Forcat tokësore irakene kanë nisur ofensivën për rimarrjen e Tal Afar-it. Ky qytet është një prej të fundit në vend që ende ndodhet nën kontrollin e Shtetit Islamik. Kryeministri iraken al-Abadi lajmëroi ofensivën përmes një fjalimi televiziv.
Forcat tokësore të Irakut kanë nisur operacionin për rimarrjen e Tal Afar-it, një prej qyteteve të fundit në vend që mbahet nga grupi i Shtetit Islamik. Në një fjalim televiziv që njoftoi për ofensivën, kryeministri Haider al-Abadi tha se xhihadistët kishin dy zgjedhje: të dorëzoheshin ose të vdisnin.
Ushtria ka shënjestruar Tal Afar-in pas çlirimit të Mosulit, bastionit kryesor të ISIS, në korrik. Tal Afar-i, me një popullsi kryesisht shiite-muslimane ra në duart e grupit terrorist në 2014. Qyteti është i vendosur në një rrugë kryesore mes Mosulit dhe kufirit sirian që dikur shërbente si rrugë kryesore furnizimi për xhihadistët.
Aeroplanët luftaratë të Irakut prej disa ditësh kanë bombarduar baza të ISIS përqark qytetit, në përgatitje për operacionet tokësore. Vetëm pak orë përpara fjalimit televiziv të kryeministrit, forcat ajrore irakene shpërndanë fletëpalosje nëpër qytet duke lajmëruar njerëzit të përgatiteshin për sulmin më të fundit.
Tal Afar-i rrethohet nga trupat qeveritare dhe milicia shiite në jug dhe luftëtarët kurdë në veri. Muajin e kaluar, një komandant iraken u shpreh se në qytet kanë mbetur jo më shumë se 2,000 militantë dhe familjet e tyre.
