Sa herë që kryeministri dhe qeveria e tij dështon, atëherë ai tund kartën e nacionalizmit. Kështu u shpreh sot nënkryetari i FRD-së, Aleksandër Biberaj, në një deklaratë për mediat.
Biberaj tha se Berisha e përdor kartën e nacionalizmit sa herë që ka fushata, por ai nuk ka lidhje me me patriotizmin. Madje, me këtë lëvizje, ai po i lejon vetes të keqpërdoret nga qarqet antishqiptare.
“Sa herë dështon kryeministri dhe qeveria e tij në politikat e brendshme, sa herë ka probleme me Perëndimin, sa herë ka fushata elektorale, ai e tund kartën e nacionalizmit, ndërkohë që nuk ka asnjë lidhje me patriotizmin dhe as nacionalizmin. Përkundrazi, po i lejon vetes të keqpërdoret nga qarqet antishqiptare”, tha Biberaj.
Më tej, numri dy i FRD-së fajësoi qeverinë për dështimin për herë të tretë në marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.
“Fryma e Re Demokratike përshëndet angazhimin dhe vullnetin e institucioneve të Bashkimit Europian dhe drejtuesve të tyre për gatishmërinë dhe vullnetin pozitiv për të pranuar Shqipërinë në familjen europiane, por fatkeqësisht ky vullnet dhe kjo gatishmëri ka munguar nga qeveria shqiptare”, tha Biberaj.
“Ne jemi pro bashkimit e respektimit të vlerave shqiptare përmes integrimit europian, si edhe pro përforcimit të rolit pozitiv në rajon, gjithmonë në bashkërendim me miqtë dhe partnerët strategjikë të Shqipërisë”, theksoi Biberaj, duke përfunduar se dimri që sapo ka trokitur është i fundit për qeverinë “Berisha”.