Trajneri vlerëson takimin me Kamerunin dhe vitin si kuqezi, duke pasur peng vetëm një ndeshje
Xhani De Biazi ka të drejtë të jetë një trajner i lumtur. Skuadra e tij e mbylli vitin me një rezultat pozitiv përballë një kundërshtari mjaft të fortë, madje meritonte të fitonte. Përtej rezultatit që dhuroi fusha, italiani mund të kënaqet me faktin se tashmë Shqipëria nuk vuan nga alternativat, është një skuadër që mund të kompensojë çdo mungesë. Mbrëmë nuk ishin Bogdani, Salihi, Hyka, Meha e Kukeli, megjithatë skuadra luajti si e barabartë dhe lojtarët e rinj në grup e bënë mirë detyrën e tyre, duke ia vlerësuar detyrën trajnerit për të ardhmen. Një problem nga ata që të bëjnë të ndihesh mirë… Në intervistën pas ndeshjes në SuperSport, italiani komenton ndeshjen dhe punën e tij gjatë këtij viti.
– Si e vlerësoni ndeshjen?
– Skuadra u mbajt shumë mirë në fushë, zhvilloi lojë dhe mendoj se meritonim fitore, sidomos nga ajo çka dhamë në pjesën e dytë.
– Por në të parën skuadra vuajtët disi…
– Kameruni ka lojtarë me cilësi të mira teknike dhe nga fizike janë shumë të fortë, kështu që është normale të vuash përballë skuadrave të tilla.
– Ju aktivizuat disa lojtarë të rinj. Si ishte loja e tyre?
– U paraqitën shumë mirë dhe do të thosha se jam i kënaqur prej tyre. Kjo ndeshje ishte një test që u zhvillua edhe për këtë arsye, që të shihnim lojtarët e rinj të skuadrës dhe prova e tyre ishte pozitive.
– Do të jenë përsëri në të ardhmen?
– Kjo varet vetëm nga ata. Unë e kam derën hapur. Nëse do të luajnë me dëshirë, nëse do të japin gjithçka, do të jenë të mirëpritur. Varet plotësisht nga ata.
– Sa përfituat nga kjo ndeshje dhe cilat ishin pikat që duhen korrigjuar?
– Në fillim patëm pak druajtje dhe nuk ishim në gjendje ta kontrollonim mirë topin. Përballë një kundërshtari të tillë, të fuqishëm fizikisht, është e vështirë pastaj të luash me topa të gjatë. Por pas minutave të fillimit e morëm veten dhe në pjesën e dytë ishim ne skuadra më e mirë në fushë. E meritonim një gol.
– Kjo ishte ndeshja e fundit për vitin 2012. Si do ta vlerësonit këtë vit si trajner i Shqipërisë?
– Në të gjitha ndeshjet ne kemi zhvilluar lojë të mirë, pavarësisht rezultatit. Kemi shënuar nëntë gola, kemi pasur rritje të vazhdueshme. Ajo që ende më djeg është humbja me Islandën. Duhej ta kishim fituar atë ndeshje dhe tani do të ishim nëntë pikë e jo gjashtë në eliminatoret e botërorit. Megjithatë, kemi rrugë të gjatë për të bërë dhe ecuria e deritanishme është e kënaqshme.
2
Ndeshje radhazi që Shqipëria nuk pëson gol, fillimisht me Slloveninë dhe mbrëmë me Kamerunin. E kishte bërë edhe më parë me De Biazin, në dy miqësoret radhazi kundër Iranit e Moldavisë, mbyllur me të njëjtat rezultate, 1-0 e 0-0.
Shqipëria nën drejtimin e De Biazit
29.02.12 Gjeorgji-Shqipëri 2-1
22.05.12 Shqipëri-Katar 2-1
27.05.12 Shqipëri-Iran 1-0
15.08.12 Shqipëri-Moldavi 0-0
07.08.12 Shqipëri-Qipro 3-1
11.09.12 Zvicër-Shqipëri 2-0
12.10.12 Shqipëri-Islandë 1-2
16.10.12 Shqipëri-Slloveni 1-0
14.11.12 Shqipëri-Kamerun 0-0
Shqipëri-Kamerun 0-0
Shqipëria: Berisha, Lila (Dallku 59’), Cana, Mavraj, Arapi, Roshi (Vangjeli 77’), Vila (Bakaj 59’), Bulku, Lilaj (Curri 46’), Çani (Balaj 77’), Sadiku (Vajushi 70’). Trajner: De Biazi