Ministri algjerian i Komunikimit, Mohamed Said, ka bërë të ditur se bilanci i viktimave të sulmit në Amenas është më i rëndë nga sa u bë publike pak ditë më parë. “Druaj se, për fat të keq, bilanci i viktimave është më i madh”, tha Said.
Fillimisht u fol se në stacionin e gazit në Amenas kishin mbetur të vrarë 23 pengje dhe 32 terroristë, por deklarata e fundit e ministrit algjerian, pavarësisht se nuk jep shifra, i ka rritur dyshimet për të tjera viktima. Situata është kaotike, pasi qeveria algjeriane ende nuk ka dhënë të saktë numrin e shtetasve të huaj që u vranë në sulm. Ndërkohë, Japonia flet për 10 persona të zhdukur, ndërsa Britania e Madhe ka konfirmuar vdekjen e 3 qytetarëve të saj.