Gjatë 3 muajve të parë të vitit, arkës së shtetit i mungojnë 4.1 miliardë lekë, krahasuar me parashikimin paraprak të bërë nga vetë Ministria e Financave
Në të vërtetë nga muaji në muaj që në nisje të këtij viti është raportuar nga qeverisja qëndrore, edhe pse nën zë për mosrealizim të ardhurash. Kështu tre mujori i parë i vitit ka rezultuara i dështuar për administratën fiskalë në mbledhjen e të ardhurave, duke rritur deficitin buxhetor. Spiralja e pandalshme negative apo tkurrja më e fortë është ajo e taksës bazë të konsumit, Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Sipas shifrave zyrtare, në tre muajt e parë të këtij viti të ardhurat nga TVSH-ja janë 9.7 për qinde më të ulëta ose 2,5 miliardë lekë më pak se një vit më parë, duke paralajmëruar rënie të mëtejshme të konsumit. Gjatë kësaj periudhe të ardhurat nga TVSH llogariten të jenë 23.9 miliardë lekë, nga 27.5 miliardë që ishte planifikuar në fillim të vitit. Edhe në këto muaj të parë të vitit qytetarët kanë qenë më shumë të prirur për të kursyer, apo më saktë tkurrur të ardhurat e tyre, duke ulur fuqinë blerëse e në këtë formë dhe mbledhja e TVSH-së ka rënë. Duke u ndalur në shifrat zyrtarë të Ministrisë së Financave, rezulton se me rënie gjatë kësaj periudhe janë edhe të ardhurat nga taksa e akcizës, ku janë arkëtuar 7.1 miliardë lekë, ndërsa ishin planifikuar 8.4 miliardë. Gjatë 3 muajve të parë të vitit arkës së shtetit i mungojnë 4.1 miliardë lekë, krahasuar me parashikimin paraprak. Ndërsa, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat janë 2.7 miliardë lekë më pak, çka tregon për një vijimësi në rënie, duke pasqyruar edhe gjendjen reale të ekonomisë së vendit.
Edlira Shehu