Dr. Jorgji KOTE
Pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe zhvillimeve të reja në rajon janë shtuar ndjeshëm shpresat dhe pritshmëritë për një rifillim të ri cilësor në Ballkanin Perendimor. Dy Top «B-të» amerikanë, Biden dhe Blinken po i konkretizojnë premtimet për forcimin e bashkëpunimit me BE&Brukselin për B-në e pestë, Ballkanin. SHBA-të tani mbështesin rolin drejtues të BE-së në dialogun Prishtinë – Beograd. Në vijim, Palmer dhe Lajçak janë takuar e kanë biseduar me liderët e rajonit; ndërsa më 19 Prill, Ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë posaçërisht në Bruksel. Në Korrik do të mblidhet në Berlin Samiti i Ballkanit Perendimor në kuadrin e Procesit historik me të njëjtin emër, etj.
Këto demarshe dhe nisma po shoqërohen me analiza tërësore, duke vendosur mirë «pikat mbi «i» Duke përfituar nga përvoja si diplomat me këtë dosje në 20 vitet e fundit, sidomos në Berlin dhe në Bruksel, pjesëmarrja në takime të çdo lloji e formati dhe në grupe pune për përpunimin e dokumentave përkatëse, po ndalem në fakte, aktorë dhe faktorë gjeopolitikë me ndikim madhor.
Le të fillojmë duke përmendur faktin se Ballkani Perendimor është një rajon «sui generis» i cili, për arsye historike dhe social -ekonomike nuk mund të krahasohet me modelin franko – gjerman, me Benelux, Schengen dhe as me modele të tjera.
Le ta themi troç se krahas arritjeve që përmenden dhe më poshtë, SHBA-të dhe BE-ja, bashkë dhe veç e veç kanë shfaqur mungesa dhe vonesa, ndërsa 4 vitet e fundit dhe ndasi e mospërputhje me pasoja. Ndikim kanë patur dhe krizat/sfidat me emra të frikshëm, të paimagjinueshëm 20 vite më parë.
Gjithsesi, ishte pozitive dhe vendimtare që pas genocidit serb në Kosovë, Perëndimi hoqi dorë nga përqasja si « zjarrfikës» krizash, duke përqafuar dhe zbatuar tri strategji gjithëpërfshirëse me jehonë ndërkombëtare për parandalimin, stabilizimin dhe demokratizimin në Ballkan, me emërues të përbashkët integrimin në strukturat Euro-Atlantike.
Së pari, më 31 Korrik 1999 u miratua në Sarajevë Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore nga liderët e mbi 50 vendeve të botës, të kryesuara nga SHBA-të dhe BE-ja. Në fakt ai ishte « kopje « e Aktit Final të Helsinkit, por në vend të « tri shporta» kishte tri « tryeza» me emërtime të njëjta. Pakti i Stabilitetit u bë logoja madhore e tyre viteve. Është e pamundur të tregohen takimet e panumurta që kërkonte si gjithkush në rajon dhe Tirana zyrtare e çdo niveli me ish Koordinatorin Special, gjermanin Bodo Hombach në Bruksel ku kishte selinë. Po aq të shumta ishin takimet, samitet dhe konferencat në Bruksel, Berlin, Selanik, Paris, Romë dhe gjetkë.
Mirëpo, pas disa vitesh, Pakti praktikisht dështoi, për faj të BE-së dhe lidershipeve të rajonit. Difekti më i madh ishte se në vend që të përfitohej nga fryma dhe korniza politike e këtij forumi madhor të bashkëpunimit rajonal, Pakti u konsiderua gabimisht si «shi jeshil» dhe kopje e Planit Marshall. Praktikisht u lanë në hije tryezat mbi demokracinë dhe sigurinë dhe gjithçka u fokusua te ekonomia dhe fondet, si «luftë bërrylash» midis vendeve në rajon, që shkonin kudo me « lugë në brez» dhe kush e kush të rrëmbente « llokmën» më të madhe. Puna arriti deri aty sa dhe i ndjeri Gramoz Pashko u detyrua të jepte dorëheqjen si Koordinatori ynë qeveritar, mbasi ne demek mbetëm të fundit në projekte e fonde! Ndonëse, këto të fundit, ishin më shumë në letër, mbasi realizimi i tyre varej nga Banka Botërore, Banka Europiane e Investimeve, etj ; kësisoj, u krijuan mbikalime, të çara dhe krisje mes tyre që sa erdhën e u thelluan. Për pasojë, në vitin 2008 Pakti u mbyll dhe për të mos «e bërë me turp» e kthyen në Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ( RCC) tanimë me seli në Sarajevë, në kuadrin e « pronësimit» të këtij procesi nga vendet e rajonit. Pa nënvleftësuar rolin e RCC-së, ajo nuk mund të krahasohet me Paktin e Stabilitetit nga çdo anë që ta marrësh.
Së dyti, po më 1999, BE-ja lançoi strategjinë afat-gjatë të Procesit të Stabilizim – Asociimit për Ballkanin Perendimor. Një vlerësim i drejtë gjeopolitik, por që sërish, megjithë hapat, arritjet dhe rinovimin e saj këto dy vitet e fundit, nuk ka arritur të japë frytet e veta, duke krijuar goxha zhgënjime në rajon. Deri më sot, vetëm Kroacia është antarësuar më 2013, 7 vite më parë kanë filluar negociatat me Serbinë dhe Malin e Zi, të cilat që janë ndërprerë herë as here. Kosova dhe Bosnia janë ende larg, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë përkatësisht 16 dhe 7 vjet që presin « me sot dhe me nesër» çeljen e negociatave, pa garanci për zgjatjen e tyre, sidomos tani që Strategjia e re e Zgjerimit do na kalojë « në vrimë të gjilpërës»
Përvoja negative e viteve të fundit dhe brenda BE-së tregon qartë se as integrimi europian nuk është kurë magjike dhe garanci automatike për sukses, paqe, stabilitet e ca më pak demokraci në Ballkan. Shihni Bullgarinë e Rumaninë sa shumë « dhimbje koke» i kanë shkaktuar BE-së, shihni Shqipërinë që ka prodhuar shumë më tepër kriza dhe konflikte edhe pas vitit 2009, kur dorëzoi kërkesën zyrtare për antarësim në BE.
Por ka dhe më keq kur mendon se dhe tani, mbi 20 vjet pas konfliktit, Serbia ende nuk ka kërkuar ndjesë për krimet dhe ta njohë Kosovën, ajo vazhdon të nderojë kriminelët e genocidit serb, etj. Apo dhe marrëdhëniet Prishtinë – Tiranë me problematikën e njohur 13 vite pas pavarësimit të Kosovës. Kjo e fundit shquhet për zgjedhjet e shpeshta e të parakohshme, 6 në 13 vite, 3 në 16 muajt e fundit, por që deri tani vetëm sa e kanë vonuar zgjidhjen e halleve dhe telasheve të saj ; po, zgjedhjet janë « guri i themelit» veçse për të patur një « konak solid» duhen dhe 9 komponentët e tjerë të njohur demokratikë. Ndërsa nga Shqipëria pritet një fillim i ri cilësor më 25 Prill ;
Natyrisht këtu ka pjesën e vet të fajit dhe SHBA-të me BE-në që vitet e fundit janë lëkundur ndjeshëm midis stabilitetit dhe demokracisë. Sidomos Komisioni Europian, ndonëse ka premtuar të bëhet më shumë politik, ka mbetur ende « thesar fondesh» dhe kryesisht «Shënues» teknik me Raporte që nuk janë «as mish as peshk» Ndërsa Administrata Trump gaboi kur kërkonte me naivitet që «nyjet gordiane» politike rajonale t’i zgjidhte me mekanizma ekonomikë të çastit.
Së treti, me nismën e Kancelares Merkel, më 2014 u shpalos Procesi i Berlinit ,i mbështetur nga vende të mëdha dhe të rajonit. Nismë e vlerësuar, me shumë shpresa, hapa e arritje. E megjithatë, as ajo nuk ia ka dalë dot mbanë me objektivin themelor – krijimin dhe mbizotërimin e frymës afruese, pajtuese, bashkuese dhe integruese. Madje ka projekte, që në vend të afrimit dhe pajtimit janë kthyer në « mollë sherri» mes nesh, si « Mini- Schengeni, që u lançua si nismë me amballazh serb. Për pasojë, nga «urë lidhëse» ai u kthye në « mur ndarës» Derisa Samiti BE – Ballkan Perendimor në Sofje më 10 Nëntor 2020 e zëvendësoi atë me Tregun e Përbashkët dhe Zonën e Lirë Ekonomike Ballkanike.
Ka dhe difekte të tjera të njohura të BE-së dhe të SHBA-së. Përmendim njëanshmërinë e tyre ndaj Serbisë, duke e lënë atë të «livadhisë si t’i dojë qejfi në disa grazhde», prioritetin gjeopolitik për stabilitet dhe siguri në kurriz të demokracisë, etj. Këtu kanë rënë në sy për keq edhe klientilizmi qeveritar i ndonjë ambasadori të huaj, që i «bën fresk» liderëve në rajon e duke i etiketuar ata « burra shteti» dhe kur shfaqin prirje autoritariste; nuk do mend që ata inkurajohen dhe ia bëjnë « bam» me kriza të tjera dhe më të ashpra, duke injoruar shoqërinë civile, shtypin dhe median, etj.
Gjithashtu, përfaqësuesit e lartë diplomatikë të SHBA-/BE nuk ia kanë vendosur dot si më parë «kufirin te thana» liderëve qeveritarë në rajon, kur cënohen ose vihen në diskutim këto parime dhe konsensusi me opozitën ; siç ishte rasti i «Shtesës kushtetuese të 31 Korrikut ndaj Marrëveshjes së 5 Qershorit 2020 apo Projekt-ligji i medias për të cilin qeveria vazhdon të «ngulë këmbë si mushka».
Për ironi të fatit, BE kërkon shumë nga vendet antare, madje dhe nga Rusia e Kina, por çuditërisht nuk u thotë dot «STOP liderëve të Ballkanit kur shkelen parimet e shtetit të së drejtës!
Gjithsesi, le të jemi të sinqertë: shkaku kryesor i këtij dështimi të trefishtë është besimi i verbër dhe naiv te vendet e rajonit për «importimin» e zgjidhjeve nga të «mëdhenjtë». Mirëpo, edhe përvoja e 23 viteve të fundit tregon se sado të mira e tingëlluese të jenë strategjitë, fondet gjigande etj, ato dështojnë, nëse nuk impenjohet seriozisht politika e brendshme me të gjithë aktorët/faktorët përkatës e jo « prit të presim» Vërtet që nga jashtë vjen spuntoja, nxitja, mbështetja, por jo receta të gatshme, të cilat u takojnë qeverive. Madje, dhe «ingredientët» e tyre janë shfrytëzuar si «municion» propagandistik e justifikues nga qeveri dhe liderë me prirje populiste, duke « ia faturuar» dështimet BE-së dhe metropoleve të saj. Si politika jonë qeveritare me «dopjo gjashtën « e vaksinimit dhe mosçeljes së negociatave! Ndaj, nuk ka pse të ketë ngutje në rifillimin e dialogut me Beogradin, pa venë në rrugën e zgjidhjes sfidat e brendshme serioze, pa forcuar kohezionin politik të cilat do të konsolidojnë pozicionin e Kosovës në bisedimet me Beogradin. 10 vitet e dialogut vërtetojnë thënien e urtë « kur nxiton, vonon»
Për rrjedhojë, për një sukses të vërtetë e të qëndrueshëm në Ballkan, nuk ka më nevojë për programe dhe strategji të reja. Aq më tepër se tre vitet e fundit janë lançuar dy Strategji tërësore të BE-së për Rajonin, të shoqëruara me projekte dhe fonde të njohura mbresëlënëse. Ajo çka kërkohet tani më shumë se kurrë është përkushtimi dhe përgjegjësia e forcave politike, qeverisë dhe opozitës, shoqërisë civile, medias dhe grupeve të interesit për zbatimin e këtyre strategjive në kohë, natyrisht me përshtatjet e rastit.
Kjo dhe për faktin se ky proces është vështirësuar së tepërmi krahasuar me 20 vite më parë; janë shpenzuar kohë dhe energji pa kriter, ka plot zhgënjime, etj. Kujdes, megjithë rezervat dhe qëndrimet kritike ndaj tyre, Rusia dhe Kina nuk duhen kthyer në «gjethe fiku» për të mbuluar «gabimet dhe dështimet tona, «duke mbyllur njerin sy» e «duke bërë njerin vesh shurdh» ndaj tyre për hatër të gjeopolitikës. Ndryshe edhe strategjitë më të mira do të kthehen në dëshmi dështimesh, duke shërbyer më tepër si referenca teorike për doktoratura dhe master, por vetëm aq!
