së përpunimit pasiv. Një ulje e mundshme e remitancave do të ndikojë gjithashtu në tkurrjen e ekonomisë. “Shërimi do të varet nga një relaksim gradual i masave shtrënguese për parandalimin e Covid-19 dhe një kthim në normalitet gjatë gjysmës së dytë të vitit”- citon BERZH.
Parashikimi i Bankës për ekonomitë e rajonit është për një tkurrje mesatarisht me 3.5 përqind këtë vit, me një rikthim të mundshëm prej 4.8 përqind 2021, duke paralajmëruar se parashikimet janë subjekt i “pasigurisë së paparë ndonjëherë”.
Shefja për Ekonominë i EBRD Beata Javorcik është shprehur se ndërsa bota po del nga kriza, është e rëndësishme të shihet drejt një të ardhmeje bashkëpunimi dhe një qendrueshmërie më të madhe ekonomike.
“Kriza ka qenë një goditje masive dhe dalja prej saj do të jetë po aq sfiduese. Kjo nuk është koha për t’u angazhuar në nacionalizëm ekonomik dhe proteksionizëm, por një kohë për të formuar një të ardhme më të mirë përmes angazhimit ndërkombëtar për tregtinë e lirë, zbutjen e ndryshimeve klimaterike dhe bashkëpunimin ekonomik” tha ajo.
Raporti sugjeron një ndikim modest të krizës në trajektoren afatgjatë të rezultateve ekonomike, me rritjen që rifillon drejt fundit të tremujorit të tretë, por nuk parashikohet të ketë efekte potenciale të rëndësishme ekonomike, politike dhe shoqërore afatgjata.
“Nëse distancimi social mbetet në vend për shumë më gjatë se ç’është parashikuar, recesioni mund të jetë shumë më i thellë, me nivelet e prodhimit të vitit 2019 për frymë që nuk do të mund të arrihen për vitet në vazhdim,” thuhet në raport.
Përgjatë rajoneve të BERZH-it, masat e kontrollit kanë ndikuar në kërkesën dhe ofertën e brendshme. Tronditjet e jashtme përfshijnë një rënie të mprehtë të çmimeve të mallrave, duke ndikuar tek eksportuesit, ndërprerje në zinxhirët e vlerës globale, një kolaps në turizëm dhe një rënie të remitancave.
Në Ballkanin Perëndimor, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia pritet të vuajnë nga prishja e zinxhirëve të furnizimit global, për shkak të bazave të tyre të forta prodhuese. Shqipëria dhe Mali i Zi do të preken nga tkurrja e turizmit, ndërsa në Kosovë, dhe në një farë mase në ekonomitë e tjera të Ballkanit Perëndimor, remitancat e ulëta do të ulin kërkesën e brendshme.
o.j/dita

Shqipëria uropiane.
Jo 9% por 69% do te tkurret, nga fakti se sektori i turizmit kete vit do te mbushet me pak se 50% te normes. Kostoja do te bjere mbi ata qe jane te lidhur me turizmin, pastaj mbi te ardhurat e shtetit.