Ndeshja me Norvegjinë është në prag, por biletat ende nuk duken në treg. Në një lajm të dhënë nga Top Channel është bërë e ditur se janë shtypur 16 500 bileta, të cilat nuk do të dalin të gjitha në pikat e shitjes. Rreth 10 mijë syresh janë shitur tashmë pa dalë në treg, ndërsa nga 900 bileta të tribunës qendrore 700 janë të prenotuara nga administrata shtetërore dhe plotikanë të ndryshëm. Drejtori i marketingut në FSHF, Gazmend Malo, deklaroi për Top Channel se arsye që nuk kanë dalë ende në shitje është që biletat të jenë sa më pak të ekspozuara kundrejt matrapazëve të tregut të zi apo falsifikuesve. “Shkurtimi i kohës së daljes së biletave në treg kufizon mundësinë për blerje dhe rishitje apo falsifikime të mundshme. Mendoj se do të jemi në gjendje të vëmë në shitje gjysmën e vendeve të stadiumit, ndërsa pjesa tjetër është e prenotuar”, tha Malo.
