Bisedova me Karlo Petën

redaktor

Ai: Ore shqiptarë, që pak lexoni, kini dijeni se: Qysh para Skënderbeut, në republikat italiane, qytete-shtete si Venediku, Brindis, Verona, Napoli deri në Gjermani zhvendosën shqiptarë.

Unë: Mirë po si iknin, s’e kuptoj?

Ai: Hipnin në anijet veneciane bashkë me kalë. Shpesh shisnin kalin e ktheheshin, shpesh shërbenin në repartet e Venedikut. Prandaj i quajtën stratiotë.

Unë: Pse vetëm shqiptarë iknin?

Ai: Jo, or jo, kishte nga Iliria, Greqia e veriut, dhe Dalmacia, po kishte dhe nga Maqedonia.

Unë: Ore Karlo, me se merreshin, ç’punë bënin?

Ai: Merreshin me shërbime ushtarake, bile me detyra të larta. Kishte raste që martoheshin me vendase, duke marrë edhe tituj. Ishin kalorës të shkëlqyer. Kuajt dhe kavaleria ishte zanati i tyre.

Unë: Di gjë Karlo, po gjermanët pse erdhën disa fshatra te ne?

Ai: Po erdhën dy fshatra me gjithë fëmijë, gra e burra, njëri quhej Valteri, dhe tjetri Allamani. Njëra qe vendosur në veri dhe tjetra në jug. Ju i quajtët Allamanë. Merreshin me përgatitjen e barutit. Këto toponime janë edhe sot.

Unë: Ç’u bë me stratiotët?

Ai: Pse s’e di?! Derisa dolën armët e zjarrit, veprimtaria e stratiotëve u fashit. Ata me grupin shkuan në Kretë, Sicili e Peloponez, Korfuz.

Unë: Po në Gjermani, ç’punë bënin, di gjë Karlo?

Ai: Ndërtonin kështjella, bënin ujësjellësa, ishin barinj të zotë, por kryesisht donin kavalerinë.

Unë: Si përsëriten historitë. Ne shkonim te gjermani qysh para Skënderbeut e gjermani vinte te ne. Duket sikur ka ndodhur sot.

Ai: Kështu ka ndodhur, e do të ndodhë, mos u çuditni. E gjithë bota emigron, – më tha Karlo Peta duke më përshëndetur.

 

Fejton, Vasil Puci

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *