Bitrajt i komunikohet akuza, rrezikon 20 vite burg

redaktor

Prokuroria ka vendosur të ngrejë akuzën vjedhjes së shumave të mëdha të bankave dhe kursimeve, për të dyshuarin kryesor të skandalit të zhdukjes së 713 milionë lekëve nga Banka e Shqipërisë. Ditën e djeshme, prokurori Ramadan Troci i ka komunikuar akuzën të dyshuarit Ardian Bitraj në Burgun 313 të Tiranës. Por e veçanta e takimit ka qenë se ish-përgjegjësi i Arkës Stok në BSH, është befasuar nga vepra penale në dosje, pasi priste një më të butë. Sipas akuzës në fjalë, Bitraj rrezikon dënimin deri në 20 vite burgim sipas Kodit Penal. Në këto momente Bitraj mësohet se është prekur dhe madje përlotur. Ai ka ripohuar se vjedhjen e ka kryer i vetëm dhe paratë janë harxhuar në kazino dhe baste sportive. Por sipas organit të akuzës, Bitraj rëndohet nga fakti se për 4 vjet me radhë ka futur duart në Thesar, duke vjedhur para të gjendjes stok dhe prerjet e reja të kartëmonedhave.

 

Bitraj përlotet

Dy muaj pas skandalit të publikuar dhe dorëzimit të Bitrajt për vjedhjen e 713 milionë lekëve, Prokuroria e Tiranës nis tu komunikojë akuzat, personave të cilët janë të arrestuar për këtë çështje.

Në ngritjen e kësaj akuze ka ndikuar shuma e madhe e vjedhur dhe për më tepër vjedhja është kryer gjatë katër viteve. Puna e Prokurorisë për të formuluar këtë akuzë ka qenë mjaft e madhe, pasi në fillim të hetimit për Bitrajn ishte ngritur akuza e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën. Vetë Ardian Bitraj nuk e ka pritur mirë këtë akuzë, për shkak të ashpërsisë së saj, përkthyer në vite burgu.

Sqarohet se akuza e vjedhjes së bankave dhe kursimeve është ngritur dhe për Mimoza Burzia, e cila dyshohet se është bashkëpunëtore e Bitrjat në atë që ka ndodhur për katër vjet në drejtorinë e thesarit. Edhe nipi i Ardian Bitraj, Klevis Bejtja, është njohur me akuzën, duke qenë se ishte pikërisht ai që priste dajën e tij në derën e thesarit, për të transportuar paratë.

 

Të tjerët

Gjatë kësaj periudhe prokuroria pritet t’u komunikojë akuzat dhe personave të tjerë të arrestuar për këtë çështje. Deri tani janë të ndaluar dhe akuzuar 19 persona, duke përfshirë dhe Ardian Fullanin, ish-guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. Një pjesë e të akuzuarve janë në masa të lehta sigurie, kurse inspektorja e përgjithshme Elivar Golemi, drejtori i Thesarit Dorjan Çollaku dhe disa punonjës të Arkës janë në Burgun 313 të Tiranës. Prokuroria ka sekuestruar të gjitha procesverbalet e asgjësimit të parave që do asgjësoheshin. Asgjësim i cili bëhej pa mbajtur numrat e serisë që shkatërroheshin.

 

Kodi Penal

Kodi Penal, i ndryshuar, në nenin 136 të tij, parashikon një dënim 5-15 vjet burg për vjedhjen e bankave dhe kursimeve. Por kur ai bëhet në bashkëpunim dhe me pasoja të rënda apo në mënyrë të përsëritur, dënimi rritet nga 10-20 vite burgim. Ndaj edhe të dyshuarit e arrestuar dhe nën akuzë rrezikojnë dënime maksimale. Nëse Bitraj dhe të tjerët do akuzoheshin për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, atëherë rrezikonte një dënim deri në 10 vite burgim.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *