Bill Klinton për Kosovën (II)

Ornela

Nesip Kaçi*

 (Vijon nga numri i kaluar)

4 maj 1999.   Do t’u kthejmë të drejtat shqiptarëve.

(Komentet e Presidentit Klinton përpara nisjes për në Gjermani.)

Kërkesat e miratuara nga të gjithë aleatët përfshijnë  tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e një force sigurie, bërthama e së cilës të përbëhet nga NATO-ja. Vetëm atëhere refugjatët do të kenë besim të kthehen, gjë për të cilën po punojmë. Vetëm atëhere UÇK-ja do të ketë nxitje të çmobilizohet.Me Kancelarin Shrëder do të shkoj në një qendër pranimi refugjatësh në Ingelhajm. Atje do të dëgjojmë dëshmitë e njerëzve  që kanë ikur nga fushata e spastrimit në Kosovë. Do t’i sigurojmë ata edhe një herë për vendosmërinë e për qëndrimin tonë të patundur për t’i parë ata të kthehen në siguri dhe vetëqeverisje. Pikërisht kjo përbën thelbin e të gjitha përpjekjeve tona për Kosovën. Atyre duhet  t’u krijohet mundësia të kthehen në vatrat e tyre të qetë e të sigurt. Kancelari Shrëder dhe unë e kuptojmë se ajo që iu kanë bërë juve, fëmijve tuaj e atdheut tuaj, nuk mund të zhbëhet. Por duhet ta dini se ju nuk jeni as të harruar , as të braktisur. Z. Millosheviç  nuk mundi ta shuante identitetin tuaj nga faqet e historisë dhe nuk do të mundë të shfarosë praninë tuaj nga trualli i prindërve e i gjyshërve tuaj. Fushata jonë ajrore ka shkatëruar ose dëmtuar një të trerën e automjeteve të blinduara serbe në Kosovë, gjysmën e artilerisë së Serbisë, pajisjet e saj për të prodhuar municione, gjithë kapacitetin e saj për të rafinuar produkte nafte, e duke i shkaktuar edhe një dëm kolosal sektorëve të tjerë të ekonomisë. Megjithëse ka dëbuar me qindra-mijëra shqiptarë kosovarë nga shtëpitë e tyre, ai nuk e ka eliminuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Madje radhët e saj po shtohen dita ditës, ajo ka filluar të ndërmarë ofensiva kundër forcave serbe, të cilat fshihen skutave për t’u shpëtuar goditjeve ajrore të NATO-s.

27 maj 1999.

Ju do të ktheheni.

(Komentet e Presidentit Klinton në një radio-mesazh për popullin e Kosovës).

Në emër të të gjithë  amerikanëve, Hillari dhe unë i dërgojmë një mesazh shprese dhe solidariteti popullit të Kosovës. Gjatë disa muajve të kaluar, ju keni qënë të detyruar t’i lini shtëpitë tuaja. Keni parë dhunë të tmerrshme. Shumë nga ju ende kërkojnë shokët dhe anëtarët e familjes. Unë u takova me refugjatë kosovarë në Gjermani. Bashkëshortja ime, tani së fundi u takua me një grup tjetër refugjatësh në Maqedoni. Tregimet tuaja na mbushin me pikëllim. Tregimet e njerëzve të pafajshëm të rrahur e të brutalizuar për asnjë arsye tjetër përveç se për shkak të etnitetit dhe besimit, njerëz të rrethuar në mes të natës, të detyruar të hipin në trena pa ditur se ku po shkojnë, të ndarë nga familjet e tyre. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s janë duke punuar që ju të  ktheheni në fshatrat tuaja në një jetë më të mirë, në vendin ku keni lindur. Fushata e pastrimit etnik në Kosovë do të përfundojë. Ju do të ktheheni. Fushata jonë ushtarake dita-ditës po e rrit presionin mbi liderët serbë dhe mbi forcat serbe në Kosovë, deri sa ju të lejoheni të ktheheni në shtëpi, së bashku me NATO-n, që atje do parandalojë kthimin e dhunës. Ndërkohë shtetet anembanë botës po punojnë së bashku të sjellin ndihma për ju dhe familjet tuaja. Kongresi ynë sapo aprovoi më shumë se 700 milion dollarë në ndihma humanitare që të jemi të sigurtë se do të mund t’i bëjmë ballë kërkesave tuaja, si tani ashtu dhe kur të ktheheni në shtëpitë tuaja.Ne u jemi mirënjohës popullit të Shqipërisë dhe të Maqedonisë për pranimin e refugjarëve në vendet e tyre dhe në shtëpitë e tyre.Nuk është e lehtë për asnjë shtet të pranojë një numër të madh njerëzish. Ju falënderojmë për forcën tuaj dhe mbajeni në mend,se pa marrë parasysh se ç farë ju ka ndodhur, ju nuk jeni vetëm. Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja  janë me ju dhe ne do të qëndrojmë me ju edhe për shumë kohë pasi ju të  ktheheni në shtëpi.

