Bizhga hyn në Lazarat: Ka dhe policë të përfshirë në trafikun e drogës

redaktor

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, ka bërë dje një vizitë të befasishme në Gjirokastër, me qëllim diskutimin e planit operacional për goditjen e kultivimit të hashashit dhe më pas trafikimit të tij nga fshati Lazarat. Mësohet se Bizhga ka hyrë në fshat me qëllim takimin zyrtar me kryekomunarin Dasho Aliko, Këshillin e Komunës dhe banorët, për strategjinë e sensibilizimit dhe të goditjes së këtij fenomeni. Mësohet se në diskutimet që ka pasur me vendorët në Lazarat, Bizhga është shprehur se “në trafikun e lëndëve narkotike dyshohet se janë të përfshirë edhe efektivë të policisë që do i hetojmë”. Gjithashtu ai u shpreh i vendosur se Lazarati do hiqet nga harta e kultivimit të drogës. Sipas numrit dy të Policisë së Shtetit, “policët do të identifikohen dhe dënohen”. Gjithashtu zv/Drejtori i Përgjithshëm, u ka bërë thirrje vendasve që mos t’ua japin me qira tokat të huajve për të mbjellë marijuanë, pasi ndëshkimi do të jetë maksimal. Kryekomunari Aliko mbështeti deklaratën e Bizhgës dhe u bëri thirrje banorëve të heqin dorë nga hashashi.

“Dihet që në Lazarat ka një fenomen të paligjshëm, askush nuk duhet të zaptojë hapësirat publike e aq më keq për t’i shfrytëzuar për paligjshmëri. Kam informacion se ndonjë hapësirë publike është zaptuar vite më parë edhe nga ndonjë punonjës policie për të kultivuar hashash. Unë do jem shumë i ashpër në këtë drejtim. O polic, ose me hashashin. Jo edhe polic, edhe të kultivosh hashash. Sikundër kushdo që do kultivojë hashash do përgjigjet para ligjit”, paralajmëroi Bizhga në fjalën e tij.

Më tej foli edhe kryepolici i Gjirokastrës Haki Çako. “Nuk bëjmë kompromis në dëm të ligjit dhe me të paligjshmit. Fenomeni i hashashit në Lazarat duhet të shfarroset e çrrënjoset një herë e përgjithmonë, ndaj të gjithë së bashku të bashkëpunojmë për të eleminuar këtë fenomen sa s’ka filluar kultivimi. Ne i kemi thirrur të gjithë ata persona që disponojmë informacion se kultivojnë drogë dhe do vijojmë bashkëpunimin me komunën deri në eleminim të saj”, tha ai.

Kurse kreu i komunës së Lazaratit, Dasho Aliko, pas një javë nga ndalimi nga ana Ambasadës Amerikane që shtetasit e saj të shkojnë në Lazarat, i bënë thirrje përfaqësuesve amerikanë të vizitojnë komunën pa frikë. “Ka ardhur koha që ju banorë vetë ta eleminoni këtë fenomen. Çdo hapësirë publike nuk mund të zaptohet nga askush për të kundraligjshmen. Do bashkëpunoj me strukturat e shtetit për ta minimizuar dhe ftoj të gjithë, edhe ambasadorin amerikan, që të hyjnë në Lazarat. Lazarati vërtet ka një fenomen të kundraligjshëm, por nuk ka kriminelë. Në Lazarat ka prani të policisë dhe do kërkoj edhe më tepër”.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *