Investimet në sektorin e transporteve do të bëhen sipas një plani të detajuar, por edhe me afate të përcaktuara për përfundimin e tyre.
Për këtë qëllim Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) i ka akorduar qeverisë shqiptare një fond granti prej 290 mijë eurosh për planin e qëndrueshëm të transportit në Shqipëri. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi marrëveshjen e grantit ndërmjet qeverisë shqiptare dhe BERZH.
Granti do të jetë një dokument kyç për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës në përmbushjen e qëllimit për kursimin e energjisë për sektorin e transportit në Shqipëri dhe për një zhvillim të qëndrueshëm të rrjetit të transportit.
Sipas kësaj marrëveshjeje për transportin kombëtar, objektivi kryesor është të përgatisë një plan pragmatik, i cili do të realizohet nëpërmjet një konsulenti të përzgjedhur nga Ministria e Transportit, ndërsa të gjitha taksat indirekte dhe shërbimet do të paguhen nga ky dikaster.
