Pas deklaratave të gazetarit Hersh, i cili hodhi dyshime për mënyrën e vdekjes së Osama Bin Ladenit, SHBA deklasifikon disa raporte. Vendimi vjen edhe pas kërkesës së presidentit Obama për më shumë transparencë. Në to mund të lexohen strategji, debate teologjike dhe rekomandime librash.
Por mes të tjerash lexohet edhe një letër që Osama Bin Laden ia dërgonte gruas së tij “besnike dhe të dashur” . “Si je?” fillon letra në të cilën e pyeste gjithashtu për djalin e tij Osama dhe dy vajzat Asma dhe Duha, motrën Iman dhe pjesën tjetër të të afërmve, për shëndetin e të cilëve ai lutej. “I lutem Zotit që të gjithë të jeni mirë dhe që të shpejtojë lirimin tuaj dhe atë të gjithë të burgosurve muaxhedinë”.
Lideri i Al Kaedas shfaqte shqetësim se situata në të cilin ai ndodhej, provokonte për familjen një krizë psikologjike. Më pas ai bëhet romantik. “Dua që ta dish që e mbush zemrën time me dashuri dhe kujtime të bukura. E dua aftësinë tënde për të duruar tensionet, për të më qetësuar dhe e vlerësoj dashurinë tënde karshi meje. Sa herë që mendoj për ty më mbushen sytë me lot, sepse të kam larg”.
Terroristi i betohej për dashuri të përjetshme duke paralajmëruar se nuk do të martohej sërish “sepse nuk do të gjej tjetër femër si ty”. Bin Laden kërkonte një mënyrë për t’i shpërblyer të gjithë dashurinë që gruaja e tij kishte humbur. Gjatë qëndrimit të tij në fshehtësi, ai i thoshte se nëse takimi në këtë botë nuk ishte i mundur, i premtonte se do ta takonte në botën e përtejme. Kështu njeriu më i kërkuar i botës, kërkonte “durim dhe forcë” për t’iu bindur Allahut, që ai të lejonte takimin tyre në parajsë “mes lumenjve dhe pasurive të saj”.
Në letër Bin Laden e paralajmëronte: “Nëse më vrasin dhe ti do të kthehesh tek familja jote, jam dakord, por duhet të rritësh fëmijët e mi në mënyrën e duhur dhe duhet t’i ruash nga shoqëria e keqe, sidomos pas pubertetit, dhe me vajzat”. Osama shpreh dëshirën që vajzat e tij të martoheshin me xhihadistë. “Ata janë më të mirët”, thoshte ai.
Armiku numër një i Shteteve të Bashkuara e quante gruan e tij “vogëlushja e syve të mi” dhe “gjëja më e çmuar që kam në këtë botë”. Ai kërkonte që ajo të martohet pas vdekjes së tij edhe pse kërkonte të drejtat e tij, kur të dy të ishin në parajsë. “Gruaja që martohet me dy burra duhet të zgjedh njërin prej tyre ditën e gjykimit”, e mësonte ai.
Në fund të letrës Bin Laden shkruante me përulësi duke i kërkuar falje për mangësitë e tij ndaj saj dhe me fëmijët dhe i kërkonte asaj që të lutej për të. Në fund të letrës terroristi mizor firmoste: Paqja qoftë me ty, Sa’ad Ibn Osama Bin Laden./DITA