Sëmurë, në krevatë me rregim shtrati, në hall për të kaluar kohën, në ndihmë më vjen televizioni. Kam humbur pak nocionin e kohës, ditë natë, datat po e po, marrë telekomandën dhe pasi kam ndjekur për disa orë Big Brother e u mërzita me fjalorin e rrugës të pjestarve të zgjedhur me “kujdes”, kërkoj diçka më relaksuese. Televizorin e kam programuar në mënyrë automatike e stacionet janë sipas radhës që ka përcaktuar frekuenca e jo unë. “Neës 24” i pari në listë me emisionin e Artur Zhejit “360 gradë”, rreth tavolinës së rrumbullakët katër analist, nga dy për sejcilin krah politik duke diskutuar për politikën, aleancat para dhe pas zgjedhore.
Bënin hamendsime se kush do ti fitoj zgjedhjet, Rama apo Berisha, qe e ndershme lëvizja e Metës apo ftesa e Ramës. U nxehën gjakrat dhe ndërhyri Zheji duke thënë se emisionin e drejtoj unë. Jo thashë këtë punë e zgjidh unë dhe ndërrova stacion. Sipas radhës Tv Klan me “Opinionin” e famshëm të Blendi Fevziut i cili si gjithmon në këmbë e me shkop në dorë kishtë jo katër por gjashtë analist nga tre për çdo krah duke diskutuar po për politikën, aleancat para dhe pas zgjedhore. Bënin po të njëjtat hamendsime se kush do ti fitoj zgjedhjet, Rama apo Berisha, qe e ndershme lëvizja e Metës apo ftesa e Ramës. U nxehën dhe këtu gjakrat dhe ndërhyri Fevziu për të vendosur rregull, por askush nuk e dëgjonte dhe zgjidhja erdhi duke ndërprerë zallamahin me futjen e reklamave të cilat na ftonin të shkonim nga TEG. Jo në këtë orë se është shumë vonë, thash dhe ndërrova stacion.
Televizion e studio tjetër ku drejtonte emisionin Çim Peka, po gjashtë analist nga tre për çdo krah politik, po këtu balancën e prish vet Çimi se është “i djathtë”, duke diskutuar po për politikën, aleancat para dhe pas zgjedhore. Bënin po të njëjtat hamendsime se kush do ti fitoj zgjedhjet, Rama apo Berisha, qe e ndershme lëvizja e Metës apo ftesa e Ramës. Filluan dhe këtu më gjasme se po grindeshin, ndërhyri Çimi për të vendosur rregull, por dhe këtë nuk e dëgjonte njeri dhe zgjidhja erdhi duke ndërprerë zënkat me futjen e reklamave të cilat kësaj radhe nuk na ftonin të shkonim nga TEG, por të studionim në një universitet të mirë e të lirë.
Po të njëjtët analistë të shkëlqyer, ca me mjekra e ca të rruar, diku drejtues emisionesh e diku duke dhënë mendime e bërë analiza brilante, diku duke bërë pyetje e në studion tjetër duke dhënë përgjigje… E vetmja gjë që ndryshon është mobilimi e hapësira e studiove dhe radha e pyetjeve. Politikë, politikë, politikë sikur të gjithë merremi e ushqehemi me këtë të flamosur politikë se punë tjetër nuk bëjmë, se puna tjetër do mund dhe djersë, e ne nuk duam të djersitemi. Janë po të njëjtët analistë që janë të punësuar në disa televizione për të na thënë të njëjtat përgjigje të të njëjtave pyetje ku vetëm renditja e pyetjeve, përgjigjeve dhe momenti i grindjeve ndryshon.
Më mirë do të ishte që këta analistë deri nga qershori të qëndronin në një studio e të krijonin një gjë të ngjashëm me “Big Brother” por me temë të përcaktuar për politikën, le ta quajnë “Big Analisti” dhe të çlironin nga bajatizmi programacionet e tjera.
Dhe më në fund gjeta ngushllim tek BBF, ku patriotja ime, bukuroshja Silva Gunbardhi më thoshte “Të ka lali shpirt, të ka lali xhan” e më në fund u qetësova se dikush na ka xhan dhe mbylla sytë për gjumë…
Letër e nënshkruar: Aleksandër Çala