Çmimet e referencave në doganë vazhdojnë të mbeten një problem për sipërmarrësit shqiptarë e të huaj që operojnë në vend. Gjatë një takimi mes përfaqësuesve të Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Administratës Doganore është prezantuar projekti për heqjen e këtyre çmimeve me vendet e Bashkimit Europian dhe SHBA-ve brenda një periudhe njëvjeçare. Përfaqësues të biznesit kanë kërkuar sqarime për mënyrën e procedimit të heqjes së çmimeve të referencës. Drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali tha se, procedura do të bëhet gradualisht, megjithatë nuk dha një datë për përfundimin e këtij procesi. Çmimet e referencës janë aplikuar në të shumtën e rasteve si formë për të realizuar planin e të ardhurave nga doganat, ndërkohë që sipas ligjit, ato zbatohen vetëm atëherë kur ka dyshime ose paqartësi dokumentacioni lidhur me çmimet e blerjes së mallit jashtë vendit. Për të shmangur abuzimet e mundshme me faturat dhe kontratat e blerjes së mallrave, doganat aplikojnë çmime standarde të bazuara në kriteret e tregut dhe në të dhënat e mallit. Një çmim reference më i lartë se realiteti do të thotë drejtpërdrejt një tarifë më e lartë për konsumatorin.