Historia është e dënuar ta përsërisë vetveten, e ashtu si pas Luftës së Parë Botërore, ku kriza ekonomike i hapi rrugë partive të ekstremit të djathtë, në të njëjtën formë, dhe para disa ditësh, ndodhi e njëjta gjë. Sigurisht siç e do dhe epoka post-moderne që po jetojmë, me më shumë ngjyra, logo, e pa forca ushtarake nëpër rrugë, por që pas këtyre zgjedhjeve nuk do ishte çudi që nga skutat e historisë të dilnin dhe ato,madje me të njëjtat uniforma.
Ekzagjerim? Kush i ka dëgjuar deklaratat e Mari le Pen për shfarosjen e emigrantëve nëpërmjet kimikateve apo ato të Lega Nord në Itali, duhet të kuptojë që dhe vetë Hitleri, i mbajti të fshehura kampet e përqendrimit. Kjo tregon në fakt e me fakte se sa larg kemi shkuar, kur deklarata të tilla jo vetëm nuk shkaktojnë trauma shoqërore, por pranohen, madje votohen duke i dhënë shumicën në vende si Franca, djepi i politikës emancipuese.
Zizek, Badiou, janë vetëm dy prej emrave që nëpërmjet angazhimit intelektual por jo vetëm e kishin paralajmëruar këtë fat të Europës, muaji i mjaltit me kapitalizmin liberal kish kohe që kish mbaruar.
Nuk ka shpëtim për politikat e politikanët liberal në kohë krize, ata duhet të zgjedhin, ose do shkojnë majtas ose do shkrihen nën dhunën fashiste e cila është më e qartë në qëllim e në organizim.
Ëndrra Europiane siç e njohim nuk ekziston më, e sa më shpejt ta mësojmë ne si të majtë, aq më shpejt mund të mobilizohemi. Sot nuk ka problem me shtetet ka problem me sistemet. Kapitalizmi liberal prodhon një krizë sistematike e ndërtohet mbi padrejtësinë sociale, ndërkohë që Socializmi i shekullit të shkuar është projekt plotësisht i dështuar, ndaj siç thotë Zizek, është e domosdoshme që në çfarëdo qëndrimi apo propozimi duhet të jemi tërësisht modern.
Sot në Europë ka dy probleme që bënë avancimin e partive fashiste, ekonomia dhe emigracioni. Këto në fakt janë një problem, sepse emigracioni prodhohet nga mungesa e alternativës dhe neo kolonializmi ekonomik në vendet më të varfra, por dhe recesioni ekonomik i Europës e nxjerr akoma më në dukje këtë problem. Gjithçka tjetër që nuk lidhet me diskutimin ekonomik, duhet përjashtuar nga forcat e majta si racizëm i pastër me të cilin siç tha dhe Kryeministri Rama nuk duhet bërë dialog por duhet përballur në të gjithë frontet.
Teza e Badiou që në Europë nuk ekziston beteja mes të majtës e të djathtës sepse praktikisht gjithë partitë e qendrës kanë shkarë djathtas u vërtetua katërcipërisht në këto zgjedhje. Europianët nuk kishin pse të zgjidhnin kopje kur mund të zgjidhnin origjinalin, kjo tregon dhe avancimin e partive të ekstremit të djathtë, e kjo shpjegon dhe pse kush kish mend në kokë nuk e analizon këtë si surprizë, por si një proces që kishte 20 vjet që piqej gradualisht.
Beteja e re “për Europën” sapo ka nisur. Të majtët Europianë kanë dy zgjidhje, ose do vazhdojnë të lozin “liberalët” e nën udhëheqjen apatike të Martin Schulz do lundrojnë sërish në një varkë plot me të çara ku duart e tyre nuk mjaftojnë për ti mbyllur, e ku përherë e më shumë do tolerojnë politikat e djathta për të kërkuar konsensusin e shumicës. Ose do zgjedhin rrugën e Tsipras, jo të atij si individ, por të përballjes me fashistët në të gjithë nivelet e në të gjithë fushat, duke i ngulur fort këmbët në vlerat që e kanë bërë bashkë Europën, solidaritetin, humanizmin e internacionalizmin.
Që prej të dielës së kaluar kë një vijë të qartë ndarëse mes kush është progresist e kush fashist në Europë, e askush nuk e ka më luksin të pedalojë në mes së asaj vije, tashmë të gjithë ato lidera e parti që e bënë një gjë të tillë u gremisën e bashkë me ta dhe teoritë e tyre liberale. Europianët folën qartë, tani i mbetet politikanëve të marrin një vendim se nga cila anë e historisë duan të rreshtohen.
Megjithatë këto zgjedhje nuk duhen parë si fatalitet, por si një mundësi për të “ngritur gërmadhash” një Europë të re, duke ndërtuar kësisoj një qasje të re sistemi ekonomik me bazë solidaritetin dhe jo kolonializmin siç kish ndodhur deri më tani, e është pikërisht nga ekonomia ku duhet të nisë gjithçka.
Antonio Gramshi në “letrat e burgut” thotë;- “Njerëzit në masë nuk i binden pasioneve por nevojave ekonomike. Politika është një pasion, atdheu është një pasion. Këto dy ide ekzigjente kanë në histori vetëm një funksion sipërfaqësor, në të vërtetë jeta e popujve në shekuj është ndikuar vetëm nga loja e rinovuar e çështjeve materiale. Ekonomia është gjithçka.”
Nisur nga kjo premisë,nëse duam që Europa të vazhdoj akoma na duhet një “vëllazëri kombesh” në ndarjen e të mirave materiale,ashtu si në 45, kur dhe pse Gjermania doli e humbur nga lufta, kurrfarë kufizimi ekonomik nuk u vendos, por përkundrazi u vendos rimëkëmbja ekonomike e këtij vendi “armik”. Kjo është fryma fituese që ngjall shpresën në Europën e re, jo penalizmi, kufizim, lënie jashtë kufijve Europian, por e kundërta, mbështetje, pranim dhe angazhim vëllazëror në ndërtimin e një koncepti të ri ekonomik.
Për këtë ajo që ndodhi këto zgjedhje në Greqi është shumë frymëzuese, dhe pse opinioni publik i traumatizuar nga hedhja e menjëhershme në greminë, kërkonte shpagim dhe armiq, Syriza u PËRBALL jashtë mendimit dominant e triumfoi. Përballja me fashizmin, si atëherë por dhe sot mbetet për popujt e emancipuar e vetmja rrugë.
