Në gjysmën e parë të vitit shihet një rënie e tregut të sigurimeve për shkak të luhatjeve të çmimeve të sigurimit të detyrueshëm motorik. Kështu të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-qershor 2013 arritën rreth 3,949 milionë lekë, ose 2.45 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2012. Shkaku kryesor i kësaj rritje të ulët është luhatja e fortë e tarifave të sigurimit të detyrueshëm motorik ( kryesish TPL-së) të cilat vetëm pak ditë më parë u rritën në vlerën rreth 14.000 lekë. Sipas Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare gjatë periudhës janar-qershor 2013, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 453,288 me një ulje prej 3.49 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 87.52 për qind të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 11.90 për qind dhe veprimtarinë e Risigurimit me 0.58 për qind . Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 57.10 për qind dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 42.90 për qind të totalit të tregut. Gjatë periudhës janar-qershor të vitit 2013, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve arritën në mbi 1,367 milionë lekë, ose 8.93 për qind më pak se e njëjta periudhë e vitit 2012.