Aleancat zgjedhore për FRD-në janë ende një temë që nuk u ka ardhur koha. Nënkryetari i kësaj partie, Aleksandër Biberaj në një intervistë për gazetën “DITA” thotë se FRD përjashton aleancat zgjedhore me tre partitë kryesore, por nuk përjashton partitë e tjera. Biberaj kritikon qeverinë dhe lidershpirin e Partisë Demokratike, duke e akuzuar jo vetëm për korrupsion, por dhe për vrasjen e demonstruesve që mendojnë ndryshe nga ata. Biberaj nuk lë pa prekur dhe tezat nacionaliste të Berishës ku i cilëson si nisma të një politikani që e ka kapur paniku. Ai thotë se nuk mund të jetë patriot një politikan që varfëron popullin e vetë çdo ditë e më tepër, ndërsa e cilëson kryeministrin si një politikan që po del në pension politikë.
Sistemi aktual zgjedhor është veçanërisht i papërshtatshëm për ato forca politike të vogla dhe të mesme që garojnë të vetme. A ju bën kjo që të reflektoni për daljen më vete në zgjedhje, apo ka ndonjë mundësi teorike që FRD të shqyrtojë hyrjen në aleancë me të tretët?
Sistemi zgjedhor është frutë i bashkëpunimit ndërmjet drejtuesve të partive të vjetra PD dhe PS, gjë që nuk e ndryshojmë dot për këto zgjedhje dhe e marrim si fakt të mirëqenë. Kështu që na mbetet që kundërshtarët tanë politikë t’i mundim me mjetet e tyre dhe do t’i mundim. Nuk mund të bëjmë koalicion as me PS dhe as me PD, pasi kemi diferenca të mëdha. Si parti e re ne kemi nevojë që të krijojmë identitetin tonë politik si një parti moderne e qendrës së djathtë. Natyrisht që jemi të hapur për koalicione me parti të tjera të qendrës së djathtë dhe të qendrës.
Ju shpesh jeni shprehur se në vitin 2013 do të realizohet rotacion politik falë daljes në skenë të FRD-së. Asnjëherë nuk keni thënë se cili është objektivi juaj në lidhje me mandatet që do merrni në zgjedhje?
Është shpejt për të folur për mandate, por ajo që mund të them është se ne do të kandidojmë në të gjithë zonat elektorale me listë të plotë kandidatësh për deputet, pra 140 kandidatë në të gjithë Shqipërinë. Synimi ynë do të jetë që të jemi përcaktues në vendimmarrjen politike të pas 23 qershorit të këtij viti dhe jam i sigurt dhe i bindur se do ta arrijmë këtë objektiv.
Po me Aleancën Kuqezi a do të dilni së bashku në zgjedhje?
Është shpejt për të folur për aleanca apo koalicione, dhe do të jenë forumet e FRD-së që do të vendosin në momentin e duhur.
Ka një perceptim në publik se FRD do të bëjë lojë të ashpër kundër PD në zgjedhje por në rast të një rezultati si ai i vitit 2009 mund të bashkojë votat me partinë “mëmë”. Ide kjo që duken se gjen terren edhe pas refuzimit të përsëritur që i kini bërë ftesave të PS-së. A mund të kenë një garanci që tani pa nisur fushata votuesit tuaj?
Që të jemi të saktë me terminologjinë, sot nuk ka PD, ka një lidership dhe disa oborrtarë që kanë uzurpuar atë që ka mbetur nga PD, e kanë marrë peng. Për ne lidershipi i kalbur i PD-së i përket të kaluarës, nuk është më pjesë e axhendës sonë politike. Rrugët tona janë ndarë për arsye parimore, dhe ky hendek vetëm sa është thelluar çdo ditë e më shumë nga zhytja në batak, në moçal, në korrupsion e lidershipit të PD-së. Votuesit tanë do të jenë të garantuar se votat e tyre do të jenë në shërbim të tyre, në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Çdo koalicion apo aleancë do të bazohet vetëm në vlera dhe parime demokratike, dhe gjithmonë në shërbim të qytetarëve. Ndërsa strukturat e PD-së, anëtarët, simpatizantët po vijnë çdo ditë tek FRD, pasi aty e gjejnë veten.
A do të pranojë FRD në listë deputetë aktual të PD-së që nuk do të kandidohen nga Berisha në zgjedhjet e qershorit?
Është shpejt për të folur për listën e deputetëve, por në çdo rast ne kemi burime njerëzore shumë të mira me të cilët ne do të dalim në zgjedhjet e 23 qershorit. FRD ka qenë dhe mbetet e hapur, por në rastin konkret që Ju përmendni do të jemi shumë të kujdesshëm. FRD mund të pranojë vetëm ata deputet të cilëve akoma nuk u është bërë “shpëlarje truri” dhe nuk janë shndërruar akoma në klonim të Berishës apo Topallit. Gjithsesi, kjo çështje do të diskutohet në momentin e duhur.
Cili është gjykimi juaj për punën e qeverisë sidomos në mandatin e dytë?
Çfarë gjykimi mund të japësh për një qeveria që është më e korruptuara në Europë, që na la pa statusin e vendit kandidat për të tretin vit radhazi, për një qeveri totalisht e paaftë ku intelektualizmi është zëvendësuar me injorancën, për një qeveri që po shkrin pasuritë e kombit për t’u pasuruar për vete, për një qeverisje antipopullore dhe antikombëtare.
Kryeministri së fundmi është përfshirë në një valë deklaratash nacionaliste. Duke qenë se keni bashkëpunuar për një kohë të gjatë me të, cilat mendoni se janë arsyet që e shtyjnë kryeministrit të marrë tezat e Kreshnik Spahiut?
Frika dhe paniku e kanë bërë qesharak në sytë e shqiptarëve dhe të ndërkombëtarëve. Nuk e lidh asgjë as atë dhe as qeverinë e tij me patriotizmin dhe as me nacionalizmin, përkundrazi. Si mund të jetë patriot apo nacionalist një kryeministër apo një qeveri që varfëron çdo ditë popullin e vet, që urren popullin e vet, që vret në mes të bulevardit qytetarët e vendit të vet vetëm se mendojnë ndryshe. Këto janë tullumbace elektorale, flluska sapuni që nuk i beson askush në Shqipëri, janë përçartjet e fundit para daljes në pension politik dhe shndërrimit në një ISH. Ka kohë që kryeministrin nuk e beson askush, as oborrtarët e vet”.
FRD-ja duhet te pranoje gjith ata antare dhe depudet na PD qe tashme jane distancuar na PD,dhe jo ata qe presin po nuk vendosen kanidaturen ne listen e PD ne qershore te futen ne listen d FRD.