“Biblioteka MOIKOM ZEQO” dhe paskajësia e trishtë e vlerës së librit si shpresë

Ornela

 Nga SEFER PASHA

“Fakti që të kem në dispozicionin tim 800. 000 libra dhe errësirën, është  shënjë e një ironie të shkëlqyer të zotit” Borges

Të shetitësh nëpër Tiranë është gjerazi një psikodramë me frytshmëri të egër. Qytetar me “torba” përpjestueshmërisht mbi gojë, hundë e mjekër. Mungon parrëfyeshmërisht qetësia dhe soditja në rrënjë gërmë për gërmë e stilit të jetës së kryeqytetit.  Fytyra të bëra si limoni i shtrydhur nga ky rrebesh biblik i koronës. Sharje të shtyra nga instikti ndijimtar i epshëm po t’i afrohesh ndonjë kalimtari të drunjëzuar. Klithma “O më infektove!”. Të mbyt era e rakisë dhe e hudhrës. Edhe gjethet e pemëve që bien në këtë fund të vjeshtës së prasme sikur janë të infektuara. Askush nuk qeshë, por edhe nëse dikush qesh nuk meret vesh se nuk e lejon “torba”. Kryeqytetit i ka ikur bukuria. Nuk bëhen dasma. S’ këndohen këngë në grupe dhe nëpër morte nuk ka më të qara me ligje kokë më kokë. Të vdekurit përcillen për në varreza sikur të jenë qenër. Të mer malli të shikosh një fytyrë engjëlli. Nuk shikon çifte që puthen e përqafohen. Bukuroshet e Tiranës nuk dalin në bulevard. Më keq e kanë të moshuarit ligavec. Ata shikohen si “ujqër” që të kafshojnë. I ka telendisur korona dhe zogu i dreqit. Erë zije në këto kohë të mbrothta. Të moçmit lëvizin nëpër Tiranë për të marë ilaçet me të pesë shqisat të mprehura. Përsosuria e sheshit për të cilin është investuar i ka humbur shija. Shporta e boshllëkut të imazheve skrupuloze ndihet në çdo milimetër. Lumturia e asokoshme e sojllinjëve nuk ekziston më. E ardhmja përtej dukjes tani vetëm përfytyrohet. Është një faqe arkivore që do ta studjojnë me një shqipe pa kocka si një hata brezat që vijnë në disa rrafshe. Në heshtjen e lëndët kryeqytetasit shpresat i kanë tek vaksina si të jetë një hyjni e eprëme. Ka nga ata që e krahasojnë me Yllin Polar.

Ndaloi përpara monumentit të Skënderbeut i druajtur sikur në të gjitha anët të jem i rrethuar nga boshësia dhe nga gjarpërinj që tentojnë të më kafshojnë. Po gjarprin ku ta gjesh. Ai e ka në gjuhë një gjilpërë me të cilën të kërcnon. Kurse korona është mister. “Bajoneta” e saj nuk duket. Pikërisht ky mister e bën atë edhe më të frikshëm dhe enigmatik. Më duhet të lëviz. Shëmtia e Tiranës nuk më shqitet. Nuk kam forcë ta mposht këtë mynxyrë dhe belbëzoj një varg të këngës labe kushtuar Kanan Mazes, të cilin në luftën e Vlorës në vitin 1920 një predhë e fashistëve ja ndau nofullën më dysh. Dhe populli e ka përjetësusr në këngë /Kanan t’u prish bukuria/. Mirë i them vetes. Kanan Mazes ja prishi bukurinë predha e italianit, po tiranasit kush i shëmtoi? Pandemia qenka më keq se lufta e se predhat. Kot po çapitem nëpër Tiranë. Mungon përputhshmëria dhe filli i gjalmit lidhës të shpresës. E megjithatë Gëte në moshën 88 vjeçare i mbylli sytë me fjalët e fundit: – “dritë… më shumë dritë”. Thënia e Gëtes përkitazi sikur ma hoqi atë vellon e pafundësisë së kobëshme se kryeqyteti është në buzë të humnerës. Shkrova dhe një ese kundër atij ambasdorit që tha para disa kohësh se. – “Shqipëria është i vetmi vend në botë ku vjen duke qeshur dhe ikën duke qarë”.                                                                                                                                                                                                 –           Kur dal nga sheshi “Avni Rustemi” dhe çapos në rrugën “Tefta Tashko”, 10 metra larg, në krahun e djathtë, në faqen e murit është shkruar “Biblioteka MOIKOM ZEQO”  me shije biblike e me imazhe si të një pantenoni hyjnish në kufijtë më sipëror. Shtanga për këtë simbologji. Po kur qenka ngritur kjo bibliotekë i thashë vetes? Sa mirë. Ja agu i parë i shpresës në këtë marrëmendje të kryeqytesave. Gjetje narciste e detajuar e atyre që e kanë krijuar këtë bibliotekë. Moikom Zeqo që ishte sinonim i gjeniut kishte vetë një bibliotekë të madhe dhe gjithë jetën pati si “jastëk” librat. Ai e thoshte shpesh se Aleksandri i madh, bashkë me shpatën mbante poshtë nënkresë edhe librin ILIADA. Dhe shtonte atë që ka thënë Borgesi se: – “Fjalët fillimisht kanë qenë tinguj dhe pastaj janë bërë shkronja”. Nuk i ndaj sytë nga faqja e murit ku janë skalitur gërmat e bibliotekës së re të Tiranës, që mban emrin e poetit Moikom Zeqo, e që në elitat letrare thirrej si Uitmani i Shqipërisë. Poetin që në moshë të re e dërguan mësues në Rrogozhinë dhe ai qysh asohere pikë për pikë nuk ju nda librave. Edhe kur pinte kafe do të fliste për forcën e artit e fatbardhësinë e tij. E thoshte me kënaqësi atë që i patën treguar se Enriko Karuzoja mund të bënte copë e çikë një vazo lulesh vetëm me forcën e zërit të tij. Por ai vet kishte tis ngjashmërie me Uitmanin. Mbeti poet proverbial. Tek pinim kafe na thoshte miqësisht atë që e kishte lexuar tek një autor i preferuar se jeta është një qiri i ndezur që shuhet lehtë. Kujdes! Zgjohu!

Në trup më shkojnë mornica kur prek gërmat e mbishkrimit “Biblioteka MOIKOM ZEQO”. Librarja më shikon e habitur. Unë i përkëdhel gërmat sikur të jem pranë ndonjë obelisku heroi. Ç’po bëj kështu i them vetes? Poetin Moikom Zeqo nuk e kanë vrarë ashtu sic bën falangistët frankistë me Garsia Lorkën, të cilin e vranë në vitin 1936. Gjithsesi edhe Moikomit i kanë bërë disa “vrasje” në jetë. E kanë “vrarë” se ishte mik i ngushtë me Bilal Xhaferin që në moshën 17 vjeçare. Po kështu e kanë “vrarë” kur e përgjonin tek takohej në hotel “Dajti” me poet kosovar si dhe kur botonte në gazetën “Drita” poezitë antiregjimit. E lanë pa punë. Serbët ja coptuan brinjët dhe e burgosën se poeti Moikom Zeqo paskej cituar Bekim Fehmiun, i cili kishte thënë se një pllakatë në Beograd kishte mbishkrimin: – “Arbanasi me thikë do t’i nxjer sytë”. Të gjitha këto “vrasje” ju bën kurora me dafina. Librat i mbante në çantën e lëkurtë ku nëna e vuajtur, Doda, i vinte bukën me sallam e djath kur të birin Mokomin e degdisën në Rrogaozhinë. Sigurimi i Shtetit paçka se nuk e arrestoi gjithmonë e ka konsideruar të rrezikshëm. Në dosjen për Bilal Xhaferin, e cila ndodhet në arkivin e Drejtorisë së Zbulimit të Jashtëm është një vandak me lëndë të parë kundër Moikom Zeqos. Talenti i shumfishtë qe e lidhur shkathtësisht me librat. Ai e njihte mirë përkoshmërinë e jetës dhe egon e tij poetike nuk e përkëdheli kurrë. I referohej gjithnji abatit të Umbertos Ekos që thoshte se: – “Kuvendi pa libra është si qyteti pa pasuri, si kështjella pa ushtarë, si kuzhina pa enë, si salla e bukës pa ushqime, si kopshti pa bar, si livadhi pa lule e si druri pa gjethe”.

Me lejën e librares tërheq nga rafti librin “Anija misterioze” të poetit Mokom Zeqo. Në faqen 159 ai shkruan këtë poezi sikur të ishte vetë Majakovski. I lexoj vargjet që unë i kam për zemër : /E njoh një shkrimtar/ /Që kurvëron me politikën/ /E shet të kaluarën/ /Kurvëron të tashmen për të ardhmen/. Poeti Moikom Zeqo që ishte marrë dhe me politikë ishte mjaft invesigativ. Ai me mendjen fluide i quante shumë parlamentar kulaç i mykur. Ua njihte nazet dhe hilet. Gjithqysh e gjithëkush mendon e grah si manjat që të bëhet oligark. Atyre u mungon ndërgjegja elementare autentike e janë thjeshtë hajna thoshte me zë të lart Moikom Zeqo.

Vitet e fundit të jetës qenë sfilitëse për poetin e çuditshëm që ëndërronte qiej më të lart në kapërxyellin e moshës. Në kafenenë tonë të preferuar “Çajupi” ku nëpërdukej Moikom Zeqo atë e tralliste realiteti i ashpër në Shqipëri në një kuptishmëri të ankthshme. “Po shuhemi” thoshte ndonjëherë i revoltuar tek rrokjezonte dhe i bënte radigrafinë realitetit në përditshmëri. Fshatra e qytete që po rrëshqasin në humnerë. Rinia iku nëpër botë. Pakogjë ka mbetur. Nuk ka lindje. Të shqyen agai i ri. S’ka më Libohovë. Fëmijët emigrant e harruan gjuhën e Naim Frashërit. Po shtohen të droguarit dhe pijanecët. Gjakmarrja të tremb. Shpërthente në pasthirrma për oligarkët. Një qeveritar që dikur kishte punuar në Gjirokastër si kamarjer i diagnositkuar me leuçemi trajtohej jashtë vendit, kurse atë poetin e një mali me libra ja bënin kimioterapinë në koridorin e spitalit. Përhershmëria e shqiptarit të dashuruar me jetën e me zogun e petritit ka mbetur tani si një yrt i harruar fatalisht belbëzonte ai. Vendi ynë po bëhet pakushtëzuarmërisht si tokë e askujt nga mendjet diabolike. Media ngre mure gënjeshtrash. Një lypës qe varur tek “Tajvani” dhe nuk u tha një rresht. Atë ditë shtypi gjëmoi për sandalet e një minstreje, e cila i kishte blerë ato me qindra dollar. Në shtet qerrja del para qeve. Pirateria të mbyll derën. I dinë se kush janë vjedhësit e thesarit të floririt. Oligarkët delfin e blenë Shqipërinë. Paudhësit e qeveritarëve  nuk kanë të sosur. Mafia investon në Shqipëri. Ne po mbjetojmë theksonte Moikomi nga rastësia. Të çmendin ambulancat dhe makinat me nga dy vetë për në funeralet. Po fshihen zakonet e moçme, ritet, doket dhe tradita kulturore. Brezi i tanishëm mendon vetëm për çastin. Dhe e thoshte me zë të lart thënien e Sadiut “Sfurku nuk lind si gjithë gjallesat e tjera. Në fillim ha plaçkat e barkut të nënës. Pastaj çan barkun e së ëmës dhe del jashtë”. Mos po shdërrohemi në sfurqe mërmërinte i revoltuar poeti.  Shpëtimi i paasilushmërisë së racës shqiptarëve ishte dhimbja e tij. Po të mujsha pa asnjë fije dyshimi në zemër dhe në asht do ta shporrja tejet e tejet këtë erë grënjare e shtonte me dhimbje.  Dhe kujtonte thënien e atij shkrimtarit të dëgjuar, i cili ka shkruar se një mjek e shëroi një të sëmurë duke e bërë të qeshte,

I hedh sytë në faqet e murit ku shkruhet “Biblioteka MOIKOM ZEQO” dhe medja më shkon tek librat që më ka dhuruar si recetë bukurie. Ato janë kësodore tekste biblike. Poeti tragjik pa fre në gjuhë qe i paqshëm. Ai ishte poet, mitograf, kozmolog, gjeograf, eseist, filozof rracional, ministër, drejtor, deputet dhe natyrisht dhe egërashan safi. Prandaj e lanë dhe pa punë poetin me qibër e klas. Për shkrimet mirfilltazi me suhi krititike që bënte në gazetën “Dita” e mernin në telefon dhe me gërmëre e pasthirrma e kërcenonin në kafenenë “Çajupi”, ku qe ngujuar, por ai sikur s’qe lëndor nuk thyej dhe as merrej me mllëfet. Unë që isha në të njëjtën tavolinë e shikoja me shqetësim. Ishte me leuçemi(Pasternaku vdiq nga kanceri i mushkrive). Moikomi vegimor si të kishte në vena gjak hyjnish qeshte dhe porosiste për mua ndonjë gotë raki. Vet për shkak të sëmundjes edhe pse i këndej nuk pinte. Është e zorëshme e thoshte shpesh që botën shqiptare ta përballosh esëll fare. Dhe tregonte për Heminguejn, i cili i pati diktuar papagallit të tij një roman të ri të pabotuar, e që mbeti si një roman i gjallë vetëm në kujtesën e papagallit.

Nuk i ndaj sytë nga basorelievi ku shkruhej “Biblioteka MOIKOM ZEQO” dhe një lum emocionesh më tronditën. Pas vdekjes së poetit i kthej sytë nga ballkoni i pallatit, ku ai banonte e ku shpesh ma bënte me dorë në atë vetminë e shkretanit. Tani shkoj rrallë në kafenenë “Çajupi” ku Moikomi kalonte çaste me miqtë e tij. Tavolina ku rrinte poeti më ngjan si një shul lisi. (Sa shumë i pëlqente vargu i këngës së populli për trimin që e bjen në “dy shula lisi”. Pronari i “Çajupit” m’i hedh sytë me dhimbje e më duket sikur më thotë: – “Po ç’u bëtë ju miqtë e Miokomit?”. Unë kujtoj poetin Moikom Zeqo që kur po e ndjente fundin u thosh shpesh miqëve të tij atë që kishte thëne Goethe se: – “Gjithçka që ishte afër, largohet”. Dhe ne miqtë e poetit këtë po e preknim me drithërimë. Ishim larguar nga Moikomi. Por ndonjëherë parshikimet profetike e kujdo qoftë autorsia nuk dalin. Ja, “Biblioteka Moikom Zeqo”, në zemër të Tiranës përcjell mesazhin hyjnor se për njerëz me vlera si poeti Moikom Zeqo i afrojnë shpirtërat. Biblioteka e re është një buqetë për poetin e papërsëritshëm. Miqtë e poetit do të frekuentojnë dhe kafet ngjitur me “Bibliotekën MOIKOM ZEQO”. Dhe aty pa skrupuj do të tregojmë historinë e poetit Milton, që e thoshte shpesh Moikomi. Karlit të Dytë kur i sollën emrin e poetit Milton për ta ekzekutuar ai fisnikërisht kishte thënë: – “Tek dora ime e djathtë ka diçka që e kundërshton një dënim me vdekje”. Dhe poeti Milton shpëtoi.

Periudha e leucemisë megjithëse qe e llahtarëshme dhe me makthe kobëzeza poeti Moikom Zeqo për shumë arsye kaloi një vetmi të frikëshme. Gjithsesi e përballoi me dinjitet. Kur e gjeja në orë të mirë(Moikomin nuk e ka parë kurrë me hënë të keqe) e pyesja sesi po e mposhte stuhinë e vetmisë. Nuk kam qenë kurrë vetëm ma kthente ai. Autorët e qindra librave të bibliotekës time më mbanin gjallë. Nuk më lanë fillikat. Edhe në orën dy pas mesit të natës personazhet me shpinin në botë të panjohura. Dhe titullin e librit “Shitja e Hënës” ata ma diktuan. Kur ndonjëherë e qortoja miqësisht për ngutjen në botimin e shkrimeve në gazetën “Dita” ai edhe pse në heshtje ndante të njëjtin mendim me mua një mëngjes kur po pinim kafen më bërbëliti se: – “ky nxitim është çështje shpirti dhe misteri”. Unë jam në luftë. Artikujt janë ushtarët e mi. Më mbrojnë dhe unë i hedh në beteja çosa herë ma kërkon fati. Librat e çprangosin vetminë.

Biblioteka MOIKOM ZEQO do të ketë në raftet e librave portretin ambicioz të poetit dhe padyshim të gjithë veprën e tij. E pashë me sytë e mi që pa u mbushur biblioteka me gjithçka të domosdoshme kryeqytetasit kthehen aty me një oaz kënqësie. Poeti i klasit botëror ishte tundonjës i madh i lexusve të tij. Arkitektët e ngritjes së bibliotekës kanë bërë një zgjedhj të mençur. Të korrat e mbara po duken qysh në ditët e para. Biblioteka ngrihet në rrugën që mban emrin e artistes së madhe Tefta Tashko. Po aty është dhe Sheshi Avni Rustemi me bustin e tij. Mokoimi më thoshte shpesh se gjyshi i tij Jaho Zeqo qe martuar me një vajzë nga Libohova të quajtur Faika Rustemi, e cila e kishte Avni Rustemin djalin e xhaxhait. Kulti i ndritshëm i Avni Rustemit më ka shoqëruar kudo shtonte poeti. Moikom Zeqo e qëndis këtë motiv tek libri “Shitja e hënës”. Poeti ma pati thënë disa herë se e kishte brengë që nuk e përfundoj dot një monografi për Avni Rustemin. Në faqen 89 të librit “Shitja e Hënës” Mokom Zeqo midis të tjerave shkruan dhe këtë fjali “Vrasja e pabesë e Avni Rustemit ka qëndruar si një ankth i përhershëm mbi familjen time”. Dhe jo shumë larg nga rruga ku ngrihet “Biblioteka MOIKOM ZEQO” është Biblioteka Kombëtare dhe Muzeu Kombëtar, ku poeti për shumë vjet që drejtor dhe dha një kontribut të paçmuar. Kur ai drejtonte Muzeun Kombëtar më pati folur për njohjen që kishte Ismail Qemali me Viktor Hygoin. Nuk mu dha rasti që prej Moikomit të mësoja hollësira rreth këtij fakti.

Brenda bibliotekës librarja na pret me emocion. Ka ende punë për të krijuar atmosferën e librit si dhe për ta sistemuar e shfaqur nëpër rafte. Është ende shpejt për reklamën thotë ajo. Edhe për vizitorët gjithashtu. Kovidi përbën rrezik. Pa ja prishur terezinë librares u hedh një sy librave nëpër rafte. Sytë më ndalojnë tek një libër i Faik Konicës. Moikom Zeqo që vet kishte dhuntinë e muzave e vlerësonte drejtazi Konicën. E thoshte me plot gojën se ai është një gjeni me sqimë. Konica ishte vet ungjilli. E ngrinte në maja të larta staturën e idhullit të tij tejet idilik për kryevlerat që ai la pas. Dhe kur në përditshmëri ndeshej me maskarenjtë e dokraxhinjtë që mbinin si kërpurdhat ai recitonte një nga poezitë brilante të Konicës, që e lakmonte për sharmin dhe plazmimin e saj:- /More dudum kokëkungull//Gojëbuall e barkrrumbull/ /Thuam të rëntë pika/ /Ç’të duhet ty politika?/ /Hiq, more dudum dore, hajde/ /Të të kllasim në një kade/ /Plot me mjalt e me reçel//Ha e pi e kurrë mos del!/ Moikomi kur bënte katharsin në rrafshin vetjak të njerëzve të letrave thoshte se Konica ishte një fakultet i kritikës me entitet imagjinar. Ishte karakter me intelegjencë natyrore. Kam qenë në bibiliotekën e Moikomit në shtëpinë e tij. Ai përveç librave u kushtonte vëmendje dhe shënimëve, blloqeve, ditareve, qoftë dhe grimcave të shkruara në copra letrash. Dhe sillte shumë shëmbuj nga apostujt e artit. Përmendëte dhe Gorbaçovin, i cili i trembur nga frika e arrestimit dogji në zjarr 25 blloqe me ditar. Kurse Janis Ricos vjershat e Makrinozit, ku qe internuar në vitin 1949 i vulosi në një shishe dhe i futi në tokë. I zhvarrosi kur e mbaroi internimin. Po kështu Uellter Skoti e nxiste muzën me kamzhik.

Megjithëse jam i mbushur me gëzim nga kjo bibilotekë modeste e krijuar në qëndër të Tiranës çoç më mundon. Sa mirë do të ishte i them vetes që tek mbishkrimi “Biblioteka MOIKOM ZEQO” në kllapa të futej dhe pseudonimi i tij letar “MAKABE ZAHARIA”. U mendova një çikë. Mbase nuk është e nevojëshme belbëzova. Historia e letërsisë tregon se pseudonimet letrare si tek Migjeni dhe Mitrush Kuteli kanë triumfuar mbi emrat origjinal të autorëve. Kështu ka ndodhur dhe nëpër botë. Por tek poeti Moikom Zeqo kjo gjë nuk ndodhi. Makabe Zahria nuk e rrëzoi nga froni i florinjtë emrin e Moikom Zeqos, i cili i botoi vjershat e para që kur ishte 12 vjeç. Në popull Moikom Zeqo është në çdo sofër. Edhe nëpër botë kështu njihet. Makabe Zahria le le të studjohet nga biografët dhe historianët e artit. Poeti ishte njohës dhe botues i vepërës së Migjenit gjer në detaje. Edhe kur i ka bërë fotografitë që la pas thoshte Moikomi, Migjeni, i ka bërë fotot kaq brilante se dinte se ishte i madh, dhe se do të mbetej e do të lexohej nga brezat. Prandaj pozoj dhe la fotografi aq të goditura të cilat i kanë zili fotografët e kohës digitale. Një tjetër studjues nga Puka Jaho Braha më tregonte se Migjeni ishte me aq sqimë sa edhe kur delte në bjeshkë i lustronte këpucët. Pjatat i merte me vete në restorant dhe i lante me ujë të nxehtë, që të mos u transmetonte turbekulozin klientëve të tjerë.

Kur leuçemia ia kishte hedhur në fyt thonjtë kokërr më kokërr kryeshkronjësit si të qe vet apokalipsi, Moikomit,  i pëlqente dhe e recitonte me vikamë një poezi autentike të shkruar me mjeshtëri të lart artistike në vitin 1977, ku në fund të poezisë janë dhe këto vargje: /Te Rrapi i Libohovës/ /Është letra/ /E librave që kurrë s’do t’i botoj/”.  Atë e mundonte një varg, një fjalë, një pikë dhe një presje. Megjithëse nuk qe rritur në Libohovë Mokomi këndonte labçe. Kur kishim sebepe para ndonjë gote me verë ai më ngiste që ta t’ja merja asaj këngës labe që ai e vlerësonte si një poezi të habitëshme: – /O shok do zëmë një këngë/ /Do ma mbani a ta lëmë?/ /Medet ne për mendjen tënë/ /Mbetëm shamata e grënjë/ /Nga e gjitha puna që bëjmë/ /Një metër vend do zëmë/ /Dhe ajo gur e shkëmbënjë/ / O baltë e kuqe këlkënjë/.

Share This Article
3 Comments
  • Përse i politizoni gjërat z. Pasha?! Moikomi nuk ka qenë disident. Në atë kohë ishte praktikë që njerëzit e artit dhe kulturës shkonin për një periudhë kohe jashtë Tirane. Kështu ishte sistemi, që aplikonte qarkullimin. Moikomi ka qenë më i vlerësuar para 1990, se sa pas këtij viti që e lanë papunë. Moikomi ishte një nga ideatorët e reformimit të PPSH-së. Megjithatë, merita e Moikomit nuk është politika, por arkeologjia, historia, historia e artit, poezia, etj. Duke u futur në çikërima pa vlerë, ju i ulni vlerën e vërtetë Moikomit. Fatkeqsisht, nuk kemi një pasues të dimensionit të tij.

    • E po kur u be PD-ja me spiune, pse te mos behet edhe disidenca me anetare partie dhe njerez te pushtetit! Me mire keshtu, qe te qeshim pak dhe ata vete t’ia ulin vlerat njeri-tjetrit! Sepse Moikomit i mjafton -besoj- admirimi i lexuesit letrar, deri diku edhe ai historik, si njeri i fjales se bukur dhe euridit i kohes mesjetare, (tek antikiteti calonte), mirpo duket paska edhe per te paguar i shkreti, derisa ka lejuar qe tani pas vdekjes ti vishen vello te paqena, si disident, si i persekutuar, etj., qe vetem bejne lexuesit per te qeshur.

  • ripjellja e la pa pune, e injoroi,
    ripjellja e 30vjecareve bastarde te ramutit nuk ja pordhi mendimin mendimtareve dijetarve te vendit. Kryedijetar kryegjithollog duhej te ishte vetem RAMUT KRYEBALLISTI antishsqiptari i njeqind flamureve.

    ne kishim nevoje per driten e moikomit, ne populli.

    qerohuni tutje me shperblimet pas vdekjes.
    i shkaterruat njerezit dhe vlerat e tyre ne te gjalle

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *