Bijtë e Gorës dhe kontributi i tyre në luftën për liri e pavarësi

Ornela

Prof. As. Dr. Agron Agolli

Krahina malore e Gorës në rrethin e Korçës, ka një pozicion të rëndësishëm mbi shpatullat e vargmaleve të juglindjes së vendit. E shtrirë gjeografikisht në  dy rrethe të Korçës e Pogradecit, mes dy krahinave të tjera të Mokrës dhe Oparit, ajo ka qënë një nyje lidhëse të viseve jugore me Ohrin e Manastirin, Selanikun dhe tërë Rumelinë e dikurshme.

Sistemi kodrinor-malor, në pjesën lindore të saj, bie ëmbël në pjesën perëndimore të pellgut të Korçës dhe fushës së Maliqit, duke siguruar lidhjen shekullore të kësaj treve me Sulovën, Gramshin, Elbasanin dhe thellësitë strategjike të vendit, nëpërmjet grykës së lumit Devoll. E njohur për kulturën dhe qytetërimin e hershëm të Voskopojës  së Theodhor  Kavaliotit, Grigor Voskopojarit, Mihal Gorës  e Maliqit,  që përbëjnë ornamentet e   rralla historiko-kulturore të saj dhe falë veçorive fiziko-gjeografike, krahina e Gorës është shquar për traditat atdhetare e patriotike, për njerëz luftarak, të besës e bujarisë. Natyra kodrinoro-malore, me burime të pasura ujore, me frutikulturë të shumllojtë  e kushte të mira për mbarështrimin e blegtorisë, kanë nxitur lakminë e të huajve për ta shkelur dhe sunduar atë. Kështu në mes të lindjes e perëndimit, veriut dhe jugut të kësaj treve të rëndësishme dhe nga dëshira për të qënë zot në vendin e tyre, bijtë e Gorës kanë luftuar kundër çdo pushtuesi të huaj e padrejtësie të bërë ndaj vendit. Historiografia tregon se krahinës së Gorës, kur e ka dashur nevoja dhe e ka kërkuar koha, nuk i kanë munguar as trimat e as njerzit e mençur. Njihen figurat e luftëtarëve të hershëm për liri e pavarësi nga Porta e lartë, Suli i Starovës dhe Bendo Shapërdani, nga rrethinat e Pogradecit, të cilët prinë kryengritjet popullore të malësorëve të Gorës e të Mokrës qysh në vitet 1780. Aq shqetësuese ishin bërë për administratën turke, rezistenca dhe qëndresa e Kazasë së Starovës dhe luftëtarëve  të saj, sa ajo nuk kurseu të dërgojë kundër tyre dhjetra ekspedita ndëshkuese, apo ushtri me qerre e topa si ajo e drejtuar nga Ahmet pasha i Ohrit  për ta bërë shkrumb e hi këtë krahinë. Edhe pse shëmbi kalatë e Sulit, edhe pse vrau në pritë kapedan Bendon, nuk arriti dot të shtyp qëndresën e malësorëve të Gorës, Mokrës e Oparit në luftën për liri e pavarësi, çlirim kombëtar e shoqëror. Pashallarët, me taborret e tyre të mundura, tek largoheshin kokëulur e pa zulm thellë Rumelisë, linin pas ofshamën e disfatës e të mllefit, të cilën e ka ruajtur koha deri sot:

U shëmbç ti moj Kamje/U shëmbç, moj Lenie

Gjysëm hëna ime/Këtu s’bën dot hije..!

Por populli e shkroi me këngë historinë e Sulit të Starovës dhe “Divit të Malit të Thatë”, siç e quan shkrimtari i mirënjohur Sterio Spase kapedan Bendo Shapërdanin:

More Bendo Shapërdani/Në Stamboll të vate name

Kapedan Bendua, nga ana e tij e nderonte dhe e çmonte sundimtarin shqiptar të Kazasë së Starovës, i cili kishte kohë që nuk u bindej pashait të Sanxhakut e Selanikut si dhe  valiut të Manastirit. Kush hynte në dyfek me Bendo Shapërdanin, nuk delte dot i gjallë, thotë Besim Shyti tek libri “Gora dhe bijtë e saj”, vëllimi 2.  Sa  bylykë e jeniçerë mbetën grykave  dhe pritave  se i priste jatagani i Bendos e Sulit para se të futeshin në limeret e famshme të Galiçecës.  Rrugët e Ohrit dhe të Manastirit qenë të rendësishme për Konstandinopojën, prandaj ajo  me luftë e me dredhi, do të bënte çmos që t’i mbante të hapura për jeniçerët, halldupët, bimbashët e afijet e  saj. Edhe prita e ngritur kundër Bendo Shapërdanit, në afërsi të gurit të Kamjes është pjesë e kësaj djallëzie dhe pazarllëqeve me kunetërit e tij sllavë  për të eleminuar “zërin kryengritës” dhe sunduar më lehtë këto krahina.

Atje tej te Gurt’ e Gjetë/Lufton Bendua vet i  dhjetë

Qaj moj Peshkëpi e shkretë..!

Shapërdani tha një fjalë/“Të kish qënë Suli në jetë

Nuk vdisja në Gurt’ e gjetë”..!

(Kështu e quante Thimi Mitko Gurin e Kamjes, këtë vaporr që lundron mbi një “Det të blertë” 100 m i gjatë, 80 m i gjërë, 70 m i lartë dhe 1461 m mbi nivelin e detit që formën ja ka dhënë erozioni i shekujve)

Të ndodhura kurdoherë në frontin antiosman, krahinat e Gorës, Mokrës dhe Oparit, nxorrën nga gjiri i tyre të tjerë trima kapedanë, të cilët do të bëheshin një zë i fuqishëm i çështjes së pavarësisë kombëtare. Ata do të prinin rezistencën dhe qëndresë antagoniste kundër sulltanatit i cili ushtronte dhunë ushtarake, shtypte popullsinë e shfrytëzonte pasuritë natyrore të  tyre. Natyrisht lufta,  kundër otomanëve dhe veglave  në shërbim të tyre,  do të rritej e merrte forma  e tipare të reja gjatë viteve 30-70 të shekullit XIX-të. E tillë vjen ajo edhe në revoltat e banorëve të këtyre trevave malore. Studjuesi i apasionuar, Mexhit Kokalari, në librin e tij “Bijtë e shpatës shqiptare”, ndalet dhe vlerëson një prej kaçakëve, komitëve dhe kapedanëve më në zë të kësaj ane, Shahin Matrakun. “Shahini ishte luftëtar i sprovuar i luftës së çetave, dallohej për manovrimet e shpejta dhe për maskimin që u bënte luftëtarëve për të çarë rrethimin. Shquhej për sulmet e befasishme që u bënte pushtuesve të udhëhequr nga rrenegatët e vendit”. Duke u ballafaquar me shumë shkrime e gojdhëna për të, le të shtojmë  diçka nga jeta dhe veprimtaria e këtij trimi, e të themi kush ishte Shain Matraku. I lindur afërsisht në vitin 1835, në lagjen e “Kroit” nga fisi “matraku” i cili  banonte në fshatin Popçisht, atje në të djathtë të rrjedhjes së lumit Devoll dhe rrugës lozhan-Gramsh, një vend administrativisht me Oparin, por që historikisht  të gjitha lidhjet shoqërore, ekonomike  e kulturore  i ka patur me qëndrën e Gorës, Lozhanin e Ri (Barangat e dikurshme), Maliqin e Korçën.Fshati i lindjes shquhet dhe respektohet nga të gjithë për atdhedashurinë e treguar në çdo kohë, për ndjenjat e patriotizmit dhe të trimërisë, cilësi këto të transmetuara brez pas brezi tek njerëzit e kësaj krahine, të cilët gjithmonë kanë ditur të rrjeshtohen në të mirën e vendit. Arësyet pse kishte dalë malit e ishte bërë kaçak Shahin Matraku, i tregon mjaft mirë  Gjerasim Qirjazi në librin “Pengu i Kaçakëve”, pjesa e dytë “Netët e para me kaçakët”, ku duke perifrazuar Shahin thotë: ”Varfëria e madhe e kishte mbushur kupën e zemërimit  ndaj punonjësve të qeverisë dhe e kishte shtërnguar të merrte malin. Ato pak gjëra që ia kishte lënë i ati, shkuan për të larë borxhet.Pa kaluar gjatë, hasmët ishin shtuar dhe atij i ishte dashur të merrte malet”. Por i kthyer nga peripecitë ballkanike( burgun prej 5 vjetësh në Greqi, pasi refuzoi të shkonte nizam e linte eshtrat në shkretëtirat e Anadollit, dërgimin në luftë kundër Bullgarisë, si shtet vasal i perandorisë),  rreth vitit 1860, proferoi të mbetej firar, të fshihej shpellave dhe guvave dhe të bënte jetën e vështirë të kaçakut.Duke u njohur me të tjerë të cilët ndoshta për arësye të tjera kishin dalë malit, Shahin Matraku, rreth viteve 1860-1865,  krijoi çetën e Kaçakëve, e cila sipas tregimeve të Qiriazit tek “Pengu i Kaçakëve”, numëronte fillimisht rreth 27 vetë. Por me kapjen rob të Gjerasimit, largohen Veseli dhe Hyseni, duke e lënë çetën e kapedan Shahinit  vetëm me 25 kaçakë. Dhe le ta themi se pas çfaqjes së Shahinit dhe lindjes së fenomenit të kaçakërisë, në kuptimin e mirë të fjalës, Gora u bë gradualisht strehë dhe fole e kaçakëve të të gjitha trevave, duke e shndrruar në një shkollë kaçakësh nga e cila kanë dalë prijsa e kapedanë të tjerë në vite si Kajo Babjeni, Ismail Dërdusha, Malkë Zvarishti, Hysen Pirgu etj.  Kapedan Shahin Matraku nuk ka lënë trashëgimtarë dhe pasardhës të drejtpërdrejtë të familjes së tij, por vetëm të afërm. Shahini ka patur një motër të martuar në Popçisht me emrin Dudë, e cila thonë se ka kryer edhe varrimin e  Shahinit pas vrasjes në teqene e Vrëpckës, varr që  nuk i dihet vendndodhja e vërtetë edhe sot e kësaj dite. Dhe poeti e ka shprehur në vargjet e baladës së tij këtë fakt shumë prekës që çudi si mbeti në shekuj pa përgjigje edhe pse është shkruar e folur gjatë për të:

Pashë gjithkund e dot s’e gjeta/Varrin tënd ndër ato shkrepa

Herë si fllad  më vjen korijes/ Herë  veri  që fryn   Lenies.

Herë më këmbë, e herë mbi kalë/Herë si plak e herë si djal

Krismë e pushkës së vatanit/Shkëmb i bardhë i Dobërçanit.(Nga poema “Djepi që përkundi Këngën”)

Me dhimbje e përcolli populli i Gorës dhe Oparit vdekjen e këtij kapedani që nuk iu nënështrua kurrë sulltanit, brengë e cila gjeti shprehjen edhe në vargjet që i rezistuan kohës:  Malet e Gorës vajtojnë/Shahin Matrakun kërkojnë/ Ç’u bëre Shahin, o djalë/Gorë, Mokër e Opar/ Dil, o dil në je i gjallë…

Shtëpinë e së motrës e ka ndërtuar vetë Shahini, e ka përdorur si bazë të çetës së tij dhe tregojnë se deri von ajo ka qënë monument kulture. Tre morat e tjera të Shahinit kanë qënë të martuara në fshatrat, Babjen, Gribec dhe Dërdushë dhe kanë dërguar në Çetën e Shahinit nga një djalë.Ai vërtetë quhej oparak, por në çetën e tij kishte mjaftë gorarë pa përmendur këtu Kajo Babjenin dhe Hodo Gribecin që ishin nipërit e tij po edhe stërnipin Ismail Derdusha i cili e kishte Shahinin dajon e nënës.Kjo ishte edhe një nga arësyet e forta që një pjesë e madhe e veprimtarisë së Çetës së Shahin Matrakut është kryer në Gorën e Sipërme, përfshi Lenijen, Gurin e Kamjes, Llëngën e Mokrës, përveç bazave të përhershme që ai kishte në  pyjet afër vendlindjes së tij si në Gavlisht, në krah të fshatit Gjinikas, në pyllin e Bakullit, pranë Osojës e që lidhet me Voskopojën.

“Tek  kisha majë Gavlishtit

Lufton Shahini i Popçishtit”

Çeta me lëvizjet e saj dhe goditjet  që u jepte karvaneve turke, por edhe të ekspeditave që administrata osmane dërgonte  herëpashere kundër saj, u bë e njohur në të gjitha trevat ku qarkullonte dhe vepronte. Gora, Opari dhe Mokra, thekson Besim Shyti tek libri “Gora dhe bijtë e saj”, ishin limeret e përherëshme, ku ajo strehohej sidomos kur ndiqej prej koshadheve turke, kurse në viset e tjera paraqitej për të bërë ndonjë goditje  apo rrëmbyer ndonjë pasuri. Thuhet se trevat ku Çeta e kaçakëve të Shahin Matrakut shkonte më rrallë, ishin Devolli, Kolonja e Skrapari. Çeta ka zhvilluar përleshje me pushtuesit turq në Pëllumbas,Qafë të Gavlishtit, Voskopojë, Marjan, Prespë, e Malin e Thatë. Vendi ku Shahini qëndronte më gjatë ishte Voskopoja e intelektualëve të shquar e cila përbënte edhe një ndër qëndrat më të rendësishme ekonomike e kulturore të Perandorisë Osmane, një ndër nyjet më të rëndësishme të asaj periudhe, e cila njihej nga Shahini dhe kishte lënë gjurmë në formimin e tij për t’u mbrojtur e orientuar në ato kohra të turbullta e të mbushura me dredhi.Shahini ishte i kudondodhur, dëgjohej e nderohej nga fshatarët e thjeshtë e të tjerë kudo në Gorë, Mokër e Opar.

Afër Llëngës, është edhe sot  një shpellë me emrin “Shpella e Shahin Matrakut”, ku ai kishte strehuar dikur edhe djaloshin Gjerasim Qirjazi, të zënë peng më 12 Nëntor 1884 në Grykën e Lajthizës, pothuaj një gjysëm ore larg nga Qafa e Zvezdës, pranë Liqenit të Prespës, kësaj pasqyre të praruar në mes të maleve.   Thuhet se në vitin 1887 Çeta e Shahinit i zuri pritë një ekspedite turke në Voskopojë dhe i liroi tre vajzat që ata i kishin rrëmbyer për haremet e pashallarëve.

Brenda Voskopojë, dy martina ranë/Bën dyfek Shahini me dyqind nizamë

Ju sosën fyshekët, forra jataganë/Kapedan Shahini, kapedan me pallë.

Njëra nga këto ishte vajza e priftit të Osojës, Silja e bukur e cila ra në dashuri me kapedanin e maleve dhe thonë se shkoi pas tij, duke përbërë edhe rastin e parë të një gruaje shqiptare që del malit me të dashurin e saj kaçak. Ja si e ka vlerësuar vetë  Silja këtë fenomen në atë kohë:

Do ta prish shtëpinë, do ta bëj lëndinë/Do vete në Korçë të ble një martinë

Do të shkoj moj Dado, në mal me Shahinë.

Dhe më poshtë ja si e ka ruajtur kënga popullore ndjenjën e dashurisë së vajzë së friftit të Osojës, Siles së bukur, për  kapedan Shahinin i cili, veç armëve të luftëtarit, mbante edhe një gunë të  dhirtë mbi kurriz dhe kishte një  mjekërr të dëndur si drizë.

Merrëm Shahin, merrëm, merrëm mos më ndaj/ Rri, moj Sile rri se unë jam firar..!

Merrëm, Shahin merrëm se jam fukara/Në daç me kurorë, në daç me nigja

Hajde Shahin, hajde që sot ta pjekim/ Rri, moj Sile rri se mua më ndjekin…!

Luftime të ashpra thonë se çeta e Shahin Matrakut ka zhvilluar edhe në afërsi të fshatrave Gribec e Dërdushë  të  Gorës së Sipërme, ku u rrethuan nga forcat ushtarake turke, pasi  ishin spiunuar  nga disa shqiptarë të shitur e në shërbim të Turqisë  që e njihnin terrenin dhe njerëzit e kapedanit. Por kapedan Shahini dhe çeta e tij diti ta çajë edhe këtë rrethim të vështirë duke lënë të vrarë koshadhet dhe kallauzët që informuan turqit për vendqëndrimin e tij. Ja si e tregon kënga luftimin në fshatin Marjan:

Ky Marjan i shkretë, mbushur  plot  nizamë/Bini moj muzika, bini në të qarë.

Lufton me Shahinin, kushëriri i parë/ Nga dritare shkëmbit dy martina ranë

 

Më shumë kontakte kishte filluar të mbante Shahini me njerëz të profesioneve e shtresave të ndryshme, ishte futur më në thellësi të halleve të njerëzve të thjeshtë të malit e të fushës, tregonte më shumë kujdes për ta e të mos harroheshin shqetësimet e tyre, bile urdhëronte vartësit që të mbanin edhe shënime për ndjekjen e tyre. Por le ta themi e të pohojmë të vërtetën e formimit të këtij kapedani ( të cilin shpesh edhe e kontestonin për sjelljet e ashpra),  se tani përveç  martinës  mbante në trajstën e tij të shajaktë, apo në brez e gji, edhe letër e laps, gjë e cila i kishte rënë në sy edhe   Gjerasim Qirjazit kur në një moment tek “Pengu i kaçakëve”, kreu parë “Kapja e robit” fq.29 thotë: “Shahini nxori një kalem nga brezi dhe një copë kartë nga gjiri”.

Një tjetër përleshje  bëri çeta e Shahin Matrakut në rrëzë të Malit të Thatë pranë Podgories, ku për të çarë rrethimin, treguan trimëri të rrallë Hilmi Kalemaj e Dike Kapedani, ku Dikja mbeti i vrarë në fushën e betejës:

            Në malin e Thatë një tabor nizamë/ Dike Kapedani na mbeti i vrarë

 

Jeta e vështirë e malit, si kaçak, komit e kapedan  edukoi e kaliti tek ai tiparet e malsorit të fortë, trim, dinak e të vendosur kundër pushtuesve e bashkëpunëtorëve të tyre, por edhe respektin e dashurinë edhe për njerzit e thjeshtë që e mbrojtën e strehuan dhe e ushqyen çetën e tij. Ishin hallet e popullit, padrejtësia që u bëhej, skamja dhe varfëria, të cilat e detyronin Shahinin të sulmonte karvanet e tua shpërndante të vafërve prenë e rrëmbyer. Në shënjestrën e Çetës së Shahin Matrakut viheshin shpesh edhe afendikojtë, tregëtarët e feudalët që ishin vënë në shërbim të të huajit. Shahini shpesh i merrte në mbrojtje të pasurit që e ndihmonin me të holla për të mbajtur çetën dhe vazhduar goditjet kundër ekspeditave turke që patrullonin ngado për të kapur kapedanin e pabindur. Gradualisht Shahini  u bë më i ditur e më i mençur, më shpirtgjërë, më i drejtë e më njerëzor duke kërkuar nga të gjithë kaçakët rregull e disiplinë. Kjo rriti karakterin popullor të veprimtarisë së këtij kapedani në tërë  territorin e Korçës.  Duke dhënë kontributin e  e veçantë si në  etapën e parë të rilindjes Kombëtare ashtu edhe  pas saj. Ndjenjën atdhetare të këtij kapedani e shohim në  mbështetjen që i  bëri  Gjerasim Qirjazit, kur mori vesh dhe u bind se ai nuk ishte as  tregëtar e as i kamun, por vetëm atdhetar e që mbrojti e mbështeti hapur shkollën e vashave në Korçë. Qëndrim burrëror e pjekuri atdhetare është edhe moment, i të kërkuarit ndjesë për të keqen që i kishte  bërë duke e mbajtur peng për 6 muaj  në çetën e tij (13 Nëntor 1884-28 Prill 1885). Shumë kuptimplote është betimi i tij para Gjerasimit se do të jem “Roje besnike e shkollës tënde”, edhe nëse nuk të ka qejf as mytesarifi turk e sa kisha greke, fjalë të cilën e mbajti së bashku me Kajo Babjenin deri në fund.Ja si e ka skalitur poeti i mirënjohur Gorar Koçi Petriti këtë veprim atdhetar të Shahin Matrakut, tek poezia e bukur liriko-baladike me titull “Shahin Matraku”:

Gur mbi gur me gur gjaku/Shkollla e Vashavet u ngrit/

Po ç’kërkon Shahin Matraku/Ç’bën këtu dhe ky komit?

Rri ai në prag të shkollës/Rri mbështetur mbi dyfek/

Nën opingë e ngrënë e shollës/Si thëngjill për udhë e djeg.

Fisnik u tregua Shahini edhe në vitiv 1888, kur lavdaraku Spiro Xega i dorëzoi flamurin kuq e zi, të cilin ia kishin dërguar atdhetarët Orhan Pojani e Jovan Kiço Kosturi. Thirrjet e Shahinit “Lart e më lartë flamuri ynë”, do të shërbenin si një  mesazh atdhetar e patriotik që pasardhësit e tij ta ngrinin flamurin kombëtar në krahinën e Gorës, tek Guri i Kamjes, para shpalljes së Pavarësisë nga plaku i Vlorës Ismail Qemali qysh më 28 Korrik të vitit 1912.   Natyrisht që ka patur edhe tepërime në veprimtarine e kësaj çete apo edhe të vetë Shahinit, por të mos harrojmë kohën në të cilën veproi ajo, jetën e mjeruar të fshatarësisë së Gorë-Oparit dhe nga ana tjetër nevojën për të mbijetuar e bërë ballë veprimeve djallëzore të fqinjëve shovenë, trysnive e ndjekjeve të shumta të Portës së Lartë për ta eleminuar këtë çetë e për ta shuar këtë zjarr në pjesën ballkanike dhe perëndimore të Perandorisë Osmane.

Shko Pasha zhduke kaçakun/Me rrënjë e me farë

Në s’bindet veri dajakun/Vare në litar.

 

Nuk e zinte gjumi sulltanin, Konstandinopoja stërviste e mbante afije e kallauz, premtonte grada e ofiqe nga më të ndryshmet, paguante edhe flori për këdo që do të kapte gjallë komitin apo çonte kokën e tij në stamboll, por e pati të vështirë pasi,

S’blihej Shahua me flori/Lajka e të lutur

Kishte vetëm një kalë dori/Dhe Silen e Bukur.

Por kur kapedan Shahini e kishte rritur akoma më shumë ndikimin e tij atdhetar e patriotik në treven e Korçës, kishte organizuar e forcuar më mirë çetën, kishte stërvitur e përgatitur në shkollën e tij të kaçakërisë e të luftës kundër sulltanatit një sërë trimash gorarë, oparakë  e mokrarë, pas Tun Kokoneshit, përsëri e zgjati dorën e tradhëtisë e të pabesisë Porta e Lartë nëpërmjet shërbëtorëve  e të shiturve. Se sa “zëmërmirë” ishte bërë Turqia, sesa “sinqeritet” kishte në premtimet e saj se gjoja do të falte Shahinin, veç të hiqte dorë nga qëndresa dhe lufta, e tregoi dimri i vitit 1900 në Teqenë e Vrëpckës, ku në vend të ”darkës miqësore”, e prenë në besë dhe e azgjësuan fizikisht kapedanin. Bile ka thënie që tradhëtari me emrin Muharrem nga zona e Devolliti, që kishte rrethua para kohe Teqenë me ushtarët turq,i prenë edhe kokën dhe e morën për ta çuar në Stamboll. Popullsia e krahinave e priti me indinjatë këtë fund tragjik të vrasjes së Shahinit dhe e kujtoi gjatë me dhëmbshuri, kapedanin e saj, një nga bijtë e dëgjuar të qëndresës shqiptare. Ai ra pre e tradhëtisë dhe i mbylli sytë si trim, dukë lënë një emër të mirë dhe shpirtin  liridashës. Shkrimtari ynë  i madh, kryemjeshtri i fjalës poetike, politikani dhe mëmëdhetari i shquar  Dritëro Agolli, e çmon si tepër dinjitoze një vdekje të tillë si ajo e Shahin Matrakut  kur shkruan:

Ndodh të kem pak gjumë e të gremisem/Mbi një shkëmb si cub e si kaçak

Po si presh i zier nuk zvarrisem/Vdes diku si një Shahin matrak..

 

Por atë që  e lanë mangut  poetët e shkrimtarët gorarë, oparakë e të tjerë, për jeten dhe veprën atdhetare e patriotike të Shahin Matrakut, (natyrisht sipas vizionit të tij për kohën që e punoi), e sjell në jetë tablloja e mirënjohur e piktorit të talentuar  Spiro Xega, kompozuar me temën: “Çeta e Shahin Matrakut”  e vitit 1930. Ashtu sikundër shprehet edhe studjuesi i artit,  Dr. Gëzim Qëndro, në studimin “Heronjtë janë  të uritur”, një vepër e tillë ku artisti përpiqet “Të  bëjë portretin historik të mikut të tij më të mirë, njeriut të shekullit të XIX-të”, na  bind plotësisht se piktori  i lindur në  Lavdar të Oparit (zonë  e veprimit të çetës), e njihte personalisht kapedanin dhe çetën e tij, ose kishte informacion të hollësishëm  për jetën e tyre. Edhe peizazhi  ku është vendosur  skena e kompozimit afrohet më shumë me pyllin e Bakullit, pranë Osojës dhe vendlindjes së piktorit. Kur flasim për Shahin Matrakun, na vjen mirë ta përmendim atë fakt të fortë që Dr. Qëndro  nënvizon se “guna mbi të cilën ulej kryetari i çetës ishte po aq e shënjtë sa  froni  i mbretit”.(Gazeta Shqiptare e diel 8 Korrik 2012).Ja pra pse  edhe Mevlud Matraku, me plot të drejtë, e quan Shahinin  “Njëri  nga  bijtë  e shpatës shqiptare”.

 

Në vargun e kaçakëve, komitëve dhe kapedanëve, një vend të rëndësishëm, ze edhe figura e Kajo Babjenit.   Kajua është një nga bijtë e Gorës që ka bërë  emër, ka lënë mbresa të pashlyeshme tek bashkohësit e tij,  dhe në historiografinë e trevës së Korçës.Duke patur përvojën dhe eksperiencën e pasur luftarake e atdhetare të Kapedan Shahinit, dashamirësinë dhe respektin e luftëtarëve të tjerë të  Gorë-Oparit,  ai u vu në krye të kësaj çete menjëherë pas vrasjes së Shahinit. Tipar dallues për këtë kapedan, është fakti se populli fukara e dëgjonte e mbështeste dhe e çmonte, pasi edhe ai tërë jetën ja kushtoi popullit fukara.Por sa zëmërgjërë dhe shpirtmirë që ishte me të vafërit, aq i rreptë dhe i vendosur ishte  Kapedan Kajua me ata që shtypnin e ripnin me tatime  e detyrime të tjera fshatarët apo i shërbenin Turqisë e sundimtarëve të tjerë.

Veprimtarinë e mirëfilltë patriotike e atdhetare, në mbrojtje të atdheut, popullit dhe pasurisë së tij, Kapedan Kajo Babjeni e ka filluar mbas kantakteve që pati me  patriotin Themistokli Gërmenji,  në pranverën e vitit 1906, kur edhe dha fjalën e vendosi se do të bëhej pjesë e luftës së armatosur për pavarësi e çlirim kombëtar. Dhe le të kujtojmë këtu fjalën burrërore dhe lapidare të këtij kapedani Gorar që i   tha   Themistokliut: ”Për liri kemi dalë këtyre maleve. Për lirinë e Atdheut jemi gati.Mjafton të na dërgoni një lajmërim dhe ditën apo natën na keni atje ku duhet”. Falë autoritetit dhe burrërisë që kishte, Kajua bëri me vete edhe kapedanë e çeta të tjera të krahinës  si Ismail Dërdushën, Malkë Zvarishtin e Hysen Pirgu, të cilët u bënë krahu më besnik dhe forca kryesore e  armatosur e Rilindjes Kombëtare në  qarkun e Korçës, përkrah çetave të tjera të krijuara pas Komitetit të Fshehtë të Manastirit “Për Lirinë e Shqipërisë”, si ajo e Themistokli Gërmenjit,Spiro Bellkamenit, Çerciz Topullit,Qamil Panaritit e Sali Butkës. Përcaktimi i kapedan Kajos si luftëtar i lirisë së atdheut,jo vetëm  për të penguar koshadhet turke të futeshin në thellësi të krahinave të Gorës e Mokrës, por duke goditur edhe dislokimet  e forcave turke kudo që ndodhesin. Në periudhën e kapedan Kajos, e sidomos pas takimit të parë të tij me Çerciz Topullin në fshatin Goçë të Gorës, lëvizja patriotike njohu rritje dhe organizime të një niveli më të lartë dhe më të theksuar atdhetar. Patrioti i shquar Bajo Topulli, i pranishëm në takim i thotë: “Kam dëgjuar për trimëritë e tua, për shpirtin tënd të madh, tani po të shoh me sytë e mij o shqiponjë e Gorës trime”. Lidhja dhe uniteti i çetave të krahinës së Gorës me çetat e tjera të qarkut të Korçës, u bë më i dukshëm veçanrisht pas takimit të dytë të Zbogjit, në vjeshtën e vitit 1907, që mori edhe emrin “Kuvendi i Zboqit”, me pjesëmarrjen e Kajo Babjenit, Spiro  Ballkamenit, Ismail Dërdushës, Çerçiz Topullit e Qamil Panaritit. Gorarët, me Kajon në krye të 600 burrave të armatosur, e ngriten flamurin kuq e zi tek Guri i Kamjes qysh më 28 korrik të vitit 1912, kur u sulën si uragan e çliruan Pogradecin nga sundimtarët turq.Ja si e përshkruan shkrimtari Haki Balliu këtë ngjarje tek libri “Brikena e Pelionit”: “Ai ishte më plaku nga të gjithë, më i gjati ndër të gjithë. Me kapelen mbi flokët e thinjura, me mjekrrën gjer në gjoks, me fustanellën bojëhiri. Me pushkën në sup dhe gjerdanin plot me fyshekë, dukej si një shkëmb i gdhëndur ndër luftra”. Veprimet e përbashkëta shtuan fuqinë goditëse të luftëtarëve dhe i dhanë qëndresës së organizuar antiosmane karakterin e një kryengritjeje të përgjithëshme si ajo e vitit 1912, kur nga Frashëri i Përmetit, e detyruan administratën osmane që t’i lejonte të futeshin kryengritësit triumfalisht në Korçë në gusht 1912.Duhet thënë se kur u futën në Korçë, çeta e Kapedan Kajos radhitej e treta  pas asaj të Spiro Bellkamenit dhe Sali Butkës.Në  ditën e shpalljes së pavarësisë, thonë se trimi i Gorës me uniformën dhe armët e tij tek brezi, përfaqësoi tërë krahinë në qytetin historik të Vlorës, duke i qëndruar në krah plakut të mençur Ismail Bej Vlorës. Emri dhe bëmat e këtij kapedani, dallohen sidomos pas shpalljes së pavarësisë, kundër fqinjëve shovenë, grekë e sërbosllave, të cilët iu sulën shtetit të ri shqiptar për ta coptuar si ujqër të uritur.  Në këtë kohë dhe që e desh vatani, kapedan Kajo Babjeni me çetën e tij u vu në dispozicion të shtetit të ri shqiptar, si një forcë vullnetare, e organizuar dhe mjaftë e gatshme. Kjo është arësyeja që mjaftë historian thonë me të drejtë se Kajua e shpëtoi Korçën nga grekët. Sektorin më të vështirë mbrojti kapedani në çlirimin e qytetit, krah Themistokliut dhe Abdyl Ypit.Me thirrjen e këtij trimi Gorar: ”Djema, këtu është nderi i Shqipërisë dhe i familjeve tona. Hi do të bëhemi dhe Korçën s’ja lëmë grekut”, trimat gorarë u sulën mbi pushtuesit andard duke vrarë edhe Mavraxhaun e tyre kapiten.Shkëlqeu  burrëria gorare dhe oshëtiu pushka e luftëtarëve të çetës së Kapedan Kajo Babjenit edhe në Arrës, Qarr, Nikolicë, Maliq e Leshnicë, ku kishte në karah Malkë Zvarishtin, Jashar Starovën, Qamil Panaritin,Hajdar Starovën e Hysen Pirgun. Dhe e perjetoi në vargje poeti këtë trimëri të legjendës së Gorës:

“Kapedan o Kajo, kapedan me pallë/Tek korije e Pirgut, të zunë zagarë.

Kapedan o Kajo, kapedan me pallë/Muftara bimbashi të vrau çobanë..

Kapedan Kajua e mbrojti shtetin deri në fund të jetës së tij, por shteti nuk i bëri vlerësimin e duhur këtij trimi, të cilin  populli e ka ruajtur në këngë, në shpirt e në zëmë deri më sot.

Ja sa bukur e zbërthen shpirtin e ndjeshëm të këtij kapedani në çastet e fundit të jetës së tij atje në fshatin e lindjes në Babjen të Gorës së Sipërme, poeti i talentuar Koçi Petriti:

 Dhe u mblodhën gjithë gorarët/Kokë më kokë që nga larg

Mjekra e bardhë e Kajos krihej/Porsi mjergull mbi jatak.

Në vërtet kam qënë trim/Po s’kam qënë për fukarenj

Le të shuhet varri im/Gërryer nga njëqind përrenj.

Edhe poeti e studjuesi i vjetër Gorar, Besim Shyti, në baladën e tij “Këngë për Kajo Babjenin”, përshkruan fshatin e tij të lindjes, natyrën shkëmbore të tij dhe ndikimin që pati tradita luftarake e njerëzve të kësaj ane në formimin e hershëm atdhetar e patriotik të kapedanit të Gorëse:

Mbi Devoll shtrihet Babjeni/Shkoni shihni se e gjeni…

Se lindi një trim, një burrë/Një yll që s’do shuhet kurrë.

Që iu hodh hordhisë së sërbit/Si shqipja nga majë e shkëmbit.

Dhe këtë njeri që i dha Gorës lavdinë, që i solli krahinës emër, në se mposhti lufta e beteja për lirinë e vendit të tij, e ndali sëmundja në moshën e pleqërisë. Ai mbylli sytë në “Konakun e tij” në Babjen nën kujdesin e gruas së tij Kaçes së Starovës, e cila iu bë krah në të gjitha betejat e jetës së vështirë të kapedanit. Vdiq në varfëri  në Mars të vitit 1923, në moshën tetëdhjetëvjeçare, dhe siç e përshkruan edhe Besim Shyti në librin “Kapedan Kajo Babjeni”, u varros me kërrabën,dylbinë, kamën, revolverin dhe pushkën, reliket më të çmuara të tij. Tregojnë se, Kaçes, para se të  vdiste i kishte thënë: “ Më mirë që s’bëra fëmijë, kështu s’ka kush të ma njollosë emrin”. Ndërsa fshatarëve dhe tërë njerëzve që mbrojti, kur vini që ta shihnin u thoshte: “Në qoftë se vërtetë paskam bërë kaq mirë për ju, kur të më bjerë varri e të më digjet nur, më sillni të gjithë nga një gur që të bëhet tyrbe. Në s’qoftë kështu lereni varrin të humbasë të mos më duket asnjë shënjë”.

Poeti gorar  me vargjet e tij, na i sjell kaq pranë këtë momet  kaq prekës por edhe shumë burrëror te kapedanit të lirisë, një prej bijve më në zë të krahinës, e që kurrë nuk duhet harruar nga brezat që vinë:

Ike kapedan i Gorës, ike trim i rrallë/Vitesh kur shesh lufte ishte bërë vatani

S’pate kohë të lindje e rritje një djalë/Kokën tënde donte në Stamboll Sulltani.

Një tjetër kapedan i dëgjuar në malësitë e Gorës, Oparit e Vërçës, është edhe Ismail Dërdusha.I lidhur me jetën e fshatit dhe të halleve të njerëzve të thjeshtë qysh në fëmijëri, ai grumbulloi  në vetvete një urrejtje të madhe për xhandarët dhe taksambledhësit, për qeveritarët e administratës turke  si dhe për të gjithë ata që u shërbenin atyre. Jeta e vështirë e burrëroi para kohe Malon e vogël dhe e bëri më të guximshmin dhe më autoritarin në mjediset përreth. Ishte tip që i dëgjonte me pasion tregimet dhe bëmat për trimat dhe kapedanët e shquar të krahinës, Shahin Matrakun dhe Kajo Babjenin, të cilin e kishte edhe dajo.Largimi nga çeta e kapedan Shahinit më 1885, vetëm kur ishte 17 vjeçare, i kishte lënë përshtypje të thella dhe e kishte bërë që të mendohej gjatë. Pasi u soll për disa kohë maleve si kaçak i veçuar, Ismaili u bashkua me kapedan Kajo Babjenin që vepronin edhe bashkë por kur duhej edhe si çetë më vete.Ky kapedan me natyrën e tij të rreptë e të vendosur ndaj sulltanatit e shërbëtorëve të tij, kishte rënë në sy të portës së lartë, e cila e kishte lëshuar me kohë fermanin për të hequr qafe kaçakun e Dërdushës e për t’ja çuar kokën Sulltanit, ashtu si kishin bërër me kokën e vezirit të madh Ali Pashë Tepelenës. Aq shqetësues ishte bërë Ismaili sa edhe gazeta “Drita” e Sofjes më 5 nëntor 1904 do të shkruante: “Nga Korça na thoshin se hajduti Ismail Dërdusha që gjezdis andej nga Opari e nga Vërça, u godit me xhandarët e baba dovletit. Nga xhandarët nja dy mbetnë në vend dhe disa u plagosën, nga shokët e Dërdushës as u vra e as u plagos njeri”.Veprimet e çetës së kapedan Ismail Dërdushës morën karakter të theksuar atdhetar dhe liridashës, vetëm pas krijimit të Komitetit të Fshehtë të Manastirit “Për lirinë e Shqipërisë”, kur ai si gjithë të tjerët u vu tërësisht në rrjedhën e luftës për çlirimin e vendit dhe në funksion të tij. Në kuadër të ndarjes së detyrave dhe përgjegjësive  çeta e Ismailit mori nën mbrojtje zonën nga kurrizi i Lenies e deri në thellësi të Malit të Thatë. Çeta zhvilloi luftimet e para  me ekspeditën turke në fshatrat Kakaç e Vërçun, pastaj theu forcat e kajmekamit të Pogradecit më 1911 si dhe ato qeveritare tek Guri i Kamjes. Thonë se ai e ndoqi kajmekamin dhe deshi ta vriste me dorën e tij, siç bëri dikur Çecua me bimbashin mbi kalldrëmet e Gjirokastrës, por ai iku dhe u fsheh si lepur grykës tatëpjetë. Me dredhi   Kajmekami i pabesë i shpëtoi edhe pritës që Ismail Dërdusha i ngriti atij  mes kodrave të Pretushës e Velitërnit në dhjetor të vitit 1911.Kajmekami ndiqte me kujdes çdo lëvizje të çetës së Ismail Dërdushës dhe kërkonte me çdo mënyrë që ta eleminonte atë dhe luftëtarët e tij. Ky rast u paraqit në një nga bazat e tij në Podgorie, kur forca të shumta të dërguar nga qeveria rrethuan çetën dhe me gjithë se ajo e çau rrethimin e u tërhoq drejt lartësive të Malit të Thatë të mbuluar me dëborë, mbeti i plagosur në rrethim shoku i tij besnik, Seit Zagorçani. Kapedani me Seitin e plagosur, në krah, duke dalë nga rrethimi, mbeti edhe vetë i vrarë, pasi breshëria e plumbave të turkoshakëve përshkruan të dy trupat e luftëtarëve. Dhe mbetën ata të dy atje në atë faqe mali si dy yje që luftuan e ranë për lirinë e Shqipërisë, si dy karakollë në vijë të parë.

Dhe pastaj vijoi kënga e popullit që do t’i ruajë trima dhe luftëtarë përjetë:

Podgorie e shkretë mbushur me nizamë/Ismail Dërdusha s’dorzohet i gjallë.

Më të dalë të fshatit Smailin e vranë/Qaje nënë qaje Smail kapedanë.

Dhe më von shkrojti Besim Shyti me dashuri për bëmat e këtij kapedani të viseve të tij:

Tu sul kajmekami, po sulmi s’i eci/Kur kape Vërdovën, u tund Pogradeci

Një tjetër poet gorar ja si e sjell momentin e luftimeve të Podgories dhe ndjenjën humane e patriotike të kapedan Ismail Dërdushës që ra në fushëbetejë për të shpëtuar shokun e tij:

Në u vrafsha në rrethim/Gjyle e topit po t’më zërë

    Më vini në fshatin tim/Nënë lisin fletëgjërë. 

Njëri nga kapedanët e tjerë të Gorës është edhe Malkë Zvarishti, i cili për shumë arësye nuk u pajtua me regjimin osman të kohës, vasalët vendas dhe doli maleve për të qënë i lirë. I lindur dhe rritur mes një terreni kodrinoro-malor të thyer,me karakteristika të veçanta për sulm e mbrojtje ndaj inkursioneve të ekspeditave ndëshkuese e taksambledhësve turq, edhe karakteri I Malkës u bë i ashpër dhe shpesh i rrëmbyeshëm në veprimet e kryera. Qënia kaçak dhe jeta e vështirë e malit, deri diku e përligjte edhe një gjë të tillë.Ky njeri i ndjeshëm, pasi kishte mësuar nga jeta e kaçakërisë e trimave të tjerë që kishin luftuar kundër pushtuesve turq e shërbëtorëve vendas, gjeti shokë të tjerë dhe krijoi çetën e tij, e cila kur e desh koha u bashkua me të tjerët për lirinë e kombit dhe të Shqipërisë.Takimi i Malkës me Themistokli Gërmenjin, në krahinën e Gorës, në pranverën e vitit 1906, e rreshton përfundimisht çetën e kapedan Malkës me formacionet e tjera luftarake në luftën për liri e pavarësi dhe në dispozicion të Rilindjes Kombëtare. Malka mbante lidhje të forta me kapedanët e tjerë e sidomos Kajo Babjenin me të cilin kishin qënë bashkë në disa luftime kundër taborreve turke, hafijeve, koshadheve, ekspeditave ndëshkuese e sidomos veprimeve djallëzore të fqinjëve ziliqarë e të pabesë. Shquhet figura e kapedan Malkës më 4 prill 1914, kundër puçistëve grekë që rrezikonin pushtimin e Korçës duke qënë së bashku me Themistokli Gërmenjin dhe Kajo Babjenin. Ishin këta kapedanë gorarë që e ndihmuan atdhetarin e madh Themistokli Gërmenji të ndalte andardet grekë, thyente sulmet e tyre dhe shporrte përfundimisht  ata nga Korça.Historia  e ruan edhe sot në kujtesën e saj trimërinë dhe sakrificën e 200 trimave  të Gorës të cilët nën komandën e Kajos e të Malkës, bënë  qëndresë të fortë luftarake, thyen andartët, prishën planet e tyre djallëzore e fushtuese dhe mbrojtën kështu nderin e tyre, nderin e Korçës  dhe tërë Shqipërisë. Aftësitë drejtuese e luftarake të kapedan Malkës spikatën edhe në luftën e Voskopojës, ku veproi sëbashku me Kajon sipas thirrjes së  Sali Butkës, i caktuar si komandant i çetave të juglindjes.Pas vrasjes së Themistikliut nga francezët, Malka përfundoi në burgun e Beratit, të cilin e theu dhe u largua në malet e Gorës, ku riformoi një grup tjetër luftëtarësh. Vrasja e Themistokliut nga francezët e kishte shqetësuar shumë kapedanin sa ngado që dëgjonte për ta, ishte i pamëshirshëm. Kështu veproi  edhe tek Ura e Vërbës, kur e  azgjësoi tërë grupin e ushtarëve francezë prej shtatë vetash,  të cilët kishin dalë luginës së Devollit si ekspeditë. Malka e ndjente se francezët nuk do t’ja falnin për vrasjen edhe të dy ushtarëve të tjerë francezë tek Guri i Kamjes, ndaj grumbulloi rreth vetes edhe luftëtarë të tjerë për të përballuar çdo të papritur. Me çetën e tij ai i mbajti gjithmonë armët gati në mbrojtje të trojeve të Atdheut dhe  përballë armiqve të kombit tonë. Kështu më 20 Maj 1920, së bashku me Kajon,Hysen Pirgun e Xhelo Selcën, ai qëndronte në llogoret e  Grykës së Zvezdës  për të luftuar e mposhtur andartët grekë që kërkonin të pushtonin Korçën. Historia tregon se Malkë Zvarishti ishte kaçaku, komiti dhe kapedani  i cili ishte dënuar katër herë me vdekje nga katër shtete, greqia,franca, austro-hungaria dhe së fundi nga qeveria e Zogut, pasi nuk donte të çarmatosej dhe hidhte armët ai që tërë jetën kishte luftuar për lirinë e Shqipërisë e të popullit të vet. Dhe faktet tregojnë se atë që nuk e ariti dot me armë e ushtri sulltani, e dovleti, apo fqinjët shovene, e bëri pas shpine mbreti në vitin 1927. Ja si e perjeton nëpër vargjet e tij  poeti gorar Besim Shyti:

Eh more Malkë Zvarishti/Zjarr nga goja, zjarr nga gishti

Maleve kaçak nga hera/Të ka rrahur gjoksin era.

Poeti tjetër gorar që i njeh mirë viset e vendlindjes së kapedan Malkës dhe ka dëgjuar shumë gojdhëna e histori nga pleqtë që e njihnin e kishin luftuar me të shkruan:

Trupi si shkrep mali, prerë balli i gjërë/Pas hapit të rëndë, vjen një Gorë e tërë.

Të ndoqi asqeri, valiu me kalë/Po nuk zihet dreri, kapet Malka vallë?

Nexhip Bashllari, që është edhe bashkëfshatar i kapedanit, futet me kujdes në detaje më të holla poetike lidhur me botën e kapedanit dhe të mjedisit ku ka vepruar ai :

Ngrysej në një mal, gdhihej në një tjetër/Me gishtin në këmbëz, syrin në shënjestër.

Një plejadë e tërë trimash pasuan rrugën e malit e të luftës në shërbim të çështjes së Atdheut, lirisë dhe pavarsisë së tij, vepra e të cilëve shkëlqen si medaljon i rrallë në historiografinë e krahinave të Gorës, Mokrës e Oparit si dhe  të mbarë Shqipërisë.

Tiranë, më 13.05.2018.

Share This Article
1 Comment
  • NDIHEMI KRENARE me
    HEROIZMIN e te PAREVE TANE.

    Nje shkrim qe e lexova duke lotuar,ani se 82 vjwcar.
    Faleminderit i nderuar Pr.As.Dr.Agron Agolli, sjelle “BIJTE e Gores” luftuar per liri e Pavaresi. Edhe pse i moshuar, shkrim me kesi pershkrimesh; sjellie fakte konkrete te atyre personazheve HERONJ,te luftes per Pavaresine e vendit,ralle lexuar.Faleminderit.
    E rilexova me laps ne dore,pasi me shpuri ne vitet heroike ne Zonen e Dangelli Shqerise, me gjyshit tim Jano P.Xhoga,nje BINJAK e ketyre heronjve te asaj periudhe te shkelqyer per PAVARESINE e atdheut dhe KONSOLUDIMIN e saj.
    Jo rastesisht nje koecidence e tillle, me kete shkrim,perjetuar une nje nga momentet me mbreselenese te jetes sime ani se 82.Vjecar, perjetuar ne,. Komitetin drejtes i Veeraneve te L.N.Cl .Tirane, ne mbeshtetie dhe te vendimit te organeve drejtuese te Qarkut Gjirokaste,nderuar gjyshin tim Jano P. Xhoga-Zavalani, me nje vleresim dinjitoz;MIRENJOHIE”,miratori propozimin;”DESHMOR i Atdheut” .ne kuadrin e 105 vjetorit te renies se tij, kryecetes qe komandonte Nendor 1913te ne mbrojtie te PV,nga sulmet e shovinisteve fqinje.
    E lexova kete shkrim te shkelqyer per ato figura te Gore -Oparit sjelle Ju i nderuar Pr,As Dr.Agron Agolli dhe bej nje anallogji me ate preiudhe ne Dangelli-Shqerine e Permetit,per veprimtarite e luftetareve te atyre viteve,si ishte Jano Petro Xhoga,apo Papa Stath melani, qe me te drejte, u vleresua nga BAZA;vendlindie e tij me Permetin e Gjirokastren,sa deri ne Tirane, Komiteiti Veteraneve te L.N.Cl propozuar organeve kopetente per ta nderuar me titullin e larte DESHMOR i Atdhut. Mirenjohie te gjitheve.
    Mirenjohie dhe juve i nderuar PR.As Dr.Agron Agolli sa ne perciell me gazeten tone atdhetare “DITA”.
    Me shume konsiderate;
    “Pasuesi veteran”82 vjecari;
    Dhimiter M.Xhoga

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *