Depozitat bankare rriten pothuajse sa dyfishi i kreditimit
Ashtu sic vetë sipërmarrja e ka paralajmëruar kreditimi për të ka rënë ndjeshëm nga bankat e nivelit të dytë. Një fakt i tillë publikohet dhe nga raporti më i fundit i Bankës Qëndrore. Në këtë raport cilësohet së përkundrejt rënies së kredisë depozitat janë rritur thujase dy herë më shumë se kreditimi. Kështu depozitat bankare në muajin tetor regjistruan një rritje të mëtejshme me 2.6 miliardë lekë. Sipas të dhënave zyrtare, sistemi bankar zotëronte në fund të tetorit afro 933 miliardë lekë depozita, me një rritje vjetore 7.6%. Ekonomia shqiptare vazhdon të theksojë një prirje drejt kursimit, që duket qartë nga krahasimi i normave të rritjes së kredisë dhe të depozitave. Me bazë vjetore, depozitat janë rritur pothuajse dy herë më shumë se kreditë, pavarësisht se depozitat rriten mbi një bazë shumë më të lartë, çka do të thotë se në vlerë absolute diferenca është më e madhe.
Në 12 muajt e fundit, kredia është rritur me vetëm 21 miliardë lekë, nërsa depozitat me 66 miliardë lekë, çka e ka bërë sistemin bankar gjithnjë e më likuid. Raporti mes kredive dhe depozitave ka zbritur më tej në 59.2%, nga 59.9% që ishte në fund të Shtatorit. Kjo tregon se fondet e lira për kreditim janë në rritje, por, sipas Bankës së Shqipërisë, kërkesa për kreditim është e ulët, ndërsa oferta e shtrënguar për shkak të rreziqeve në rritje që vijnë nga përkeqësimi i ekonomisë. “Në një masë të madhe, zhvillimet në kredi dhe në tregjet financiare reflektojnë hezitimin e individëve dhe të bizneseve për të ndërmarrë angazhime afatgjata”, u shpreh guvernatori Fullani në fillim të kësaj jave duke cilësuar se “megjithë rreziqet afatshkurtra të gjeneruara kryesisht nga mjedisi i jashtëm i ekonomisë, perspektiva afatmesme dhe afatgjatë e zhvillimit të vendit mbetet e shëndetshme. Konsumatori dhe biznesi shqiptar duhet të jenë më realistë në planet e tyre të zhvillimit dhe të adoptojnë një përqasje më pragmatiste drejt rritjes së konsumit dhe të investimeve aktuale”.
Megjithatë situata kredimarrje-kredidhënie mbetet problematike kryesisht kjo tek mundësia e kreditimit të sipërmarrjes. Bankat e nivelit të dytë operojnë me vështirësi në dhënien e kredive për sipërmarrjen me argumentin e tyre se nuk ka një plan konkret të investimit të parave që sigurojnë nga kredimarrja. Por përtej kësaj, biznesi detyrohet t’i drejtohet bankës për të shpëtuar nga falimenti, pasi ka një mungesë të theksuar të likujditetit në treg. Kjo i ka detyruar sipërmarrësit të pranojnë dhe kredi me kushte të rënda dhe po përpiqen gjithashtu të negociojnë me bankat e nivelit të dytë për të vendosur një partneritet të rij, meqenëse këto të fundit cilësohen si sipërmarrje të shëndetshme në treg.