Biznesi i vogël në skemën e TVSH-së, mbyllet java e dytë e trajnimeve

Dita

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po vijon në të gjithë vendin trajnimin për biznesin e vogël që do të përfshihet për herë të parë në skemën e TVSH-së.

Drejtoritë rajonale të Tiranës, Shkodrës dhe Dibrës kanë qenë vendet ku administrata tatimore zhvilloi trajnime përgjatë 2 javëve të para të muajit Mars.

Sipas një njoftimi për shtyp të DPT-së, numri total i pjesëmarrësve në këto trajnime u llogarit në më shumë se 230, të cilët përfaqësojnë rreth 700 subjekte.

Pjesëmarrësit u njohën në mënyrë të detajuar me:

procedurën që duhet të ndjekin në përmbushje të detyrimeve ligjore,

konceptet e përgjithshme të TVSH-së,

plotësimin dhe afatet e deklarimit të TVSH-së,

librave të shitjes dhe blerjes,

plotësimin dhe deklarimin e tyre,

plotësimin e një fature tatimore etj.

Gjithashtu në rang vendi, janë duke u zhvilluar vizita nga punonjësit e Shërbimit të Tatimpaguesit pranë subjekteve që do të përfshihen në këtë skemë. Deri tani në total janë realizuar 570 vizita në terren.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përmes një pune paraprake ka trajnuar dhe angazhuar ekspertët e saj më të mirë në të gjithë vendin, duke synuar ofrimin e asistencës dhe informimin sa më të gjerë të të gjithë sipërmarrësve, që do të përfshihen për herë të parë në skemën e TVSH-së.

Kalendari i trajnimeve që do të shtrihet deri në fund të muajit qershor është konceptuar për t’u ardhur në ndihmë të gjithë bizneseve të vogla, sipas shtrirjes së tyre gjeografike.

Në total janë parashikuar rreth 100 sesione trajnimesh, si dhe rreth 10 mijë vizita këshilluese në adresën e biznesit. Për t’i ardhur në ndihmë të gjithë subjekteve janë ngritur 13 Kënde të Asistencës të dedikuara për biznesin e vogël.

Çdo drejtori rajonale, përmes specialistëve të zyrës së Shërbimit të Tatimpaguesve do të bëjë të mundur shpërndarjen e fletëpalosjeve dhe materiale informative të posaçme për të gjithë bizneset e vogla që do të përfshihen në skemën e TVSH-së./a.g

s.a/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *