Bijtë e kaosit

redaktor

Kur filluan ndryshimet demokratike të ’90 isha 18 vjeç. Kur u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të 26 majit 1996 isha njëzet e katër. Pas disa muajsh, i larguar nga puna me reformë “ia mbatha” në mërgim e qysh atëherë e deri sot, kur jam dyzet e dy më bie të lexoj akoma lajme dramatike se ende ekonomia është në kolapsin më total dhe qeveria e vendit tim kërkon me dëshpërim borxhe të reja emergjente, që FMN dhe organizmat e tjerë fajdexhinj ofrojnë me pikatore në këmbim të një terapie të re shock-u. Lexoj e dëgjoj se qeveria është investuar në linjën e parë në persekutimin e atyre që s’kanë paguar energjinë, si duket Platoni në konceptin e tij mbi shtetin s’e kishte idenë mbi rolin e rrjetit energjitik si nevojë themelore e njësojtë me bukën; një këshillë falas 2000 e kusur vjet më pas mund t’ia jepte Dick Cheney, të cilit dikur i shpëtoi fraza legjendare:”Nëse do të komandosh botën duhet të kesh nën kontroll puset e naftës”.

Që njerëzit (“mileti” – etiketon një avokat) janë mësuar me varfërinë dhe papunësinë e që të dyja këto janë prezente këtu e 20 vjet nuk do shumë diskutim, por së fundi këtë “planet” të ri varfërie e rizbuloi me teleskop nga katet e larta të kullës më të lartë të Tiranës edhe ish “burri i madh” Sali Berisha; ky është lajm! Lajm i mirë sidoqoftë, për personin dhe personazhin që në 8 vitet e fundit u ngjir duke dashur t’u mbushë mendjen altoparlantëve se ekonomia shqiptare lundronte në nivele teutonike. Po të ishte Berisha i Agron Llakajt do qeshnim dhe kaq, por një “burrë i madh shteti” ndofta ka përgjegjësinë të shpjegojë se si ka mundësi që të varfëroheshim kaq papritur, brenda vitit? Me një fjalë, duhej që të fitonte e majta për të kthyer Berishën me “këmbët në Tokë”… Pas nuk i mbeti në refren kryetari aktual i formacionit opozitar, i cili ka kountribuar jo pak në këtë varfërim duke shpërdoruar ad personam 220 milionë euro si ministër transporti dhe njollosur figurën e shtetit në pushkatimin e katër protestuesve në 21 janar, si ministër i brendshëm e duke firmosur një akt-marrëveshje në dëm të territorit sovran si ministër i Jashtëm; të tre këta “ministra” provojnë sesa kushton fatura e “yllit në ngjitje”.

 

Çështje faturash…

Demokracia e brishtë shqiptare, që lindi në ’91 me zgjedhjet e para pluraliste dhe përfundimisht mbeti pa hyrë kurrë në shkollën elementare në fundmajin e ’96, që u çmend në ’97 dhe i iku fiqiri në 14 shtator 1998, që doli komplet nga binarët në 21 janar 2011, përveç vuajtjes dhe pësimeve nga “eksperienca e çirakut”, që deri diku edhe mund të përligjet (kush lindi i ditur?), tashmë jemi të vetëdijshëm se u përdor veç si slogan për t’u pasuruar një kastë e vogël njerëzish. Këto 20 vitet e para ne i jetuam (dhe shkuam dëm) në kaosin më komplet. Në një biçim kapital – feudalizmi kaotik, ku emblema më domethënëse do të ishte pronësia mbi tokën. Të njëjtin rrip toke e gjen me tre pronarë “legjitimë”. I pari me “tapinë” e Turqisë, i dyti me “tapinë” e Zogut dhe i treti me Ligjin 7051. Hoqa me dashje nga “legjitimiteti” i reformës agrare të 1946, por edhe me kaq besoj se Kanuni ka pasur boll punë për të bërë me doktrinën e tij të seleksionit natyral…Por a mund të evitohej i gjithë ky kaos? – Në mos totalisht, pjesërisht mund të evitohej – mëson Urtësia. Atëherë, përse e gjithë kjo? Dhe kush ka paguar e po paguan këtë faturë me përmasa biblike?! Sigurisht që njerëzit, “populli”…ose “mileti”; bashkësia LPE (Laboratori i Pagojë i Eksperimenteve).

 

Nën provën e Kaosit…

Më ka rënë në pjesë të udhëtoj në Slloveni, Kroaci, Bosnjë e Malin e Zi, vende që pak a shumë kaluan një rrugë të ngjashme si ne, duke shtuar edhe pasojat e luftërave civile që mbyllën ciklin e tyre 15 vjet më parë në Kosovë. Kur njeriu thotë “kaos” ka parasysh një gjendje të çrregullt, hapësirë të ngushtë dhe dendësi thërrmijash, pak a shumë si shtëpitë e rrëmujshme që sheh kur avioni ul kuotën në Rinas, apo kur udhëton rrugëve tona nacionale. Atje ka humbur koncepti i qëndrave të mirëfillta urbane, ku lagje dhe fshat nënkuptojnë një kartolinë shtëpish me rregullat dhe shërbimet e nevojshme të komunitetit. Por edhe Tirana fare mirë mund t’a ilustrojë konceptin e Kaosit, mjaft të thuash “Komuna e Parisit” dhe njeriu ka vizionin e përleshjes së Titanëve, ku bien gurët gjithandej dhe Toka nga rrumbullake shpërfytyrohet e kthehet në një lëmsh të paformë. Rruga”Komuna e Parisit”, që më shumë se rrugë tanimë perceptohet si lagje, është për mua simboli final i triumfit të Pallatokracisë, plastelina viskoze me të cilën pallatokratët provuan të eksperimentojnë teorinë e Kaosit. Por kaosi është më shumë se kaq. Kaosi është rrugë e parrugë, pa vija dhe shenja qarkullimi, tifozeri që nuk shkon në stadium për të parë ndeshjen, por të nxisë përleshjen. Kaosi është miting pa kurrfarë leje e pa kurrfarë serioziteti, është dyqan byrekësh ku shiten bashkë domate, sapunë, mish dhe televizorë. Kaosi është fiks si ajo torta e famshme e Pavarësisë, e sulmuar nga kovat dhe govatat plastike. Shtëpi me dritare por pa dhoma, si një skuadër futbolli që del në fushë me 11 bluza të ndryshme; tek e fundit rëndësi ka goli. A nuk e provuam dikur që uniformiteti ishte i dëmshëm?!… A nuk e pësuam nga kjo?! Prandaj Kaosi u trumbetua si diafragmë e lirisë, frymëmarrje e saj legjitime. E dashur – padashur, të gjithë ne u kthyem në bij të Kaosit. Mësuam të paguajmë nën dorë për të vjedhur energjinë, të ngrejmë ndonjë shtesë pa leje – sipas mundësive tona të vogla… Ndërsa, kush i pati mundësitë më të mëdha vodhi që nga hidrocentrale e deri tek tenderat e këpucëve për ushtarët.

 

Io Ipse Idem

Duke qënë se po hyjmë në përvjetorin e 25-të të Ndryshimeve dhe pak a shumë në qerthullin e një gjenerate, e paevitueshme t’i bësh pyetjen vetes: – Me çfarë bilanci kemi dalë? Cila është fatura e gjithë kësaj periudhe? Çfarë kemi humbur dhe çfarë kemi fituar?… Dhe nëse këto pyetje themelore ia bën njerëzve që kanë qeverisur. e sigurtë që ata kanë shumë për t’i thurur elozhe vetes. Ndokush beson se vërtet historia i shkon prapa, ndokush tjetër do lërë amanet që kur t’i lërë shëndetin kësaj dynjaje t’a sistemojnë me dygishtëshat përpjetë, që të eksportojë demokracinë e tij kaotike edhe atëbotë…Kurrsesi këta ish-qeverisës mbajnë përgjegjësi për ngarkesën e tyre negative, për degradimin e shtetit dhe mekanizmave ligjorë. Ata – jam i bindur – dp thonë se “fajin e kishte koha”, populli që s’kuptonte, krizat botërore e ndofta armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm… Njësoj si vogëlushja e kopshtit që kur thyen diçka ia vë fajin kukullës, madje duke iu hakërryer më tërsëllëmë. Kurrsesi nuk pranojnë se ky Kaos është firma e tyre e pasinqertë, drejtpërdrejt përgjegjësi e tyre, dhe përtej kufijve të ndërgjegjes dhe moralit, kjo është një përgjegjësi ligjore, të cilës i janë shmangur dhelpërisht dhe agresivisht. Kush e ka paguar faturën e shpërdorimeve të qeverive, që nga Meksi e deri tek Berisha? Cila qe përgjegjësia e qeverisjes në rrënimin total të shkaktuara nga firmat piramidale? Kush e çoi shtetin në Kaosin e ’97? Berisha akoma thotë se përgjegjësia ishte e “rebelëve” komunistë. Pas mijëra mitingjesh të përditshme kundër “mamuthit” Nano, hajdutit më të madh të rruzullit tokësor, Berisha deklaron pa gjë të keqe që Nano ka merita të çmuara në zhvillimin e demokracisë. Pra, e kotë të flasim për drejtues të përgjegjshëm, kur ata vetë e bëjnë mizën buall dhe buallin mizë, dhe e bëjnë publikisht pa pikë turpi. Kush mban përgjegjësi për megashpërdorime si ajo segmentit rrugor për në Kukës, sepse t’a quash autostradë duhet të jesh i dehur? Për të mos folur për shpërdorime masive me demontimet e arsenalit luftarak, vdekjet dhe vrasjet në bulevard dhe krejt degjenerimin e administratës publike, të kthyer në dyndje mongole për të zhvatur ç’mund të zhvatet. Përgjigja e të “mëdhenjve” është lakonike, cinike, siç thoshin latinët;”Io Ipse Idem – Unë jam vetvetja, por vetvetja nuk është Unë”.

 

Share This Article
8 Comments
  • Bilanci eshte qe ti je sot i lire te punosh ne Europe se ishe si majmun i uritur ne kafaz o Terpollari, sot mund te kesh vile private, makine Mercedes ose ferrari, te hash e te pish sa te pelcasesh, te shkosh me pushime ne bote, por varet e gjitha nga ti a je i zoti ti arrish keto ? Rruga eshte e hapur, provoje veten se te tjeret ja kane arritur……..varet nga zotesia…..

    • O babo,nuk besoj se kjo qe thua ti korrespondon me cfare deshen njerezit. Njerezit kerkuan liri dhe mundesi me te mira per te jetuar dhe punuar ne vendin dhe per vendin e tyre. Emigrimi nuk eshte ndonje fitore, perkundrazi.

  • Artikull i shkelqyer por perseri vetem diagnostik. Per mua ngelet perseri pyetja, si arrihet ne drejtesine e shume pritur, qe tradhetaret dhe kriminelet politikane te dalin para ligjit?
    Ajo qe pritem nga rilindja doli nje flluske sapuni. Ashtu si autori thote bukur ” fajin e ka kukulla” edhe qeveria e thote fajin e ka LLALLA. Bej paralelizmin e 21 Janarit 2011 dhe sot. kryetar qeverie+kryetar parlamenti (PD) fitoi ndaj prokuror+president, ndersa sot e njejta dysheK+K qe qeverisin eshte e paafte ndaj lidhjes P+P.
    Nqs. ne si popull na “dalin duarsh” politikanet pasi i zgjedhim nuk ka rruge tjeter per te rivendosur drejtesine? A ka nje njeri kompetent ne fushen e drejtesise qe te na propozoje nje rruge per te realizuar tamam ato te verteta qe thote artikulli, ndeshkimin e fajtoreve.
    Une nuk kam me shprese se kjo qeveri do te realizoje dicka ne kete apo tjeter drejtim.

    • Bocari ,duke filluar qe nga lashtesia e deri te Sadami ,Miloshevici
      njeh ndonje shembull ne histori qe diktatoret ,pushtetet ,te kene ikur vete ??

      drejtesia reagon dhe me shpejtesi po te mblidheni ca si shume vete 500 perdite para prekurorise ,500 perdite para cdo prekurorie ne rrethe .
      te shkruajme dhe ne ne jashte cdo faqe gazete kryesore nganje artikull [duhet shume pak ,keta jane kapitaliste e blen faqen e pare kudo,une kam pyetur ],per cfare po ndodh aty dhe cfare elselenca e Brukselit po ben me qeveritaret tane
      gjerat levizin , por ama duhet qe te levizni levizim te gjithe .

      Artikull i bukur ,shkruar vertet bukur !

  • E lexova me kenqesi artikullin. M.q.s nuk me lejohet te bej “komplimenta te parfumuara” po kaloj ne verejtjen e veteme qe kam. Mendoj se te gjitha ato qe shkruhen ne artikull jane me se te verteta dhe se problemi qe kemi ne shqiptaret eshte se kemi patur nje priteshmeri shume te madhe dhe faji per mos arritjet i dedikohen ne radhe te pare mentalitetit dhe shkalles se zhvillimit te shoqerise sone dhe jo njerezve qe ne vete zgjodhem te na qeverisin.
    Mos harrojme se sistemi qe kishim nuk lejoi, si ne shume vende te tjera te socjalizmit real, hapsira te lira per tu krijuar si kudo nje desidence. Edhe ajo qe u be per gjoja ndryshimet e medha ishte nje farse. Pra nuk kishte disidence dhe ish te burgosurit politike nuk u lejuan qe te kryesojne levizjne qe populli priste. Populli ishte i varfer, kontrollohej si dreqi, duhej te mbyllte gojen dhe duhej ti thoshte derrit daje se ndryshe futej ne burg. Papritmas, pa asnje lloj “nxemje” popullit ju tha se tani je i lire, bej cfare te duash, pasurohu ne se je i shkathet, prish fabrikat se jane nje “e keqe” komuniste, vidh kapaket e pusetave dhe shiti, vidh pjese makinerish neper Fabrikat “komuniste” dhe shiti, kemi çekun e bardhe, u be deti kos. Hajde se erdhi me ne fund demokracia dhe çi qi temen. Tani do te behemi te gjithe me makina,vila, etj. Deti u be kos.
    Futem leke si budallenj tek sudja dhe e hengrem.
    Une mendoj, se keto gjera jane semundjet e foshnjerise se nje bebeje te vogel qe sapo kishte lindur. Edhe ata qe zgjodhem nuk e kishin idene se si funksjonon shteti, helbete kishim çekun e bardhe. Por ja qe nuk ishte keshtu siç enderronim neve. Dardha e kishte bishtin parapa dhe ndodhen ato qe ndodhen. Une jam i bundur se edhe sikur te kishim burra me te mire qe te na udhehiqnin e njejta gje do te ndodhte. Cilesia e petullave varet nga cilesia e miellit, ashtu ishte mielli dhe ashtu dolen petullat qe hengrem.
    Nje besim prej budallai tek Amerika dhe Europa. Hajde se na mbajne me buke ndihmat amerikane dhe europjane. Kur Europa dhe Amerika pa se komunizmi ne Shqiperi vdiq, i zvogeloi deri sa i hoqi ndihmat dhe beri mire. Ku ka qe te punoje amrikani dhe europjani per ty ? Futju vete punes, i zoti e nxjerr gomarin nga balta thote populli.
    Pra, une mendoj se sido qe te shkonte puna kaosi ishte nje bashkeudhetar natyral i periudhes transitore qe ndoqem. Ishte prodhimi i se kaluares dhe nivelti tone kulturor si popull. Ne jemi vete fajtori dhe jo ata qe vete zgjodhem. Cdo popull meriton qeverine qe ka.
    Shpesh bej pyetjen, se si spjegohet fakti qe po te njejtet shqiptare punojne jashte shtetit me mire dhe me shume. Pergjigja ime, mund ta kem gabim. eshte sepse nuk punohet per nje cope buke, nuk punohet kur shef se produktin e punes tende e merr horri politikan qe rri gjithe diten ne kafe dhe neper mbledhje konsultimi me te huajt qe gjoa kane ardhur per te dhene eskperience dhe ndihmuar, me rroga astronomike qe zene mbi 90% te volumit te ndihmes ekonomike qe, gjoja na japin neve.I zoti e nxjerr gomarin nga balta. Shifni se cfare maskaralleku behet me Fabrikat e diplomave. Neve kursejme si qeni per te çuar femijet ne universitetet fabrika diplomash pa vlere, paguajme mijra Euro dhe genjejme vet vehten, ndersa Henri Cili me siguri tallet me budallalekun tone duke spjeguar rritjen artificjale te studenteve ne universitetet private me “doren e fshehte te tregut ” te Adam Smithit.

    Nuk arrijme te kuptojme se shteti jemi NEVE, shteti mbahet nga taksat tona. Mos valle edhe per kete gje te thjeshte na e ka fajin Sala, ky qen bir qeni, i cili ju shmang plasjes se bombes socjale duke marre borxhe dhe vjedhur se bashku me klanin e tij.
    Shifni tani, Edi perpiqet qe te beje dicka dhe neve nxjerrim nje mije yçkala qe te mos denohen ata qe vjedhin dhe nuk paguajne energjine. Jo po nuk kane leke, jo po me me ngadale. More mik ne se nuk ke leke mos konsumo energjine elektrike. Pse e pauaje ne kohen e Enverit dhe tani jo ? Popull budalla, qe nuk e kuptonte se ata qe nuk paguanin energjine dhe benin ndertime pa leje ishin rezervuaret me te medhenj te votave ta malokut qe e katandise Shqiperine nje hale.

    E di qe e zgjata dhe teprova. Esenca eshte qe neve jemi fajtoret kryesore dhe asnje tjeter qe u beme “bijte e kaosit” se na pelqente dhe nuk arrinim te kuptonim se dardhe a ka bishtien prapa dhe se ja fusnim vet vehtes.

    • Sakt Besnik Tërpollari i lagjes së burrave trima e të mençur si R. Kodheli i pamposhtur. Kaosi ah kaosi. Kaosi këtu i nderuar Besnik u la qëllimisht nga babai i kaosit R. Alia në duart e djemve që të vetmin qëllim në jetë, kanë pasur të shfrytëzojnë mjegullën e kaosit për prapanicën e vet. Kush do t’i gjykojë? Nuk e di. Por çdo gjyq dhe çdo vendosje drejtësie këtu,duhet të fillojë nga “bijtë e kaosit”. Po nuk nisi këtu nuk do të bitiset atje ku duam…! Do ta ndërtojmë përsëri të ardhmen mbi kaos… Nderime Besnik!

      • Flm “plaku”,z.Pellumb, R.Kodheli ishte dajo i gjyshit.Ne fakt, me paqen e redaktoreve me duhet te sqaroj se nen titull kisha cituar dy vargje te Breht,qe thote: ” ne cdo dhjete vjet nga nje burre i madh/kush ua paguan faturen ?”. Dhe i tere shkrimi eshte konceptuar ne kete drejtim, ne kuptimin qe zgjidhen e zgjedhim keta burra te medhenj shteti dhe punet shkojne keq e me keq. Me ju z.”plaku” kisha nje kundershti, nuk eshte e thene qe nje shtetar ta djallose se une nuk e kam votuar, ai e ka per detyre ligjore te mos shperdoroje.Eshte njesoj sikur ju i hipni nje autobusi, gjeja e fundit qe ju shkon ne mend eshte te dini nese shoferi ka patente apo di te ngase autobus…Ne kete kuptim pergjegjesia, sepse edhe kur shoferit nuk i je simpatik ai eshte i detyruar nga kodi rrugor dhe kontrata e punes qe ti permbahet itinerarit te stabilizuar me pare. Edhe njehere flm , ndofta here tjeter, bijte e Kaosit sipas mitologjise ishin Titanet, prej te cileve jemi shume larg.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *