Biznesi përshëndet marrëveshjen politike: Bllokimi i dialogut dobësoi kapacitetet e sipërmarrjes

DITA Online

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, përshëndeti të hënën marrëveshjen e arritur së fundi midis forcave politike, e cila i jep fund bojkotit parlamentar dhe çon vendin në një proces zgjedhor brenda standardeve.

Nënkryetari i DHTI-së, Arben Shkodra në një konferencë për shtyp tha se për katër muaj me radhë, bllokimi i dialogut politik dhe bojkoti parlamentar, krijoi një situatë shqetësuese për sipërmarrjen shqiptare.

“Vazhdimisht kemi kërkuar zhbllokimin e kësaj situate, pasi çmojmë se është nevojë e domosdoshme garantimi i stabilitet politik e që në mënyrë të drejtpërdrejtë çon dhe rritje të indikatorëve ekonomik”, deklaroi ai.

Në këto 27 vitet e fundit, sipas Shkodrës, sipërmarrja shqiptare ka qenë konsumuese e rregullt e krizave politike në vend, dhe ka pësuar vazhdimisht rënie dhe dobësim të kapaciteteve të saj, duke mbetur kështu larg konsolidimit dhe standardizimit për të qenë konkurruese në rajon.

“Vëmendja e politikes shqiptare për sipërmarrjen ka qenë e pamjaftueshme dhe këtë fakt e shohim vazhdimisht, jo vetëm gjatë fushatave elektorale por edhe gjatë ushtrimit të një mandati qeverisës. Ka munguar pothuajse krejtësisht dëshira për t’u konsultuar për politikat publike të lidhura me prodhimin, tregun, konkurrueshmërinë dhe klimën e të bërit biznes”, theksoi Shkodra.

Ne sot, shtoi ai, i kërkojmë forcave politike të kthejnë vëmendjen tek ekonomia dhe tek sipërmarrja private, për të filluar menjëherë komunikimin dhe dialogun konstruktiv, me qëllim që kërkesat dhe rekomandimet tona të bëhen pjese e axhendave të tyre ekonomike.

“Përpara kemi sfida të mëdha për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian dhe sipërmarrja private ka një rol të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm në këtë proces”, shton ai.

Për këtë qëllim, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, fton të gjithë forcat politike për të bashkë-organizuar tryeza apo forume konsultimi, mbi çështjet e lidhura me ekonominë.

Jemi të gatshëm, shprehet Shkodra, të trokasim në dyert e çdo partie politike parlamentare, pasi sipërmarrja private ka interes që të kemi një rritje ekonomike të qëndrueshme, të jemi një ekonomi konkurruese në rajon dhe të garantojmë përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.
I pyetur mbi koston e shkaktuar nga kriza tek sipërmarrja, Shkodra tha se ende nuk mund të flasim em shifra, por sipas tij kjo do të duket më qartë në 6-mujorin e dytë të vitit.
Sa i përket propozimeve konkrete për nivelin e taksave, Shkodra tha se sipërmarrja ka interes të ulet dhe të diskutojë me qeverinë për uljen e taksave, siç mund të jetë ajo progresive, të paktën në ato nivele që nuk cënohet stabiliteti i financave publike.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *