Dy muaj në radhë për të bërë biçikletën e zemrës. Me këtë odise të gjatë pritjeje duhet të përballen çdo ditë qindra pacientë që vuajnë nga sëmundje të ndryshme kardiovaskulare. Kjo, pasi qendra më e madhe spitalore në vend “Nënë Tereza”, e nivelit terciar ka vetëm një aparaturë për ekzaminimin e ndwrlikimeve tek këta pacientë. Çdo ditë dhjetëra pacientë detyrohen të qëndrojnë në radhë të gjatë para dyerve të këtij shërbimi që ofrohet tek klinika e sëmundjeve të brendshme, për të siguruar të drejtën e planifikimit të datës se kur mund ta kryejnë këtë ekzaminim.
Nën zë, infermierët vënë në dukje se situata është vështirësuar shumë pasi fluksi i kërkesave, veçanërisht ato të rretheve që vijnë me planifikim, është tepër i lartë, pasi në spitalet rajonale mungon kjo aparaturë. Çka do të thotë se pacientët duhet të qëndrojnë më shumë se një muaj në listat e pritjes deri sa t’u vijë dita e planifikuar për të kryer ekzaminimin. Ndërsa ata që janë më fatlumët, me anë të formave të ndryshme mund të rregullojnë edhe mundësinë e marrje së këtij shërbimi në një kohë pak më të shkurtër, por edhe në këtë rast do të duhet të qëndrojnë për disa ditë në listat e pritjes.
Pamundësia ekonomike për të marrë këtë ekzaminim në klinikat private, ku fatura financiare është e kripur, i detyron këta të sëmurë që të qëndrojnë në pritje të radhës së planifikuar për kryerjen e ekzaminimit në spitalin publik.
“Më është dashur të qëndroj për disa orë në radhë, për të planifikuar datën se kur i afërmi im mund të kryejë biccikletën e zemrës. Si rrjedhojë e fluksit të lartë të kërkesave për këtë ekzaminim më duhet të pres javën e parë të muajit dhjetor që të sjell familjarin tim”, shprehet një qytetar i ardhur nga rrethet. Mungesa e kësaj aparature në rrethe ka vështirësuar edhe punën e mjekëve të QSUT-së, pasi fluksi i pacientëve që duhet të bëjnë ekzaminimin e biçikletës çdo ditë është shumë herë më i lartë se sa kapacitet e lejuara, duke shtuar këtu edhe faktin mbajtjes së radhës nga pacientët. Këta të fundit detyrohen që të qëndrojnë në këtë pritje, pasi fatura financiare e këtij shërbimi në privat është e papërballueshme. Ndërkohë që në QSUT nuk janë të detyruar të paguajnë faturën e kripur pasi janë pjesë e skemës së rimbursimit.
Pjesa dërrmuese e pacientëve që paraqiten për të bërë këtë ekzaminim u përkasin kryesisht moshave të rritura të cilat vuajnë nga sëmundjet kronike të zemrës. Para se të kryejnë ekzaminimin e biçikletës pacientët u janë nënshtruar ekzaminimeve të tjera, siç është “EKG”-ja e zemrës. Ky ekzaminim është edhe hapi fillestar që shërben për përcaktimin e një prognoze të saktë të sëmundjes. Më pas duhet bërë një ekokardiogramë. Duke qenë se këto ekzaminime nuk kanë dhënë diagnozën e saktë të komplikacioneve, pacienti duhet t’i nënshtrohet një tjetër ekzaminimi që gjuhën mjekësore njihet si ciklorigometria, (biçikleta e zemrës) që shërben për të parë sesa ka avancuar sëmundja e ngushtimit të enëve të gjakut apo problemeve të tjera që mund të ketë zemra. Në përqindjen më të madhe të rasteve ky ekzaminim jep edhe diagnozën e saktë të sëmundjes, duke përcaktuar llojin e trajtimit që pacienti duhet të ndjekë.
Megjithatë, kjo nuk është e vetmja aparaturë që krijon probleme dhe radhë të gjata pritje në QSUT. Kjo qendër spitalore, ku përplasen të gjithë pacientët qofshin këta nga rrethet apo kryeqyteti, prej vitesh vuan problematikën e mungesës së aparaturave për ekzaminimet e vështira, aparatura të cilat janë unike. Po me të njëjtën problematike të pritjes përballen edhe pacientët që duhet të bëjnë skanerin, rezonancën. Ndonëse kjo problematikë mbi rishikimin e planeve për shtimin e aparaturave është ngritur herë pas here, situata vijon të jetë njësoj.