Kriza ekonomike ka prekur ndjeshëm shoqërinë shqiptare, duke krijuar kështu probleme përsa i përket vijueshmërisë së bizneseve. Qendra Kombëtare e Regjistrimit, ka bërë të ditur në një nga njoftimet e saj se, rreth 100 shoqëri kanë nisur procedurat e falimentimit të tyre, duke njoftuar kreditorët të marrin pjesë në procedurat e likuidimit.
Shkaqet e falimentimit të shoqërive apo bizneseve mund të jenë nga më të ndryshmet si, pamundësia e shlyerjes së pagesave apo mbingarkesa me borxhe e shoqërisë kur vërtetohet se pasuritë e saj nuk mbulojnë nevojat dhe pas vlerësimit të tyre konstatohet pamundësia e vazhdimësisë së veprimtarisë; përfundimi i afatit të funksionimit të parashikuar në statut dhe kontrata themelimit, etj.
Sipas QKR-së ky numër shoqërish kanë paraqitur pranë zyrave të saj dhe kanë përfunduar të gjitha procedurat përkatëse, duke filluar nga 10 qershori deri më 23 korrik të 2014-ës. Procedurat në fjalë kryhen në bazë të nenin 195 të ligjit nr. 9901, datë 14.04.2003, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”. Kështu, likuidatori i shoqërisë fton kreditorët e saj për të depozituar pretendimet e tyre për prishjen e saj, të cilat duhet të depozitohen brenda 30 ditëve nga data e njoftimit të publikuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, në zyrën e likuidatores./A.V
