Dënohet edhe Daja, verdhezinjtë paguajnë për protestat në ndeshjen kundër Skënderbeut
Besa do të luajë gjashtë ndeshje në fushë asnjanëse për shkak të incidenteve të ndodhur të shtunën në takimin e kampionatit, kundër Skënderbeut. Skuadrës kavajase i kanë kushtuar shtrenjtë protesta në fushë dhe akuzat e presidentit Nexhat Bizhdili ndaj Skënderbeut dhe gjyqtarit të takimit, në barazimin 1-1 për javën e 9-të të Kategorisë Superiore. Komisioni i Disiplinës pas shqyrtimit të pamjeve e ndëshkoi skuadrën kavajase me zhvillimin e gjashtë ndeshjeve jashtë fushës së saj, ndërkohë që ajo do të kthehet të luajë në shtëpi pas 12 javësh. Një dënim i rëndë për skuadrën që aktualisht renditet në vendi e dytë, me gjashtë pikë më pak se Skënderbeu.
Kështu, takimi javës së 11-të, Besa-Vllaznia do të luhet në një fushë asnjanjës, dhe po kështu ndeshjet Besa-Bylis (java 13), Besa-Laçi (java 14), Besa-Shkumbini (java 16), Besa-Tirana (java 18) dhe Besa-Kastrioti (java 21). Besa do të luajë para shikuesve të saj, vetëm në javën e 23-të, përballë Kukësit, pra kur nga kampionati mbeten dhe katër ndeshje për të luajtur. Një dënim i rëndë! Dy javë “burg” edhe për Ilir Dajën, trajnerin e Besës, i cili reagoi ashpër ndaj kryesorit Laver Alla. Ish-trajneri i Elbasanit dhe i Dinamos do të derdhë në arkën e FSHF-së dhe 1 milionë lekë të vjetra gjobë.
Për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, të konstatura e gjykuara si probleme disiplinore nga Disiplina, janë pezulluar edhe Julian Ahmataj i Tiranës dhe Roland Dervishi i Shkumbinit, secili me nga dy ndeshje.
Falet Paro Laçi
Një nga aksionarët e Partizanit, Paro Laçi, tani është i lirë ta ndjekë skuadrën e tij, kudo që ajo të luajë. Komisioni i Disiplinës revizionoi vendimin e tij të mëparshëm, të datës 25 shtator 2012, në të cilin Laçi ishte i pezulluar me 12 muaj për të mos e shoqëruar ekipin, kjo me arsyetimin e atij vendimi “për nxitje të braktisjes së ndeshjesh dënohet me pezullim nga aktivitetet për 12 muaj në baze të nenit 55, pika 3 të Kodit të Drejtësisë Sportive”. Por, pas ankimimit të Laçit, Komisioni i Disiplinë, i mbledhur dje (6 nëntor 2012), çmoi se nga pamjet filmike dhe provat e tjera të paraqitura në seancë nuk rezulton se zyrtari në fjalë të ketë konsumuar shkeljen e parashikuar nga neni 55.3 të KDS-së, “ndaj çmon se ky dënim duhet revokuar, me kushtin që zyrtari Paro Laci të mos qëndrojë më në stolin e skuadrës së tij, në bazë të nenit 134.2 të KDS.