Bisedime të vështira, FMN presion qeverisë për të ardhurat

Saimir Lleshi

Negociatat mes qeverisë shqiptare dhe misionit të FMN-së që prej më se një jave ndodhet në Tiranë po rezultojnë të vështira.

Në fokus të diskutimeve janë projektbuxheti 2016 dhe paketa fiskale që e shoqëron atë.
Qeveria ka propozuar në draftin e paketës fiskale disa ndryshime, si te akciza e birrës, verës, gomave, baterive, taksës për kompanitë e sigurimit etj.

Por i pakënaqur nga performanca e dobët në mbledhjen e të ardhurave, FMN kundërshton çdo ulje taksash, ndërsa insiston në shtimin e të ardhurave, qoftë edhe me rritje taksash.

Kjo nuk pranohet nga qeveria, pasi për të përkthehet në kosto politike, teksa nuk ka garanci që aleati i saj në qeverisje, Lëvizja Socialiste për Integrim do të miratonte në parlament diçka të tillë.

Në maj, FMN u largua nga Shqipëria pa nënshkruar rishikimin e pestë të marrëveshjes dhe nuk lëvroi këstin e rradhës.

Por sigurimi i Eurobondit me vlerë 450 milionë euro dhe interes 5.75 për qind, për t’u shlyer në një periudhë 5 vjeçare, lajm që konfirmohet nga Ministria e Financave i jep frymëmarrje qeverisë për sa i përket fondeve në dispozicion dhe ul presionin nga fondi.

Ditën e hënë, misioni i FMN-së pritet të dalë në konferencën e përbashkët për shtyp ku do të japë konstatimet për ekonominë dhe marrëdhënieve me qeverinë, në përfundim të vizitës 2 javore në Tiranë. /Ora News/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *