Besa në rritje graduale, Lika kërkon kujdes

redaktor

Partizani e humbi shansin javën e kaluar për ta ngushtuar në vetëm një pikë diferencën me Skënderbeun, teksa u mund në Ballsh nga Bylisi, dhe do të kërkojë të rikthehet te fitorja nesër kundër Besës. Të kuqtë fituan në ndeshjen e fazës së parë në Kavajë, por situata tani është ndryshe, sepse kavajasit janë ndërsa skuadrat më të mira në javët e fundit, për pikët e marra, për më tepër përballë favoritëve si Skënderbeu e Teuta. Ndaj edhe trajneri Hasan Lika ka paralajmëruar për një sfidë të fortë. “Besa është një kundërshtar që gradualisht e ka marrë formën sportive, duke arritur rezultate pozitive, kështu që duhet të jemi të kujdesshëm në këtë takim”, tha trajneri i të kuqve në konferencën e djeshme për shtyp. “Na duhet të zgjidhim disa detyra për të përballuar një kundërshtar të fortë”. Për më tepër, Partizanit do t’i mungojë edhe përkrahja e tifozëve, por Lika thotë se përkrahja e tyre do të ndihet, edhe pse nuk do të jenë në shkallët e stadiumit: “Tifozët janë përcaktues, por tani jemi përgatitur mendërisht që nuk do t’i kemi fizikisht në stadium. Megjithatë, shpirtërisht ata janë në fushë, së bashku me ekipin,  dhe ne do ta ndiejmë nga fillimi deri në fund një gjë të tillë. Duhet të luajmë edhe për ta”. Për humbjen me Bylisin, Lika thotë se ka pasur shumë kritika, megjithatë jo çdo gjë hidhet poshtë nga një humbje e pësuar. “Humbëm një ndeshje, por gjithmonë përpiqemi të përmirësohemi, edhe kur fitojmë. Nuk duhet kaluar në ekstreme duke hedhur poshtë çdo gjë për një rezultat negativ”, sugjeron trajneri. Të kuqtë dëgjojnë të thuhet shpesh që nuk janë skuadër që mund të fitojnë titullin, megjithatë Partizani është në vendin e dytë aktualisht dhe Lika thotë se është brenda objektivave, çka do të thotë një vend në treshen e parë, që sjell kualifikimin në Evropë për sezonin e ardhshëm. Edhe pse në janar skuadra mund të forcohet më tepër, Lika nuk e sheh të detyrueshëm ndryshimin e objektivave, pra fitimin me çdo kusht të titullit, por sigurisht që nuk do të ngurronte ta provonte. “Ne jemi brenda objektivave dhe vazhdojmë të kemi të njëjtët synime. Sigurisht, nëse në janar arrijmë të përmirësohemi akoma më shumë, shpresoj që t’i kalojmë objektivat e fillimit”, tha trajneri. Për sa i përket merkatos, ai nuk jep detaje, duke mos dashur të shkaktojë probleme në skuadër. “Konkluzionet do t’i bëjmë në përfundim të ndeshjeve për këtë vit dhe aty do të shohim se ku kemi më tepër nevojë për të marrë lojtarë të tjerë. Që të gjithë ne në klub punojmë për t’u përmirësuar”, ishte përgjigja në vija të përgjithshme.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *