Besa

anazapta

 

 

Ai, nuk ka të drejtë të na nxijë të gjithëve. Nuk ka të drejtë… Por, përderisa nuk zbardhet e verteta se “kush nga ne u bë ‘hafije’ dhe i nxiu jetën”, mjerisht: Ka të drejtë. Ishte për t’u çuditur: Ndërsa ne, si në të gjitha debatet që bëjmë ne, ja kafshonim njëri-tjetrit fjalët akoma pa dalë mirë nga goja, ai heshti. Heshti sikur nuk ishte fare aty. Heshti derisa ne, mbasi llokoçitëm mbarë e prapë virtytet e kombit tonë si ndershmëria, bujaria, trimëria, harmonia, mikpritia e më the të thashë, dolëm tek besa:

-Besa… Krye-virtyti… që… Kombi ynë… Historikisht… Ndër shekuj… E ka pasur… E ka… Do ta ketë…”

Befas këtu ndërhyri:

-Dale, dale… Dale… Për cilën Besë e keni fjalën ju? -pyeti-Ëëë? Për cilën? Për atë Besën që, siç dihet, vite e vite më parë u hodh nga shkëmbi në humnerë për të ruajtur nderin, apo për këtë Besën e sotme që, siç e dimë të gjithë, shkon me ushtarët për 50 lekë të vjetra tek stadiumi?… Për cilën?

Për një çast mbetem, por pastaj, kur ne ju lëshuam ashtu siç dimë ne të lëshohemi sidomos kur është fjala për virtytet e kombit, na e preu:

-Ah, ç’më çani kokën, ç’më çani. Ndezi rrëmbimthi cigaren, rrufit kafen e vazhdoi: -Ore… Me ç’kam dëgjuar e lexuar, dikur edhe tek ne ashtu si në të gjithë popujt e vendet e tjera, dy njerëz, për larjen e hesapeve me vlerë apo pa vlerë, midis tyre kanë pasur mjet duelin. Duelin: Unë edhe ti. Askush tjetër… Ballë për ballë. Ditën me diell. Dhe, pavarësisht se kanë ndryshuar kohët, mënyrat dhe mjetet, popujt dhe vendet e tjera vazhdojnë akoma… Kurse ne? He! Thithi sikur do përpinte cigaren:

-Ne… Ne zhdukëm duelin dhe shpikëm pritën, grackën, çarkun, llogoren, hendekun, ditën e natën, pas shpine, kush të na dalë përpara nga soji e sorollopi, me faj e pa faj… Ç’është kjo? Ëë? Besë apo pa – Besi? Çfarë? Pasi skërmiti një buzëqeshje të hidhur vazhdoi:

-Hë… Gërmojmë dheun me lopatat e kazmat e shpifjeve, spiunimeve, manipulimeve, gënjeshtrave, mashtrimeve e ndyrësirave të tjera; të hapim gropën, të shtyjmë, të mbulojmë dhe… të vëmë përsipër gurin e Besës për të mbuluar pa-Besin tonë…

U çua. Seç mërmëriti nëpër dhëmbë dhe rrëmbimthi doli jashtë. Dhe… Nuk e pamë më… Pasi disa javëve morëm vesh se e kishin “rrasur brenda”. Tetë vjet: Agjitacion dhe propagandë.

Edhe ne nuk u takuam më. Kur shiheshim rastësisht me njëri-tjetrin pa dashje vetvetes i shtronim pyetjen torturuese:

– Ore! Kush ishte nga ne ajo Besë-kurva që shkoi me ushtarët tek stadiumi për 50 lekë të vjetra?!… Eëëë?… Kush?!

Nëse nuk zbardhet kjo, ai ka të drejtë të na nxijë të gjithëve.

Share This Article
6 Comments
  • Shume e goditur kjo fabul. Here tjeter, z.Astrit, duhet te shkruash pjesen e dyte te saj. Ne e morrem vesh se cila ishte kjo “Bese-kurva”, por s’kemi fuqi ta akuzojme. Tani eshte deputete dhe ne kryesine e partise ne fuqi…

    • Bese-Kurva ban pjese ne te gjitha partite , ne te gjitha besimet .Mos ta orientojme gabim kerkesen e ligjshme per ti dhan nji emen asaj Besa-Kurva .

  • Sa histori te dhimshme dje dhe akoma ma te dhimshme sot kur Besa-Kurva kamuflohet me demokratin , me te ndershmin , me parimorin …dhe ne e besojme … e duartrokasim …
    Astrit Cerma ke prekur nji plage teper te dhimbshme .

  • Edhe atehere kishte Besa-kurve,por sot ata kane mbushur minisrite,kuvendin,sekretarite e kudo ne Shqiperi,po ,po kane mbushur edhe semaforet e Evropes.Ketu na coji polika 23-vjecare e “demokracise”se sali Berishes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *