Moska mund të humbasë goxha ndikim në Lindjen e Mesme, pasi vendet atje kanë reaguar me zemërim ndaj bombardimit të objektivave të opozitës siriane.
Turqia, Arabia Saudite, Katari, Jordania dhe shumë shtete të tjera i kanë bërë thirrje Moskës që të ndalojë fushatën e sulmeve ajrore, që ka nisur më 30 shtator. Sulmet kanë kryesisht në shënjestër opozitën sekulare dhe të moderuar të Sirisë, pavarësisht këmbënguljes së Kremlinit se ai është duke bombarduar vetëm luftëtarët e Shtetit Islamik (IS).
Analistët thonë se zemërimi ndjehet thellë në kryeqytetet arabe, sepse shtetet arabe kanë kërkuar për kohë të gjatë dorëheqjen e presidentit sirian, Bashar al-Assad, si hap i parë drejt fundit të luftës civile në Siri.
“Është pothuajse pajtim i plotë se qeveritë arabe janë kundër fushatës ruse. Shumica e objektivave ruse, përfshirë Ushtrinë e Lirë Siriane dhe shumicën e grupeve opozitare islamike, janë myslimanë sunitë dhe pjesa më e madhe e shteteve arabe kanë popullsi shumicë sunite”, thotë Paul du Quenoy, profesor i historisë në Universitetin Amerikan të Bejrurtit.
Arabia Saudite dhe shtetet e tjera të Gjirit Arab, së bashku me Turqinë, kanë dhënë miliona dollarë për grupet opozitare sunite që kërkojnë rrëzimin e regjimit të Assadit. Ky regjim i takon komunitetit alavit të Sirisë, një sekt ky fetar që është degë e Islamit shiit.
Më 5 tetor, dhjetëra klerikë islamikë të Arabisë Saudite u kanë bërë thirrje vendeve arabe dhe myslimane që “të japin gjithë mbështetjen morale, materiale, politike dhe ushtarake” për xhihad ose luftë të shenjtë kundër Qeverisë së Sirisë dhe aleatëve të saj kryesorë, Rusisë dhe Iranit. /rel/