Beteja për fortesën Mamula të Malit të Zi

Dita

Një gjë që Jovanka Uljareviç e mban mirë mend nga gjyshja është frika e saj e pashpjegueshme nga deti: “Megjithëse ajo e kishte jetuar të gjithë jetën buzë detit… gjyshja Ljubica nuk e kishte aspak qejf. Sigurisht për shkak të traumës na Mamula.”

Ljubica ishte vetëm 12 vjeçe kur forcat fashiste të Musolinit i vranë të atin dhe e burgosën atë, bashkë me nënën dhe motrën në pranverën e vitit 1942  në ishullin Lastavica, ku ndodhet hyrja për në gjirin Boka Kotorska në bregun veri-perëndimor të Malit të Zi.

Ato u morën nga fshati Morinj dhe ishin mes të burgosurve të parë të mbajtur në fortesën Mamula austro-hungareze të shekullit 19 të ishullill. Fortesë që përdorej nga trupat italiane si një kamp përqendrimi gjatë luftës.

Ljubica nuk foli kurrë me fëmijët e saj për katër muajt si e burgosur në Mamula, por Jovanka bëri bashkë pjesë të historisë së saj nga dokumente dhe të afërm, që i thanë se Ljubica, bashkë me gra dhe fëmijë të tjerë të të gjitha moshave, u mbajtën në qeli të mbipopulluara dhe se përpjekjet për arratisje ndëshkoheshin rëndë.

Më shumë se 100 persona u vranë ose vdiqën nga uria dhe mbi 2000 vetë ishin të burgosur në Campo Mamula, sipas vlerësimeve bazuar mbi dokumentet ushtarake italiane.

“Nëse fëmija qante, ushtarët vinin dhe rrihnin këdo derisa të bëhej qetësi,” i kishin thënë Jovankës. “Ishte ftohtë, ata kishin uri dhe kushtet në përgjithësi ishin shumë të këqija”.

Djali dhe kushërira e Ljubicës vizitojnë një nga qelitë gjatë vizitës në Ditën Përkujtimore që familja bën çdo vit në Mamula. Foto: Jovanka Uljarevic
Djali dhe kushërira e Ljubicës vizitojnë një nga qelitë gjatë vizitës në Ditën Përkujtimore që familja bën çdo vit në Mamula. Foto: Jovanka Uljarevic

Ljubica u lirua si pjesë e një shkëmbimi për të bëjë vend për më shumë të burgosur meshkuj, por Mamula mbetet një pjesë integrale e historisë së familjes së Jovankës, ashtu siç është për dhjetëra familjet vendase të cilat mblidhen çdo vit më 14 shtator për të nderuar viktimat dhe të mbijetuarit.

Në këtë frymë, Jovanka dhe disa vendas të tjerë të afërmit e të cilëve u vranë apo u burgosën në kampin e përqendrimit, janë shumë kritikë ndaj planeve të ndërtuesit Orascom zvicerano-egjiptian për ta transformuar Mamulën në një resort turistik me një marinë, spa, klub plazhi, restorante dhe një pistë kërcimi me DJ që premtojnë të fusin frymën e festës.

“Projekti Orascom do të shkatërronte çdo kujtesë të Mamulës dhe asaj që ishte vërtetë,” thotë Jovanka për BIRN.

Partia në koalicion qeverisës në Malin e Zi, Partia Demokratike Socialiste, DPS, nuk është dakord, duke nënvijëzuar se projekti do të përfshijë një muzeum ose një memorial që nderon viktimat e kampit të përqendrimit që do të jetë i hapur për publikun.

DPS gjithashtu thekson se projekti do të marrë 15 milionë euro investim nga Orascom në një zonë kryesisht të braktisur, duke sjellë rreth 7.5 milionë euro të ardhura qiraje gjatë 15 viteve të para dhe do të krijojë rreth 200 vende të reja pune në zonë.

Një numër i madh vendasish gjithashtu mbështesin planin e zhvillimit të Orascom, duke thënë se gjendja e fortesës po rrënohet dhe ka nevojë për financime për restaurime.

Deputetët pritet të votojnë për herë të dytë nëse do të japin miratimin për planin e zhvillimit të Orascom të hënën dhe të martën. Projekti nuk arriti të sigurojë mbështetje të mjaftueshme në parlament gjatë votimit të parë në korrik të këtij viti, pjesërisht sepse DPS ka humbur mbështetjen e partnerit të saj kryesor të koalicionit Partisë Social Demokrate, SDP.

Përkundër kësaj, protestat e opozitës bëjnë thirrje që kryeministri Djukanoviç të japë dorëheqjen dhe të formohet një qeveri e përkohshme që do të përcaktojë aftësinë e partisë qeverisëse për të kaluar ligje.

Mamula: “Simboli i luftës anti-fashiste”

Olivera Doklestiç, një inxhiniere ndërtimi vendase dhe aktiviste, gjyshi i së cilës, Lazari, babai Mirko dhe xhaxhai Djordje, gjithashtu i mbijetuan burgosjes në Campo Mamula, po shpreson që qeveria të rimendohet.

“Historia e ishullit dhe fortesës duhet të jetë në qendër të përshtatjes. Një rezort luksi nuk është zgjidhja e duhur,” këmbëngul Doklestiç.

Teksa i kujtohet vizita e saj vjetore në fortesë me babain e saj, ajo beson se turet edukuese – të kombinuara me aktivitete komerciale të tilla si restorantet dhe objektet e tjera – janë mënyra më e përshtatshme, edhe në qoftë se “nuk do të sjellë një mal me para menjëherë”.

Shumë janë dakord se projekti në zonë duhet të përqendrohet në edukimin dhe kujtimin e historisë.

“Vendet e ish-vuajtjes si Mamula duhet të jenë pjesë e sistemit arsimor dhe të ofrojnë turizëm edukues special. Kjo do të mbështeste zhvillimin e kulturës së të drejtave të njeriut në Malin e Zi, por do të ofronte te turistët e huaj mundësinë për të mësuar rreth historisë së betejës anti-fashiste,” beson Tamara Milas, partnere programi në OJQ-në Qendra për Edukim Civil.

Boutros Boutros-Gali, ish-sekretar i përgjithshëm i OKB, madje u përfshi në debatin për zhvillimin e Mamulës, duke dërguar një letër te deputeti i SDP, Ranko Krivokapiç, kryetar i parlamentit të Malit të Zi.

“Jemi të  befasuar që e vetmja zgjidhje për ruajtjen dhe përdorimin e fortesës është një marrëveshje e thjeshtë biznesi dhe privatizimi,” shkruhej në letrën e firmosur edhe nga Federico Major, ish-drejtor i përgjithshëm i UNESCO dhe figura të tjera ndërkombëtare.

Nënshkruesit vunë në pyetje mungesën e debatit publik mbi çështjen përpara se të jepej miratimi fillestar për projektin e Orascom dhe sugjeruan përdorimin e vendit për takime dhe negocime ndërkombëtare, përfshirë takimin e liderëve botërorë si një mënyrë më të mirë nderimi të historisë.

Qeveria këmbëngul se projekti ka qenë subjekt i konsultimit të gjerë dhe të hapur publik dhe se planet Orascom e respektojnë plotësisht kujtimin e viktimave dhe të mbijetuarve.

Megjithatë, ekspertët e trashëgimisë kanë shprehur gjithashtu shqetësimin se, në bazë të planeve të zhvillimit në dispozicion të publikut, karakteristikat e rëndësishme të arkitekturës me rëndësi ushtarake dhe historike, përfshirë edhe kullat e vëzhgimit dhe sternat, mund të modifikohen ose hiqen.

Valker Pachauer, një ekspert në fortesat austro-hungareze në Malin e Zi, nga Instituti i Historisë Urbane dhe Arkitekturore në Grac, Austri, thekson se ndikimi i zhvillimit mbi integritetin historik të fortesës, duke përfshirë ndërtimin e pishinave në oborr, ende nuk është i qartë.

“Ne nuk e dimë si do të ndikojë struktura e brendshme dhe infrastruktura teknike te ndërtesa historike… Mamula është një monument me rëndësi arkitekturore dhe historike, dhe me gjasa është i vetmi fortesë ishullore që u ndërtuar nga monarkia Austro-Hungareze… Duhet të shihet në një kontekst më të gjerë të historisë europiane,” thotë ai.

Megjithatë, Predag ​​Sekuliç, deputet i DPS dhe kryetar i Komisionit Parlamentar të Turizmit dhe Zhvillimit Hapësinor, tha për BIRN se  propozimi i Orascom ” vlerëson ishullin Mamula në mënyrë të drejtë, ndërsa bën edhe ruajtjen e një pjesë të vlerës së tij historike”.

Përveç kësaj, gjatë debatit të Komitetit Parlamentar të Turizmit javën e kaluar, Ministri i Turizmit Branimir Gvozdenoviç siguroi deputetët se projekti do të ruajë karakterin historik të fortesës “të gjitha elementet që kanë të bëjnë me kërkesat e ruajtjes”.

“Nuk do të ketë ndryshim në dimensionet e objekteve, do të ketë vetëm disa facilitete që do të jenë në funksion të një oferte të turizmit më të lartë” nënvijëzoi ai.

Drejtoria e Malit të Zi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore nuk pranoi të komentojë direkt për shqetësimet e Pachauer, duke i thënë BIRN se nuk mund “të bëjë komente të bazuara në spekulime”, pasi ata nuk kanë marrë ende planet përfundimtare të projektit nga Orascom.

Turizmi luksoz “jo i vetmi opsion”

Ndërsa opinioni mbetet i ndarë mbi mënyrat për ruajtjen e Mamulës, debati ka nënvijëzuar shqetësimet rreth faktit nëse Mali i Zi është duke balancuar efektivisht ruajtjen e trashëgimisë me përfitimet ekonomike të investimeve të huaja në turizmin luksoz.

Që kur u bë formalisht një shtet i pavarur në vitin 2006, zhvillimi ekonomik i Malit të Zi është përqendruar në turizëm dhe në ndërtimin e “mega-vendpushimeve” në masë të madhe – disa nga të cilat shtrihen në gjirin Boka Kotorska brenda disa miljeve nga Mamula. Këto përfshijnë turistik qytetin turistik të Orascom Gjiri Lustica, Portin Mali i Zi për super-jahte dhe Porto Novi.

Duke pranuar vlerën e investimeve të huaja dhe të turizmit, disa thonë se qeveria ka nevojë të diversifikojë zhvillimin ekonomik dhe politikën e trashëgimisë.

“Ka një mungesë të përgjithshme vëmendjeje dhe ndërgjegjësimi ndaj pasurisë kulturore nga shtetasit malazezë dhe përfitimit publik në përgjithësi,” pretendon Aleksandra Kapetanoviç, një arkitekte ruajtjeje dhe drejtoreshë ekzekutive e Expedito, një prej OJQ-ve kryesore të zhvillimti të qëndrueshëm në vend.

“Gjithçka duket se po shihet nga spektri turistik, kjo është e qartë, rëndësia e trashëgimisë kulturore për popullsinë vendase nuk po merr mjaftueshëm vëmendje, nuk është kuptuar mjaftueshëm dhe nuk ka mjaft projekte që synojnë të përmirësojë arsimin dhe kulturën”.

Kapetanoviç, e cila mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët mbi zhvillimin e propozuar në Mamula, beson se qeveria duhet të marrë në konsideratë siç duhet, mjete të tjera të mirëmbajtjes dhe ruajtjes se vendeve të trashëgimisë kulturore, “sidomos kur këto trashëgimi janë lidhur shumë specifikisht me kujtimet e dhimbshme”.

Duke theksuar se puna e ruajtjes mund të bëhet me faza, duke e bërë vendin të sigurt për vizitorët dhe gjithashtu duke mohuar nevojën për të gjetur të gjitha fondet njëherazi, ajo vëren se fondet e BE-së janë në dispozicion për restaurimin dhe rifunksionimin e objekteve të trashëgimisë.

Zyra e shtypit e Komisionit të BE-së konfirmoi për BIRN se organizatat kulturore në Mal të Zi janë të pranueshme për financim në projekte ndërkufitare të bashkëpunimit, ku gjithashtu përfshihen fonde për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

“Ndërsa Mali i Zi ka marrë pjesë në projekte si në programin kulturor të BE-së 2007-2013 dhe programin Creative Europe 2014-2020, nuk dimë të jetë përfshirë në projekte mbi ruajtjen e trashëgimisë kulturore,” tha zyra e shtypit e komisionit në një përgjigje me shkrim për BIRN.

Podgorica ka marrë gati një gjysmë milion euro financim nga BE për të restauruar Fortesën Besaç nga epoka e Perandorisë Osmane mbi Virpazar, në Liqen të Shkodrës, në afërsi të kufirit me Shqipërinë.

Faza e parë e projektit u përfundua në vitin 2013, por pjesa e dytë e marrëveshjes, që parashikoi përdorimin e fondeve kombëtare për përshtatjen e fortesës për vizitorët, përfshirë një muzeum dhe tre skena teatri, nuk është përfunduar.

As Ministria e Kulturës dhe as Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore nuk i janë përgjigjur kërkesës së BIRN për koment mbi përdorimin e fondeve të BE-së për trashëgiminë për Mamulën apo vende të tjera historike të Malit të Zi.

Orascom “do të respektojë historinë e Mamulas”

Nga ana e saj, qeveria këmbëngul se jo vetëm që nga plani i Orascom do të përfitojnë ekonomia lokale dhe kombëtare, por ai do të shërbejë edhe si një monument arsimor. Gjatë javës së fundit, në debatin e komisionit parlamentar, Gvozdenoviç theksoi “do të ketë një dhomë përkujtimore apo një muze”.

“Ne do të krijojmë një muze me restorantin dhe hotelin më të mirë në Mesdhe”, premtoi Samih Saviris, president i Orascom, kur tenderit iu dha pritja në parlament.

Megjithatë, nuk përmendet e një muze në faqen promovuese të internetit të Orascom mamulaisland.com ose një dhomë përkujtimore që disa media lokale raportuan se ishte rënë dakord me Bashkimin e Luftëtarëve të Çlirimit, SUBNOR.

Ndërsa Orascom ka refuzuar të përgjigjet për BIRN para votimit parlamentar, qeveria lëshoi ​​një deklaratë për shtyp në tetor duke theksuar se projekti “do të promovojë karakterin historik të ishullit, duke krijuar një destinacion prestigjioz të turizmit dhe do të jetë ishulli i vetëm hotel me hapësirë ​​të dedikuar si muze në Mal të Zi.

Në njoftime të mëparshme, qeveria ka theksuar gjithashtu se qiraja 49-vjeçare e ishullit te Orascom do t’i sigurojë Mamulës “ruajtjen e karakterit të trashëgimisë kulturore gjatë gjithë periudhës. Fortesa është regjistruar si monument kulture dhe investitori është plotësisht i vetëdijshëm për këtë”.

Mos të humbasë mundësia e Orascom

Pavarësisht nga shqetësimet rreth kthimit të Mamulës në vend shumë turistik, shumë persona mbështesin planin dhe thonë se qeveria ka të drejtë që të kërkojë investime të konsiderueshme të huaja për fortesën, që ka qenë e braktisur për kaq shumë vite.

Dragana Zečević Plavanski, drejtoreshë e stacionit të shërbimit publik lokal Radio Herceg Novi, viziton ishullin së paku dy herë çdo vit dhe shqetësohet se nëse nuk restaurohet fortesa është në rrezik të dëmtimit të pakthyeshëm.

“Do të ishte një humbje e madhe e një mundësie të ofruar nga një kompani serioze si Orascom pas viteve neglizhim,” thotë ajo. “Mamula vazhdon të degradojë për shkak të mungesës së fondeve… Nëse nuk përdorim këtë mundësi për të miratuar projektin, kam frikë se Orascom do të zbulojë se nuk jemi seriozë mjaftueshëm dhe do të braktisë idenë”.

Ende të tjerë theksojnë se propozimi i tanishëm është një përmirësim i madh në krahasime me planet që qarkulluan në 1990 për të ngritur një kazino dhe qiellgërrvishtëse në krye të kështjellës.

Pachauer, eksperti i fortesës austro-hungareze nga Graci, e përshkruan planin e Orascom si të paktën më “pak pushtues” se kazinoja e propozuar dhe qiellgërrvishtësi.

Profesori i historisë së artit, 77-vjeçari Lazar Seferoviç, thotë thjesht: “Jemi në fakt me fat që projekti për ta kthyer Mamulën në një kazino me një qiellgërrvishtëse mbi të dështoi për shkak të mungesës së burimeve”.

Ndërsa opinioni publik mbetet i ndarë mbi faktin nëse plani i Orascom të paktën do të ruajë fortesën e braktisur dhe do të ndihmojë ekonominë lokale, Kapetanoviç paralajmëron për aq kohë sa fortesa është në gjendje relativisht të mirë nuk ka nevojë të nxitohet në një plan-zhvillim që mund të shkaktojnë “dëm më të keq” e kthyer Mamulën në gjendjen e saj autentike.

“Mendoj se për trashëgiminë kulturore ndonjëherë mungesa e burimeve është një mundësi më e mirë se një ndërhyrje e keqe,” thotë Kapetanoviç. “Mamula nuk është në një gjendje të tillë të keqe, nuk është në rrezik të rrënimit në këto vitet e ardhshme nëse nuk bëhet diçka tani. Pritja është zgjidhja më e mirë, edhe për një dekadë, mund të jetë një opsion më i suksesshëm”.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *