Sekuestrimi i sipërmarrjeve në dukje të ligjshme të mafies në Itali është një problem që prek veçanërisht punëtorët e thjeshtë. Kur mafia ngre biznese të tilla, krijon mundësi të reja punësimi dhe kur shteti konfiskon asetet e saj, vendet e punës janë të destinuara të mbyllen. “Euromilk“ është një ndër të paktat kompani që pas fazës së konfiskimit, po rimëkëmbet
Bosët e krimit të organizuar ndërtojnë biznese në dukje të ligjshme, sepse në to fitohet mirë, pastrohen para nga aktivitetet e paligjshme, si dhe fëmijët e tyre përdorin të ardhura që të paktën në dukje janë fituar në mënyrë konvencionale. Por ajo që i lëndon më shumë mafiozët kur arrestohen nuk është vetëm çështja e qëndrimit në burg për njëfarë kohe. Për ta humbja e pasurisë është edhe më e rëndë, sepse ajo u jep prestigjin dhe i bën të ndihen të rëndësishëm në sytë e njerëzve të zakonshëm.
E vendosur diku në periferi të Napolit, afër komunitetit të San Marçelinos, kompania e prodhimit të qumështit “Euromilk“ është një nga sipërmarrjet e vogla që në dukje nuk ka asgjë të pazakontë, por e veçanta e saj është se ngrihet në zemër të Kamorrës. Dikur pronë e mafiozëve, tani po përpiqet të lërë pas të shkuarën. Kompania është pjesë e qindra të tjerave që i janë konfiskuar mafies dhe janë vënë nën kontrollin e Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Aseteve të Konfiskuara, e cila angazhohet në rimëkëmbjen e më pas shitjen e këtyre bizneseve te pronarë të ndershëm.
“Euromilk” ka qenë pronë e klanit të Kazalezëve. Kreu i kësaj bande, Mikele Zagaria, ka qenë për një kohë të gjatë një ndër personat më të kërkuar në Itali derisa u arrestua një vit më parë, i fshehur në një bunker shumë afër kompleksit të kësaj firme.
Xhanpaolo Kapaso, drejtuesi i Agjencisë shpjegon se pas etapës së konfiskimit, “Euromilk”-ut iu caktua një menaxher i ri, Xhuzepe Kastelano, i cili ka një përvojë të gjatë në drejtimin e kompanive të falimentuara.
“Merreni me mend se sa e vështirë është të vihesh në krye një ndërmarrjeje, personeli i së cilës ka punuar për një kohë të gjatë për një bos mafioz. Sigurisht që punëtorët nuk ishin të lumtur në fillim, por jam përpjekur t’u shpjegoj se kishim një interes të përbashkët: rimëkëmbjen e kompanisë. Më duhet të pranoj se këtu kam gjetur njerëz me vullnet të cilët janë përpjekur shumë që kompania të mos mbyllet”, thotë Xhuzepe Kastelano.
Në zonat përreth Napolit janë konfiskuar rreth 300 aktivitete private, por vetëm gjashtë prej tyre vazhdojnë të jenë të hapura dhe ky mbetet një problem. Kur mafia ngre biznese të tilla, krijon mundësi të reja punësimi dhe kur shteti i konfiskon asetet e saj, vendet e punës janë të destinuara të mbyllen.
“Shteti i pushon njerëzit nga puna, ndërsa Kamorra na jep punë”. Kjo është ankesa që oficerët e Agjencisë e dëgjojnë shpesh. Ky është edhe nocioni që mafiozët duan të krijojnë te populli: në terma praktikë, komunitetet do të kishin më shumë të mira nga gangsterët e mafies sesa nga ligjet e shtetit.
Çfarë ndodh kur një pjesë e forcës punëtore në këto sipërmarrje vazhdon të mbajë kontakte me mafien?“E dini? Nëse pushojmë nga puna tre ose katër elementë kyçë të kompanisë që dyshohet se ruajnë lidhje me “ish-pronarët”, firma do të rrezikonte të mbyllej dhe të gjithë punëtorët (duke përfshirë edhe ata që nuk kanë të bëjnë me mafien) do të mbeteshin të papunë. Kështu që ne zgjodhëm t’i lejojmë këta njerëz të qëndrojnë e njëkohësisht kontrollojmë veprimet e tyre, duke kufizuar kështu çdo lloj aktiviteti të paligjshëm”, thotë Xhanpaolo Kapaso.
Por ai shton se, kur agjencia ia shet ndërmarrjen një pronari të ri, pjesëtarëve të personelit që dyshohen se kanë lidhje me mafien, u kërkohet që të largohen. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në rastin e kompanisë “Euromilk Slr”
Somario: Mafiozët duan të krijojnë idenë se në terma praktikë komunitetet do të kishin më shumë të mira nga gangsterët e mafies sesa nga ligjet e shtetit.
Pergatiti: Dorina Gjuzi