 

27 maj 1999.      Millosheviçin e pret Haga.

(Deklarata e Presidentit Klinton mbi aktpadinë ndaj Millosheviçit.)

E mirëpres vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte për të paditur Sllobodan Millosheviçin dhe katër udhëheqës të tjerë të rëndësishëm për krime kundër njerëzimit dhe për krime lufte. Kjo do t’i sigurojë viktimat e mizorive të Beogradit në Kosovë dhe do të pengojë krime të tjera në të ardhmen. U bëj thirje gjithë kombeve të mbështesin vendimin e gjykatës dhe të bashkëpunojnë me përpjekjet e saj në kërkim të drejtësisë. Ne do t’i vazhdojmë përpjekjet tona deri sa të arrijmë objektivat tona: refugjatët kosovarë duhet të jenë në gjendje të kthehen në shtëpitë e tyre në siguri dhe vetëqeverisje, forcat serbe duhet të largohen nga Kosova dhe një forcë ndërkombëtare sigurie me NATO-n në krye duhet vendosur në Kosovë.

31 maj 1999.

Kosova, vendi ku u trazua  ndërgjegja jonë.

(Fragmente nga fjala e Presidentit Klinton , në kremtimin e ‘’Ditës së Përkujtimit’’.)

Sot ne ndodhemi përpara një sfide të re në Kosovë. Ne të gjithë kemi parë me qindra-mijëra burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm të dëbuar nga shtëpitë e tyre, duke marrë rrugët, mijëra prej tyre teksa  shtegtonin, viheshin nën shënjestrën e vdekjes. Kemi dëgjuar rrëfimet e tyre për përdhunime e shtypje, për plaçkitje, grabitje e akte barbare. Sllobodan Millosheviçi u bë bastioni i fundit kundër një Europe të lirë, të bashkuar e paqësore kur u hoqi kosovarëve brutalisht të drejtat e tyre për të qeverisur vetveten. Në Kosovë shikojmë disa ngjashmëri me ato të Luftës së Dytë botërore, pasi qeveria e Serbisë, sikundër edhe ajo e Gjermanisë naziste, u ngrit në pushtet, veç  arsyeve të tjera, edhe ngaqë arriti t’i bënte njerëzit të përçmonin njerëzit e një race dhe etnie të caktuar , si dhe të besonin se ata nuk kishin vend në trojet e tyre, madje as të drejtën për të jetuar. Ne i themi ‘’jo’’ spastrimit etnik, ne i themi ‘’jo’’ kasaphanës së njerëzve, vrasjeve të tyre.  Është e rëndësishme të dini se për mizoritë në Kosovë bota tha ‘’jo’’. Nuk janë vetëm Shtetet e Bashkuara, ose vetëm 18 aleatët tanë të NATO-s.  Bashkë me to janë popujt e të gjitha kontinenteve, arabët e izraelitët, protestantët e katolikët, grekët e turqit, afrikanët, aziatikët e latino-amerikanët, që po dërgojnë ndihma në Kosovë. Sa na ka hije neve (amerikanëve) që iu kundërvumë fuqishëm spastrimit etnik.

10qershor 1999.

Ne fituam.

(Fjalimi i Presidentit Klinton drejtuar kombit për Kosovën.)

Bashkëkombasit e mi amerikanë, për herë të parë pas 79 ditëve, sonte hapësira qiellore në Jugosllavi është e qetë. Ushtria dhe policia serbe po tërhiqen nga Kosova. Një million burra, gra e fëmijë,të dëbuar nga trojet e tyre, po bëhen gati për t’u kthyer në shtëpi. Kërkesat e shtruara nga një Bashkësi Ndërkombëtare, e indinjuar dhe e bashkuar, u përmbushën. Unë mund t’i njoftoj popullit amerikan se fitoren e arritëm për një botë më të sigurtë, për vlerat demokratike dhe për një Amerikë më të fortë. Pilotët tanë janë kthyer nëpër baza. Sulmet ajrore u pezulluan. Agresioni kundër një populli të pafajshëm u frenua dhe po tërhiqet mbrapsht. Dhuna ndaj së cilës reaguam në Kosovë ishte kulmi i një fushate 10- vjeçare të ndërmarrë nga Sllobodan Millosheviçi, i cili për të krijuar një Serbi të Madhe shkaktoi vdekjen e më shumë se një ç erek milioni njerëzve. Bota e pa me sytë e saj se pasojat e tmerrshme te kësaj fushate në Kroaci, Bosnjë dhe tani në Kosovë çuan në djegien e 500 fshatrave,  vrasje e pushkatime dhe vdekjen e mijëra e mijëra djemve të rinj, burrave, grave , të moshuarve dhe fëmijve, që janë  groposur në varre massive, mijëra gra e vajza të përdhunuara nga gangsterët e Millosheviçit, një popull i detyruar me dhunë për t’u larguar brenda disa orëve nga trojet e tyre.  Kjo e tronditi ndërgjegjen tonë dhe  vuri në provë vendosmërinë tonë. Z. Millosheviç, i kurdisi gjëra të tmerrshme popullit të Kosovës, por ne qemë të vendosur për ta zmbrapsur.

Jemi të kënaqur se gjatë fushatës ajrore të Natos ne nuk humbëm në luftime as edhe një ushtar të vetëm. Tani në Kosovë duhet të vendoset siguria, ku do dislokohen rreth 50 000 trupa nga afro 30 vende, nën komandën dhe kontrollin e NATO-s dhe në punën e tyre këto trupa do të zbatojnë rregullat e vendosura nga NATO-ja. Aleatët tanë europianë do të sigurojnë shumicën dërrmuese të tyre. Amerika do të kontribuojë me rreth 7000 trupa. Ndërkohë, Kombet e Bashkuara do të organizojnë një  administrim civil si parapërgatitje për kohën kur kosovarët do të vetëqeverisen e do ta ruajnë rendin vetë, Nato-ja do tu japë pergjegjësi gjithnjë e më të mëdha, duke tërhequr ndërkohë forcat e saj.

21 qershor 1999.

Ju i treguat botës se keni shpirt të madh.

(Deklarata e Presidentit Klinton drejtuar popullit të Shqipërisë.)

Dëshiroj që në emër të popullit amerikan t’ju shpreh juve, popullit të Shqipërisë, mirënjohjen tonë për qëndrimin e guximshëm që mbajtët për paqen, tolerancën dhe lirinë në Europën Juglindore. Këtë pranverë, kur z. Millosheviç  ndërmori fushatën e tij gjakatare të spastrimit etnik në Kosovë, asnjë vend tjetër nuk mbajti një peshë kaq të madhe sa Shqipëria dhe asnjë vend tjetër nuk bëri më shumë për të ndihmuar fitoren e humanizmit. Ju ua hapët qiellin tuaj avionëve të NATO-s, që i dhanë fund këtij makthi. Ju ua hapët portet dhe aeroportet tuaja trupave dhe punonjësve të ndihmave për refugjatët. Por më e rëndësishmja është se ju ua hapët shtëpitë dhe zemrat tuaja më shumë se 300 000 viktimave të spastrimit etnik, duke u dhënë strehë, ushqim dhe shpresë, megjithëse vendi juaj vazhdon të përballet me sfida të jashtëzakonshme. Historia do të regjistrojë se njëri prej akteve më të mëdha të barbarisë, që ka parë  Europa në këtë shekull, u mund me ndihmën e një prej akteve më të mëdha të zemërgjerësisë që kemi parë ndonjëherë. Ne duhet të punojmë së bashku për t’i kthyer refugjatët kosovarë të sigurtë në shtëpitë e tyre. Neve na nevojitet të dislokojmë më shumë trupa të NATO-s në vendin tuaj me qëllim që të mbështetim ata që ruajnë paqen në Kosovë.Kjo do të vazhdojë të mbetet një barrë për popullin e Shqipërisë.  …Gjatë kësaj krize ju vërtetuat se pozita e një vendi në botë nuk matet vetëm me pasurinë, fuqinë apo madhësinë e tij,  por edhe me parimet që mbron ai vend dhe me përgjegjësitë që është gati të marrë përsipër. Gjatë muajve të fundit, admirimi i botës për Shqipërinë është rritur pa masë. Nëse do të qëndroni  në rrugën që keni zgjedhur, ne do t’ju rrimë pranë.

22 qershor 1999.

Këtë ditë do ta mbaj mend sa të  jem gjallë.

(Fjala e Presidentit Klinton në kampin e refugjatëve në Stankovec.)

Së pari, ne jemi të angazhuar jo vetëm për ta bërë të sigurtë Kosovën, por edhe për të ndihmuar njerëzit të rindërtojnë jetën e tyre, për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur, të bazuar mbi respektin ndaj të drejtave njerëzore të të gjithë njerëzve. E di se shumë njerëz mezi presin të kthehen në shtëpi. Por ju e dini se ka shumë mina në tokë, në rrugët brenda Kosovës dhe në shumë prej komuniteteve.Ne po dërgojmë njerëzit më të aftë në botë për t’i larguar këto mina.Kjo është një punë e vështirë, është një punë e rrezikshme. Unë dua që asnjë fëmijë të mos plagoset, nuk dua askënd tjetër të humbasë një këmbë apo një krah. Prandaj ju lutem të keni durim. Na jepni disa javë të tjera për të larguar minat, sepse ju do të jeni në gjendje të ktheheni në mënyrë të sigurtë. Dua të siguroj që të ktheheni të lumtur. Ju më keni dhënë mua dhe familjes sime një ditë që ne do ta mbajmë mend për sa të  jemi gjallë.

23 nëntor 1999.  Ne luftën, ju paqen.

(Fjala e Presidentit Klinton në Ferizaj gjatë vizitës në Kosovë.)

Dua të filloj duke ju falënderuar për pritjen e mrekullueshme. Falënderoj Ramadanin për prezantimin e tij që më bëri. Falënderoj edhe Luljetën për prezantimin e saj po aq të mirë të Sekretares Ollbrajt. Dhe  unë falënderoj drejtoren tuaj Shafije Hajdari, që na priti këtu. Ne jemi të nderuar të jemi sot këtu me të gjithë ju, sidomos me fëmijët e shkollës. Kur u bë prezantimi im, Ramadani më falënderoi mua për mundësinë e kthimit tuaj në shtëpi. Ka disa njerëz të tjerë të cilët kishin shumë përgjegjësi për këtë dhe do të doja t’i prezantoja edhe ata gjithashtu. Ne kemi pesë anëtarë të Kongresit Amerikan: Peter Deutsçh  nga Florida, Eliot Engel nga Nju Jorku, Jaçk Kingston nga Gjeorgjia, Carolyn Maloney nga Nju Jorku. Ata votuan për fondet që mundësuan ushtrinë tonë të vijë këtu dhe t’i jepnin fund këtij spastrimi etnik të tmerrshëm. Do të doja t’u kërkoja atyre të ngriheshin  në këmbë. Ju lutem. Falemiderit. Në vazhdim të Sekretares Ollbrajt, të cilën e di që e njihni, sepse e pritët aq mirë, ajo ishte avokatja më e fortë e qëndrimit që ne morëm në Kosovë.Do të doja të falënderoja Sandy Berger, Këshilltaren time të Sigurisë Kombëtare dhe Larry Rossin, i cili është shefi i misionit për qeverinë e SHBA-së në Prishtinë dhe do t’i kërkoja  edhe atyre të ngriheshin. Faleminderit. Dhe së fundi, dua të falënderoj të gjithë anëtarët e forcave tona të armatosura dhe aleatët tanë, të cilët po shërbejnë këtu me OKB-në dhe ata që ishin këtu më parë në fushatën e NATO-s. Dhe do të doja të prezantoja komandantin e të gjitha forcave tona të NATO-s, Gjeneralin Clark dhe ta falënderoja atë për çfarë ka bërë. Zoti Millosheviç  donte të mbante Kosovën nën kontroll, duke ju eliminuar të gjithë ju dhe ne thamë, jo. Tani ai e ka humbur Kosovën dhe ju jeni kthyer. Ne po përgatisim shtëpi për dimër, po rregullojmë shkolla, po sjellim oficerë policie, luftëtarët e UÇK-së po i rikthehen jetës civile, OKB-ja po bën një punë të mirë dhe javën e kaluar, Komuniteti Ndërkombëtar garantoi edhe një miliard dollarë amerikanë për të ndihmuar Kosovën.Të  mërkurën në Bruksel zhvilluam një konferencë të donatorëve për të plotësuar nevojat humanitare imediate të shkaktuara nga konflikti në Kosovë. Ne do të nxisim pjesëmarrjen e kompanive private në rajon për rindërtimin e Kosovës. Ne i detyrohemi fëmijve në Kosovë një të ardhme më të mirë. Ju brohoritët për ne kur erdhëm sepse kur ju po shtypeshit ne ju qëndruam pranë. Dhe ne ushtruam fuqi ushtarake për të mundur agresionin e z. Millosheviç. Ne fituam luftën. Por dëgjoni : vetëm ju mund të fitoni paqen. E ardhmja për të cilën ne luftuam është t’i shohim fëmijët tuaj të qeshur, të lumtur dhe plot jetë. Populli amerikan ka qënë i nderuar të qëndrojë me ju dhe ne do qëndrojmë me ju në  çdo hap të rrugës. Faleminderit dhe Zoti ju bekoftë të gjithëve.

*Ish- ambasador i Shqipërisë në Egjipt, Algjeri, Francë dhe Turqi.                                                                          

Share This Article
2 Comments
  • Ju si familje,ju dhente zoti gjithe te mirat,,Lumturi tek femijet tuaj,.
    U befshin Presidente si ju
    Bill Klinton dhe Hylari Gezofshi dhe mbreterofshi,,
    se ju i dhate te drejten popullit shqiptar te Kosoves,.
    Ju nderhyte qe te mos masakrohej ky popull i vuajtur ne TOKE TE VET.

  • MIRENJOIE- M I R N J O H E S V E !

    Nesip Kaci me te lumte ajo MENIDE-atdhetare…
    Nxjerre keto shkrime brillante Zemre,
    Zerme te cdo shqiptari -mbareshqiptar; Per Presidentin Klonton,krye mik- i shqiptareve..

    Kryemik,nje populli si yni,ne ditet VENDIMARE;
    Sjelle Pavaresi Kosoves,mbi 1shekull,-skllaveri-Serbe. Mirenjohie-Mbare shiptare kudo ndodhe ne Bote… Families: Bill e Hilari KLINTON;ne jete -do i jete!

    Ajo familie Kryefamilie e Shtetit te SH.B.A-se,
    Shtet,perkrah shtetit tone,sa nisur PAVARESINE.
    Presidente te Atij vendi,qe pas luftes se Pare, Ne Kuvende BOTEROR krah Atdheut tone dale.
    MIRENJOHIE ne jete te JETEVE!

    Toronto 08 Nendor 2020 *Pasuesi Veteran*
    Guri Naimit D.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *