Grupi i fundit i të pandehurve për skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve nga Thesari i Bankës së Shqipërisë në Linzë, kërkon gjykim të shkurtuar për të përfituar disa vite ulje dënimi.
Ardian Bitraj dhe kolegia Mimoza Bruzia, të akuzuar për vjedhjen me pasoja të rënda, duke shpërdoruar detyrën, kanë pranuar aktet e organit të akuzës në procesin gjyqësor që sapo ka nisur. Seanca e djeshme nuk është zhvilluar, por u komunikua kërkesa e tre të pandehurve.
Ata kërkojnë gjykim të shkurtuar, për t’i shpëtuar në këtë mënyrë dënimit maksimal, që sipas Kodit penal shkon deri në 20 vite burgim.
Përfaqësuesit e prokurorisë, mësohet se ranë dakord në këtë pikë, ndërsa gjykata shtyu seancën për t’u shprehur mbi këtë kërkesë.
I pandehuri Klevis Bejtja, kërkoi që të veçohet çështja e tij me atë të dy ish-punonjësve të Bankës, duke pretenduar se është i pafajshëm në këtë histori për vjedhjen.
Në sallë ndodheshin edhe përfaqësues të institucionit të Bankës, të cilët kërkojnë dëmshpërblim nga të pandehurit dhe Avokatura e Shtetit.
