Kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar të enjten se shpreson që bisedimet e kryeministres britanike Thersa Mej me liderin e opozitës të zhbllokojnë ngërçin e Breksit. Merkel ka nënvizuar se një gjë e tillë duhet të ndodhë përpara datës 10 prill, kur Bashkimi Europian do të mbajë një samit të jashtëzakonshëm mbi daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Unioni.
Aktualisht procesi i Breksit është përfshirë nga pasiguritë, për shkak se kur kanë kaluar gati tre vjet nga referendumi, marrëveshja e negociuar nga kryeministrja Mej me Brukselin nuk po kalon dot në Parlament.
“Shpresojmë që bisedimet intensive në Londër të çojnë në arritjen e një rezultati brenda së mërkurës së ardhshme, një rezultat të cilin zonja Mej duhet të na i prezantojë në mënyrë që ta diskutojmë”, ka thënë Merkel gjatë një vizite në Dublin, ku është takuar me kryeministrin irlandez.
Nëse Mej dhe lideri i laburistëve Xheremi Korbin dështojnë në arritjen e një akordi para 10 prillit, atëherë Mbretëria e Bashkuar rrezikon të dalë nga BE pa një marrëveshje më 12 prill.
“Ne si bllok do të qëndrojmë të bashkuar dhe siç e kam thënë edhe më parë, do të punojmë deri në minutën e fundit për të shmangur një Breksit të çrregullt”, ka vijuar Merkel.
v.l/ Dita
