Kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Bime, shprehet se censusi i zhvilluar në vitin 2011 është qesharak, pasi për regjistrimin e popullsisë u punësuar militantë të partisë në pushtet. Duke folur në një intervistë për të përditshmen “Shekulli”, Bime thekson se lista e emrave të intervistuesve që do të kryenin regjistrimin, e cila në bazë të ligjit hartohet nga kryetari i bashkisë, ishte krejt tjetër nga ajo që INSTAT miratoi.
“Unë së bashku me familjen time nuk jemi regjistruar, pasi ishte qesharake. Ai census që u bë në vitin 2011 ishte krejtësisht qesharak. Shifrat e publikuara nga INSTAT-i janë krejtësisht të pasakta dhe shumë larg realitetit në vend. Janë shumë familje në Gjirokastër të cilat nuk janë intervistuar nga punonjësit part-time që u përdorën në atë proces. Edhe në atë periudhë që u zhvillua censusi kemi bërë me përfaqësuesit e INSTAT-it luftë të fuqishme për mënyrën se si po realizohej, që nga drejtoresha e INSTAT-it, por sugjerimet tona ranë në vesh të shurdhër. Në bazë të ligjit në fuqi, këta persona duhet t’i vendosja unë si kryetar i bashkisë, por as më pyetën fare, pasi ata u caktuan në atë detyrë politikisht. Ishin të gjithë militantë të PD-së, që të plotësoheshin të gjithë me rroga 3 mujore. Ndaj u shkel që në fillim ligji për regjistrimin e popullsisë, pasi lista që çuam ne, me listën që ata të INSTAT-it emëruan, ishin krejtësisht të ndryshme”, tha Bime.
Gjithashtu, numri një i qytetit të Gjirokastrës thotë se shkurtimi I buxhetit për bashkitë dhe komunat është me natyrë politike, pasi qeveria diskriminon njësitë vendore që kanë votuar majtas.
“Me sjellje politike nënkuptoj që meqë këto janë bashki të majta, pushteti qendror mendon t’i vërë në konflikt me qytetarët, për të bërë të mundur moskryerjen e shërbimeve. Si dhe për të na vënë në konflikt me vetë administratën, sepse ne kemi bërë shkurtime në administratë pasi sivjet, pikërisht nga shkurtimi i buxhetit u detyruam të bënim shkurtime, pasi ishte e pamundur që të mbaje njerëz në punë me këto fonde. Por grantet e pakushtëzuara janë kthyer në grante të kushtëzuara, pasi qeveria i prek kur t’i dojë qejfi, siç i preku ato për ujësjellësit, apo siç i bllokon për çdo lloj fature që ka të bëjë me qeverinë. Dhe, për këto arsye këto grante janë minimale. Duke u nisur nga Gjirokastra, sepse Gjirokastra është qytet në UNESCO, është krejtësisht e papranueshme kjo situatë”, thotë për “Shekullin” Bime.
Ç’të bëjmë o Muli, do durojmë deri më 23 qershor 2013.
Dhe kujdes ore, ruani votat nga superhajduti saleh.