Policia e Dibrës njoftoi se ka prangosur edhe një tjetër person të kërkuar për serialin e betejës për kromin në Bulqizë, i akuzuar për një vrasje dhe dy plagosje të kryera në vitin 2011. Bëhet fjalë për Destan Gjeta, 34 vjeç, një i shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa operacioni është koduar “Kroni i Përgjakur” dhe u finalizua mëngjesin e djeshëm. Më parë, policia e Tiranës prangosi edhe Gjin Nikën, një tjetër të dyshuar për vrasjen e biznesmenit të kromit Qerim Marku në shtator 2012 dhe për vrasjen më 17 janar të Hasan Taljas te dera e shtëpisë, pas konflikteve që kishin mes tyre si aksionerë galerish në Zonën D.
Operacioni
Destan Gjeta, i kërkuar për vrasjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve, në betejën uestern të 5 janarit 2011 në qendër të Bulqizës, ka mundur të qarkullojë i lirë në arrati deri ditën e djeshme. Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoria e Policisë Dibër, sipas të cilës, “rreth orës 11:00, në vendin e quajtur Shkozë, të Tiranës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Krom i Përgjakur”, u bë kapja dhe arrestimi i tij”. Megjithëse ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe në faqen Interpol, Gjeta fshihej në Tiranë, sikurse edhe i dyshuari tjetër, Gjin Nika. “Kapja e këtij personi të shumëkërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë, u realizua nga Drejtoria e Policisë Dibër, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si rezultat i një operacioni të mirëorganizuar”, thonë burimet policore.
Akuzat
Destan Gjeta akuzohet për veprat penale “vrasje në rrethana të cilësuara, kryer në bashkëpunim”, “armëmbajtje pa leje” dhe “shkatërrim prone me dashje”, kurse Gjykata e Rrethit Dibër ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”. Zëdhënësi i Policisë, Aldo Puca thotë se “ngjarja për të cilën akuzohet Gjeta, ku për pasojë është vrarë një person dhe janë plagosur dy të tjerë, ka ndodhur më datë 5 janar 2011, në qendër të qytetit Bulqizë”. Krimi ka pasur për motiv konfliktet për shfrytëzimin e galerive të kromit në mënyrë të paligjshme. Nga beteja mes dy grupeve, mbeti i vrarë minatori i pafajshëm Fehmi Kurçani, këmbësor dhe u plagosën dy prej anëtarëve të grupeve në konflikt. Më datën 19 janar, policia e kryeqytetit njoftoi se kishte arrestuar Gjin Nikën, 32 vjeç, nga Bulqiza, por banues në fshatin Ferraj të Tiranës, i kërkuar për vrasjen e biznesmenit të kromit Qerim Marku dhe i dyshuar për vrasjen e biznesmenit tjetër Hasan Talja, ngjarje kjo e ndodhur më 17 janar, mbi “Shkollën e Baletit”.