Sipërmarrësit e cilësojnë të paplotë dhe burokratike masën e marrë nga qeveria për heqjen e TVSH-së së makinerive. Në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Konsultativ të Biznesit që pritet të mbahet në mes të kësaj jave, përfaqësuesit e biznesit kanë mundur të dërgojnë një sërë propozimesh, që pretendojnë të merren në konsideratë nga qeveria shqiptare, para se drafti ligjor të marrë formën përfundimtare. Burime nga METE bëjnë të ditur për gazetën se një sërë kontestimesh janë vënë re për mënyrën se si është hartuar drafti ligjor. “Lista a makinerive të cilat janë të përjashtuara nga aplikimi i TVSH-së nuk është i plotë dh gjithpërfshirës dhe në praktikë kjo e bën të pamundur zbatimin e VKM-së”, thuhet në pretendimet e sipërmarrësve dhe kërkojnë në mënyrë të qartë që qeveria të përgatisë një listë të plotë të makinerive dhe pajisjve përpara aprovimit të këtij projektvendimi. Vec kësaj një pretentim i përfaqësuesve të biznesit që e bën të vështirë aplikimin e ligjit në terren janë dhe procedurat burokratike. Sipas pretentimeve të relacioneve përkatëse të përfaqësuesve të biznesit në KKB, thuhet se fakti së VKM-ja vendos mbi tatimpaguesit kërkësa të cilat janë mjaft të vështira dhe të panevojshme për pjesën më të madhe të tyre (dokumente, autorizime, miratime, vërtetim nipti, plan biznesi, linjë teknologji prodhimi, plan investimi etj. ) do ta bëjë këtë VKM të vështirë për tu zbatuar në praktikë dhe në të njëjtën kohë të kushtueshëm për tatimpaguesit, të cilët shpresojnë të përfitojnë nga ky përjashtim i TVSh-së.
Cfarë ka parashikuar qeveria në draftet ligjore për heqjen e TVSH-së?
Draftet ligjore ku sqarohen se si do të funksionojë kjo skemë lënë shumë hapësirë për një interpretim nga biznesi dhe ata që mund të përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kjo masë. Kështu në projektvendimin për përcaktimin e listës së makinerive, subjekt i këtij vendimi, pika 1, janë tatimpaguesit që importojnë makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit me vlerë në ose mbi 50.000.000 (pesëdhjetë milionë) lekë. Gjithashtu tatimpaguesit që importojnë makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit në sektorin e përpunimit aktiv, pavarësisht nga vlera e investimit, tatimpaguesit (përfshirë fermerin) që importojnë makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit në sektorin e agrobiznesit, pavarësisht nga vlera e investimit apo tatimpaguesit subjekt i taksës së biznesit të vogël të cilët importojnë makineri prodhuese në funksion të realizimit të kontratave të investimit të tyre, janë furnizim i përjashtuar nga TVSH-ja, vetëm në rastin kur këto makineri apo pajisje importohen në funksion të kontratave të investimeve dhe importimi kryhet nga vetë tatimpaguesi pa nënkontraktim. Por këta tatimpagues të përcaktuar në pikën 1 të këtij Vendimi, të cilët importojnë makineri dhe pajisje, për të përfituar përjashtimin nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, duhet të pajisen me Autorizimin e Përjashtimit nga TVSH-ja nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ku sipas vendimit që pritet të marrë formë ligjore së shpejti, duhen një sërë dokumentesh. Për cdo import të makinerive dhe pajisjeve, personat e tatueshëm duhet të paraqesin kërkesat e parashtruara në këtë vendim për t’u pajisur me autorizim përjashtimi. Personat e tatueshëm, që importojnë makineri dhe pajisje për shitje nuk janë subjekte përfituese.
Projektvendimi “Për përcaktimin e kategorive të operatorëve ekonomikë që përfshihen në sektorin e përpunimit aktiv dhe të agrobiznesit”, një tjetër draft vendim që pret miratimin nga qeveria, synon sipas relacionit përcaktimin e kategorive të operatorëve ekonomik që përfshihen në sektorin e përpunimit aktiv dhe të agrobiznesit, të cilët në zbatim të nenit 26/1 shkronja gj) për importimet i makinerive dhe pajisjeve që kryhen në funksion të realizimit të kontratave të investimit, përfitojnë përjashtim nga TVSH në import. Këto kategori janë subjektet fizike ose juridike të cilat janë të angazhuara në prodhimin ose përpunimin e produkteve bujqësore, blegtorale, akuakulturës, peshkimit dhe pyjeve si dhe prodhimin dhe përpunimin e imputeve bujqësore si fara, fidane, plehra kimike, pesticide dhe medikamente veterinare. Synimi i këtij projektvendimi sipas relacionit është përcaktimi i proçedurave kritereve dhe sasive të përjashtimit për produktet hekur dhe çimento. Projektvendimi përcakton afatin 30 ditor për pajisjen nga organet tatimore dhe doganore me Autorizim përjashtimi. Gjithashtu përcakton se nëse gjatë ushtrimit të kontrolleve tatimore konstatohet se sasia e hekurit dhe cimentos, e përjashtuar nga TVSH-ja, nuk ka shkuar në destinacion apo nuk është përdorur brenda periudhës së investimit, atëherë do të proçedohet me heqjen e autorizimit të përjashtimit dhe paguan tatimin mbi vlerën e shtuar.
Ja dokumentet që duhet të paraqiten për të përfituar heqjen e TVSH-së
a) Një kërkesë me shkrim të cilës, kur kryhen veprime për herë të parë pranë autoriteteve doganore, i bashkangjitet një fotokopje e çertifikatës së NUIS/NIPT-it;
b) Kopje të marrëveshjes me Qeverinë Shqiptare në të cilën është miratuar kontrata e investimit ku të jetë e specifikuar vlera e investimit në ose mbi 50 milion lekë (nëse ka një marrëveshje të tillë), ose kopje të lejes/licensës/autorizimit (vetëm për kërkesën e parë);
c) Kopje të planit të investimit, përfshirë preventivin, ku të jetë e përcaktuar se vlera e investimit është në ose mbi 50 milion lek, dhe kohëzgjatja e investimit;
d) Kopje të planit të investimit, përfshirë preventivin, për vitin kur kryhen importet;
e) Lloji dhe sasia i makinerive dhe pajisjeve që do të importohen dhe periudha e instalimit.
f) Vërtetim nga drejtoria rajonale tatimore se nuk ka detyrime tatimore të papaguara. Për konstatimin nëse ka apo jo borxh doganor, verifikimet kryhen brenda strukturave doganore