Pavarësisht përpjekjeve, që kulmuan me mbledhjet e përbashkëta të qeverive të dy vendeve, raportet ekonomike Shqipëri-Kosovë mbeten në vendnumëro. Për më tepër, eksportet tona drejt Kosovës ranë për herë të parë që nga 2009-a. Sipas INSTAT-it, në eksportet tona jashtë, Kosova zë vetëm 8% të tyre. Një peshë e përkeqësuar më tej gjatë vitit që sapo mbyllëm, ku pesha e tyre zbriti në gati 7%. Në fakt, të dhënat paraprake të 2013-s flasin për një stepje të tregtisë me Kosovën, pasi vëllimi tregtar (të dhënat zyrtare për 11 muaj) ishte njësoj sa një vit më parë, 21 miliardë lekë. Shifrat dëshmojnë se pengesat e qeverive japin efektin e tyre. Gjatë verës së vitit 2013, qeveria kosovare zhvendosi pikat e zhdoganimit të mallrave duke krijuar probleme për eksportuesit shqiptarë. Kostot e rritura bënë që eksporti i materialeve të ndërtimit (kryesisht tulla e tjegulla) të bllokohet pothuajse tërësisht. Vlerësohet të jetë pikërisht periudha e gushtit, e cila bëri që eksportet tona drejt Kosovës të zbresin për herë të parë që nga viti 2009. Sipas INSTAT, vlera e këtyre eksporteve ra 7%, ndërkohë që eksportet tona në total u rritën gati 16%. Në të njëjtën periudhë, importet nga Kosova shënuan rritje me 17%. Në total, tregtia jonë me Kosovën është sa vetëm 3.5 e totalit të shkëmbimeve tona tregtare me jashtë.