Bindja … nuk bindi

Bora Basholli

Nga Hamdi Jupe

Tani që shpallja e rezultateve zyrtare të zgjedhjeve të 30 qershorit u bë publike, një gjë duket e qartë: Bindja Demokratike, si parti e re në spektrin politik shqiptar, nuk doli mirë në provën e saj të parë me elektoratin. Ajo ka fituar më pak se tridhjetë mijë vota në të gjithë vendin, duke arritur të marrë kështu një numër të kufizuar mandatesh për këshilltarë të pushtetit lokal. Kryetar bashkie, jo e jo. Drejtuesit e përkohshëm të saj, me siguri që janë në zi prej këtij rezultati, aq sa nuk dëgjohen më fare në publik. Disa prova që bënë për gjoja kontestimin e zgjedhjeve “për manipulime” pas mbylljes së tyre, u shuan edhe ato pa ndonjë sukses.

Personalisht kam menduar se kjo parti e re kishte shanse të dilte mirë në zgjedhje. Elektorati i Partisë Demokratike dhe i opozitës në tërësi, u la në rrugë të madhe prej bojkotit të zgjedhjeve prej saj dhe kjo ishte një mundësi e mirë për të tërhequr një pjesë të tij te kutitë e votimit prej Bindjes…  Edhe vetë hodha ndonjë fjalë të mirë inkurajuese në shtyp për këtë dhe nuk jam bërë pishman. Rezultati i pritshëm nuk erdhi dhe tani është koha për të reflektuar prej tij.

Sipas rezultateve të zgjedhjeve të fundit, na konfirmohet edhe një herë tjetër ideja fataliste se  në Shqipëri, partitë e reja nuk ngrenë dot kokë në zgjedhje prej partive të mëdha. Fatalizmi dhe justifikimi janë vëllezër të dështimit. Unë kam akoma besim se ka mundësi të krijohen parti të reja në Shqipëri, të djathta, si Bindja Demokratike, por edhe të majta. Toka duket si e shkretuar për “barin” e ri politik, por nuk pajtohem me këtë. Prandaj mendoj se një analizë objektive dhe e kthjellët e humbjes së Bindjes …është e domosdoshme, nëse partia e re ka ndërmend të vazhdojë konkurrimin e saj në betejat e ardhshme elektorale.

Mendoj se pavarësisht nga pretendimet e krerëve të saj për “manipulime” në zgjedhje etj, kjo parti është vetë përgjegjëse për humbjen. Ajo u krijua shumë vonë në kohë, vetëm pak ditë para se të mbyllej afati zyrtar i regjistrimit në KQZ për zgjedhjet e radhës. Për këtë u bë edhe objekt akuzash, deri edhe nga Presidenti i Republikës, se “ishte privilegjuar në mënyrë të paligjshme”në regjistrin e saj etj. E qartë dhe e padiskutueshme është se dalja me vonesë në skenë, e dëmtoi partinë e re.  Kishte mjaft kohë që kur kishte filluar krisja në “partinë mëmë”, prandaj gjërat nuk duhet të ishin lënë për në minutën e fundit. Kjo vonesë e dëmtoi punën e partisë në të gjitha drejtimet.

Kjo solli mjaft probleme të tjera, kryesisht organizative, po edhe të afirmimit në elektorat, që janë të dosmosdoshme për partitë në zgjedhje. Kështu, nuk u arrit të organizoheshin strukturat bazë, qoftë edhe të përkohshme,  të partisë në njësitë bashkiake. Kjo bëri që të mos arrihej të organizoheshin takime elektorale nëpër qytete e fshatra të ndryshme të vendit, siç është e udhës në kohë zgjedhjesh. Me përjashtime të pakta, fushata mbeti e vakët në terren dhe u kufizua kryesisht në gazetat online e nëpër portale elektronike. Kjo formë e komunikimit me votuesit potencialë mbeti thuajse e vetme. Mirëpo shqiptarët akoma janë pak të familjarizuar me internetin dhe format moderne të komunikimit.

Eshtëvendi të theksohet se nuk të voton njeri, pa u takuar me të, pa i shtrënguar dorën një herë e më shumë, pa ta dëgjuar zërin dhe pa ta blerë mendjen e mirë apo të keqe që ke. Pra duhen mbathur opingat e duhet shkuar komunë më komunë,në shi e në vapë,jo vetëm një herë. Në këto takime edhe do të dëgjohesh, edhe do të lavdërohesh, edhe do të fërshëllehesh, edhe do të kritikohesh, edhe do të shahesh mbarë e prapë me libër shtëpie që “ke tradhtuar partinë mëmë”, edhe mund të hash ndonjë dackë fytyrës, ashtu “live”, se në Shqipëri jemi etj, etj. Politika i ka të gjitha këto dhe kush nuk e di këtë, kot që i ka hyrë asaj. Natyrisht, drejtuesit e Bindjes … mund të justifikohen duke thënë se “s’kishim kohë e mjete (financiare e teknike) për ta bërë këtë lëvizje nëpër elektorat anembanë vendit”etj. Justifikime gjenden kurdoherë. Por prandaj edhe e theksova qysh në fillim faktorin “kohë”, se koha është flori, nuk e ka thënë kot populli.

Kështu, populli e mori vesh se kishte dalë një parti e re, por nuk pati mundësi faktike të bindej në mirësinë e Bindjes… “Këtu jemi, e shohim më vonë këtë parti. Do ketë edhe votime të tjera në Shqipëri”. Ky mendim i votuesve të shumtë e la atë me një numër të kufizuar votash.  Fakti që në kutitë e votimit u gjetën 47 mijë fletë të pavlefshme, tregon se këto vota besohet të kenë qenë të votuesve demokratë, të cilët nuk e kishin partinë e tyre të zemrës në listën e votimit që ta votonin, por shkuan në votime për arsye të ndryshme, ende pa u bindur dot që të votonin për “pjellën” e re të saj, Bindjen Demokratike. Prandaj i hoqën vizë fletës së votimit.

Bindja Demokratike nuk arriti të bindë që të bashkohen me të në këto zgjedhje, qoftë edhe përkohësisht, as kritikët e shumtë të Bashës në atë parti. Ata dalin çdo ditë, para e pas zgjedhjeve, nëpër media dhe shajnë e kritikojnë Bashën dhe udhëheqjen e Partisë Demokratike, por nuk u dukën gjëkundi në publik, (në qendrat e votimit, jo se jo) në mbështetje të partisë së re. Duket se dëmi i shumanshëm (moral) i bërë në Partinë Demokratike gjatë tri dekadave, është shumë i madh dhe këtë dëm nuk mundën ta shmangin dot drejtuesit e Bindjes….për zgjedhjet që sapo u mbyllën.

Kërkesat e Bindjes…  për “shpallje të pavleshmërisë së zgjedhjeve” të tridhjetë qershorit në bllok për këtë apo atë bashki të madhe, që u rrëzuan njëra pas tjetrës si gjethet e fikut nga institucionet përkatëse, ishin shprehje e veprimeve të dëshpëruara e pa mend në kokë prej saj. Ishin një përsëritje e re e mënyrave të vjetra të sjelljes së ish – partisë së tyre të dikurshme për të justifikuar humbjen. Sa më shpejt që të heqin dorë prej këtyre mënyrave jofitimprurëse të të bërit politikë, aq më mirë do të jetë për ta. Pra duhet hequr dorë nga praktikat e vjetra të partisë së vjetër.

Tani pritet që Partia Demokratike të ketë probleme të mëdha e të rënda brenda vetes. E ndodhur në një situatë skandaloze në raport me përfaqësimin në organet e pushtetit qendror e lokal, pa asnjë dritë në fund të tunelit, atje kanë filluar të fermentojnë problemet e të ziejnë debatet që do të shdërrohen së shpejti në sherre publike me pasoja të rënda. Shejtani ka dalë nga shishja dhe atë nuk mund ta mbajë më të bllokuar, as kryetari që mban mbërthyer për gryke partinë e falimentuar prej gjashte vjetësh, as Plaku Mere. Shpejt priten turbullira të mëdha në atë parti, të cilat zor  se do të mbyllen pas dy vjetësh, kur do të zhvillohen zgjedhjet e reja parlamentare.

Kështu, terreni politik për partinë e re Bindja Demokratike do të vazhdojë të jetë i përshtatshëm për veprim, edhe pas humbjes në zgjedhjet e fundit. Parti tjetër me gjak blu zor se do të lindë nga “partia mëmë”. Ka pra,  edhe lajme inkurajuese për partinë e re. Nuk është koha për të marrë shaminë e vajtimit. Vetëm se duhet ditur si të sillen. Molla nuk bie nga dega po s’e këpute, veçse kur është e krimbur.

Nëse deri tani mund të justifikohen për daljen me vonesë në skenë, në zgjedhjet e pas dy viteve nuk do të ketë më hapësirë për justifikime të tilla. Kjo do të thotë se duhet filluar që sot të mendohet për organizimin e partisë nga qendra në bazë dhe për një barrë punësh  të tjera të rëndësishme që do të përgatisnin suksesin. Partitë janë gjëra serioze dhe vetëm kur janë vërtet të tilla, sjellin rezultate.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *