Të paktën në 3 vitet e fundit, bashkia e qytetit nuk ka pasur asnjë zë në buxhetin e vet përsa i përket këtij institucioni. Biblioteka po hyn në vitin e katërt pa asnjë titull të ri apo bashkëkohor
Entela Bani
GJIROKASTËR- Të jesh lexues i rregullt i bibliotekës “Apostol Meksi” në qytetin e Gjirokastrës është një sfidë më vete. Kjo pasi sa herë paraqitesh për të marrë libra të rinj, duhet të mendohesh gjatë, ndërsa procesi i përzgjedhjes nuk lë vend për plotësime dëshirash. Prej katër vitesh përveç ndonjë dhurimi vullnetar, asnjë titull nuk i është shtuar fondit të saj.
Biblioteka
Në këtë kohë krize përsa i përket leximit, bibliotekës “Apostol Meksi” nuk i mungojnë lexuesit e rregullt dhe të apasionuar të të gjitha moshave, duke filluar nga gjimnazistët e deri te moshat e thyera, që për dhjetëra vite kanë “trokitur” në dyert e saj për të marrë libra. Janë më shumë se dy mijë të tillë.
Ajo çka i mungon bibliotekës janë titujt e rinj. Të paktën në 3 vitet e fundit, bashkia e qytetit nuk ka pasur asnjë zë në buxhetin e vet përsa i përket këtij institucioni. Biblioteka po hyn në vitin e katërt pa asnjë titull të ri apo bashkëkohor. Me dhjetëra libra artistikë dhe shkencorë, me dhjetëra tituj të përkthyer nga përkthyes shqiptarë me emër i mungojnë kësaj biblioteke. Vetëm shkrimtarë të zonës dhurojnë aty botime të veta, por që natyrisht janë të pamjaftueshme për të plotësuar nevojat e lexuesve.
Gjithashtu, mjediset lënë për të dëshiruar. E vetmja sallë leximi nuk ofron asnjë kusht që të qëndrosh gjatë, veçanërisht në këto ditë të ftohta. Në këtë mënyrë Gjirokastra e Kadaresë dhe Çabejt po humbet një vlerë tejet të rëndësishme të saj.
Në fakt, biblioteka ka një fond tejet të pasur dhe të veçantë, me mbi 100 mijë ekzemplarë, madje fondi i paraçlirimit ka botime të rralla që ende u shërbejnë intelektualëve për të realizuar studimet dhe temat e tyre. Në të gjen madje edhe botime të vitit 1913 e në vazhdim, të cilat trajtojnë tema e probleme të kohës si historike, ekonomike etj. Vlerë në këtë fond përbën edhe publicistika (shtypi dhe periodikët) që fillojnë me gazetën “Demokratia” në vitet 1920 e deri në ditët e sotme. Të rrallë janë gjithashtu edhe disa fjalorë tepër të vjetër me moshë mbi 1-shekullore në gjuhët arabe dhe turqishte e vjetër.
Me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, biblioteka “Apostol Meksi” organizoi disa aktivitete dhe u angazhua në krijimin e një miniekspozite me botime të vjetra të lidhura me këtë ngjarje, kryesisht libra dhe materiale kushtuar ditës së flamurit dhe vepra nga autorë të ndryshëm për Ismail Qemalin.
Lexuesit
Janë të shumtë. Gjen çdo ditë të tillë, por që në fakt duhet të mendohen gjatë për të zgjedhur çfarë librash të marrin me vete. “Leximi është një kënaqësi shumë e madhe për mua, por që kthehet në stres në momentin që mendoj se duhet të vij në bibliotekë. Stres sepse nuk di çfarë libra të zgjedh, duke qenë se prej shumë vitesh jam anëtare e rregullt dhe kam lexuar pjesën më të madhe të titujve që ofrohen këtu. Ndihem unë në siklet, por edhe punonjëset, të cilat me profesionalizëm dhe mirësjellje mundohen të gjejnë atë që na duhet”, shprehet L.S, lexuese e rregullt.
“Janë më shumë se 25 vjet që vij shpesh në bibliotekë dhe është bërë një vend shumë i dashur për mua. Përveç kësaj, gjendja ekonomike nuk më lejon të blej shumë libra të rinj dhe pasionin për leximin e plotësoj këtu. Është e pafalshme që biblioteka, një nga vendet më të shenjtë për mua në Gjirokastër, të lihet komplet pas dore. Mua më dhemb kjo gjendje. Është e dhimbshme që letërsia dhe arti janë tërësisht të harruar në qytetin tonë, qytetin e elitës intelektuale që aq shumë i dha Shqipërisë. Mjafton të kujtosh gjuhëtarin më të madh Eqrem Çabej dhe shkrimtarin me famë ndërkombëtare Ismail Kadare që të kuptosh sa e rëndë është”, thotë A. L, gjithashtu lexues i rregullt i bibliotekës.
Emri
Megjithëse me një jetë 60- vjeçare, biblioteka e qytetit të Gjirokastrës vetëm në vitin 2009 u emërtua. Ishte një vendim i Këshillit Bashkiak që ky institucion të mbante emrin e folkloristit të njohur Apostol Meksi, i nderuar edhe me titullin “Mirënjohja e Qytetit”. Apostol Meksi u lind në Labovë më 1825 dhe ashtu sikurse shkruan ai vetë në “Studime shqiptare” është i biri i Jorgjit, nipi i Panajotit nga dega Meksi (Meksataj) e fisit Doda.
Pasi kreu shkollën fillore në Labovë, regjistrohet në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Së bashku me Konstandin Kristoforidhin, me të cilin kishte lidhur miqësi të ngushtë, i dha mësimet e para të shqipes albanologut të ardhshëm, Hahnit. Ishte ndër të parët intelektualë patriotë shqiptarë që kontribuoi në mbledhjen dhe përpunimin e folklorit duke e paraqitur si një trashëgimi shqiptare e ndryshme nga trashëgimia e fqinjëve, e ndryshme nga kultura, nga mënyra e jetesës, zakonet, këngët dhe vallet e tyre.
Μendoj dhe keshtu do vepruar qe te ndertohet nje objekt qe ti pershtatet Gjirokastres tek ish pallati i kultures ku brenda ketij objekti te jete edhe bibloteka e Qytetit me emrin e Kadarese.