Partia Socialiste ka mbledhur sot paradite një Tryezën e tretë Kombëtare të Sipërmarrjes me përfaqësuesit e biznesit në vend, ku ka paraqitur planin e saj të detajuar lidhur me reformat në sektorin e ekonomisë dhe në veçanti reformimin e marrëdhënieve me biznesin. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka renditur njëra pas tjetrës të gjitha hapat që do të ndërmarrë qeverisja socialiste pas 23 qershorit, për ta normalizuar marrëdhënien e qeverisë me biznesin, për ta institucionalizuar këtë marrëdhënie, si dhe për ta çliruar biznesin nga represioni dhe abuzimi i administratës tatimore. Ai gjithashtu u ka dhënë përgjigje të gjitha shqetësimeve të ngritura nga biznesi në tryezat e mëparshme apo edhe në takimet konsultative të përfaqësuesve të biznesit me grupin e punës së PS për ekonominë.
Nga ana e tyre përfaqësuesit e shoqatave më të rëndësishme të biznesit, si dhe përfaqësues të bizneseve me peshë në vend kanë vlerësuar detajimin e programit për një Rilindje Shqiptare, si dhe përfshirjen në të, të objeksioneve dhe sugjerimeve të vetë biznesit, duke e konsideruar këtë gjë si një vlerësim partneriteti që PS i bën kësaj kategorie. Takimi ka qenë i hapur dhe në të nuk kanë munguar diskutimet e madje edhe debatet mes përfaqësuesve të shoqatave të ndryshme të biznesit lidhur me çështje të ndjeshme për to, siç ishte edhe çështja e efikasitetit të Gjykatës Administrative në kushtet aktuale.
Nikolin Jaka: “Në emër të dhomës së Tregtisë, por edhe shoqatave me të cilët kemi bërë një takim kemi vlerësuar problematikën që shqetëson biznesin dhe këto janë të materializuara tashmë dhe është një kënaqësi që këto janë marrë pikë më pikë dhe janë trajtuar me kujdes e profesionalizëm dhe me një punë të thelluar nga PS dhe kreu i saj, Edi Rama. Është shumë e rëndësishme që PS e kuptuar mirë që roli i biznesit në zhvillimin ekonomik është kyç dhe i rëndësishëm. Shumë e rëndësishme të implementojmë dialogun dhe partneritetin në zhvillimin e ekonomik, por njëkohësisht edhe dëgjimin e atyre çfarë biznesi paraqet tek qeveria e ardhshme. Koha e premtuar nga PS prej 9 muajsh për të shlyer detyrimet e prapambetura të shtetit ndaj bizneseve është një kohë optimale. Ne mendojmë se një Bankë për Zhvillim Ekonomik do të ishte mjaft e rëndësishme, jo për t’u bërë konkurrencë bankave të nivelit të dytë, por për t’i krijuar më shumë mundësi dhe hapësira biznesit.”
Gjergj Buxhuku: “Dëshiroj të them në emër të Konfindustrisë se është e padiskutueshme merita e PS, që praktikisht kjo fushatë zgjedhore për herë të parë në histori po bëhet në terma thellësisht pragmatistë, të cilët bazohen në platformën ekonomike dhe padyshim që ka prodhuar një garë konstruktive edhe ndërmjet forcave politike. Ndërkohë dëshiroj gjithashtu të them se një forcë politike, e cila realisht është në pozitë dhe dëshiron të vijë në pushtet sinjali i parë që duhet të japë, duhet të jetë sinjali i besueshmërisë së premtimeve dhe përgjegjshmërisë profesionale se këto premtime do t’i kthejë në realitet.”
Luan Bregasi: “Është një program serioz ky që na u paraqit sot. Më i detajuar se sa në dy takimet e para dhe ajo që është e rëndësishme, nuk pamë një projekt për të na prishur mendjen, por pamë një projekt mbi bazën e kërkesave që ka bërë sipërmarrja private, shoqatat, dhomat e tregtisë. Kjo do të thotë se ju e keni vlerësuar seriozisht këtë marrëdhënie midis politikës, PS-së dhe biznesit. Ne si sipërmarrje kemi hartuar vetë një dokument të politikave ekonomike, një pjesë e së cilave ishin pasqyruar në programin e PS, të cilin jemi duke e diskutuar me të gjitha shoqatat e biznesit. Ne kemi një projekt të asistuar nga organizata e punëdhënësve holandezë, dhe sot kemi këtu dhe koordinatorin, z. Zhan Mari Sandard, i cili pati shumë dëshirë të merrte pjesë në këtë tryezë dhe më tha: “Jam i impresionuar nga mënyra se si ka komunikuar sot opozita me sipërmarrjen.”
Kasem Hysenbelliu: “Edhe media është biznes më vete dhe ndikon shumë, ose siç thoni ju është një vlerë e shtuar në ekonomi. Në fakt media ndodhet e tradhtuar përsa i përket trajtimit. Ajo akoma ka ligjet e vjetra të viteve 1992-1993, kur donacione të ndryshme jepeshin nga institucionet ndërkombëtare. Në atë kohë u bë një ligj famëkeq ku media u përjashtua nga TVSH-ja, por në fakt kjo është me shumë hile. Media u përjashtua që ajo vetë të mos paguajë TVSH, por nga ana tjetër ajo blen me TVSH, pra paguan TVSH në blerje. Unë besoj se kjo duhet të ndryshojë, ndaj kërkojmë që të rishikohet trajtimi i TVSH-së si në median e shkruar dhe atë elektronike.”
Maksim Muçi: “Ne si Shoqatë Ndërtuesish jemi të kënaqur se kemi gjetur veten në shumë nga gjërat që u pasqyruan në programin tuaj. Në mënyrë të veçantë janë dy aspekte, partneriteti që është një nga gjërat më të mëdha që ne e çmojmë shumë dhe e dyta likuidimi i detyrimit, që më së fundi pas më shumë se 4 vjetësh, morëm një fjalë, një shpresë, një premtim, se brenda 9 muajve të parë të qeverisjes socialiste do të bëhet likuidimi i detyrimeve ndaj firmave të ndërtimit.”
Alban Zusi: “Takimi i sotëm përbën vërtetë një risi, qoftë për forcën tuaj politike, qoftë edhe për politikën në përgjithësi, pasi ndoshta është hera e parë që politika largohet nga rruga e deklaratave dhe propagandës për biznesin dhe futet në shtegun e problemeve dhe analizave të problemeve të biznesit dhe kjo në sajë edhe të vizionit dhe vullnetit tuaj, por unë besoj se edhe në saj të presionit, pozitiv, të sinqertë dhe konstruktiv të biznesit, pasi në atë çfarë u parashtruan ne pamë jo vetëm ato çka bisedojmë përditë me njëri-tjetrin, por edhe çfarë kemi deklaruar çdo ditë në media, në forume dhe kudo.”
Ferdinand Ibrahimi: “Në si Shoqatë Transporti na vjen mirë që edhe në programin e PS-së kemi një pjesëz të vogël të gjithë problemeve dhe halleve të mëdha që kemi. Është një çudi e madhe që sektori i transportit vitet e fundit ka pësuar një zhvillim jashtëzakonisht të madh, e megjithatë politika merret shumë pak me çështjen e transportit, e cila rigjeneron shumë të ardhura nga kjo fuqi e madhe.”
Elisabeta Katiaj: “Shpreh përgëzimet e mia që sot të gjitha ato çka ne si biznes kemi kërkuar gjendet në paketën tuaj fiskale. Është një paketë sociale, është një paketë që shpresoj se do ta ndihmojë të gjithë biznesin të dalë nga kriza.”
Genc Boga : “Komuniteti i biznesit është kthyer në mjet propagande. Edhe këtu në këto mbledhje është insistuar për Gjykatën Administrative, për herë të tretë apo për përparësitë e një taksimi ndaj një tjetri. Si jurist kam mendimet e mia dhe jam gjithnjë në dilemë se a është zgjidhja e Gjykatës së re, Gjykatës Administrative ajo idealja, a është kjo zgjidhja e artë që ne kemi përpara, a është kjo gjithçka ku ne duhet të përqendrojmë mendimet dhe forcat tona? Dhe të them të drejtën nuk e kam gjetur dot përgjigje pozitive ndaj kësaj pyetje, megjithë ngulmimin herë pas here të tenorëve të ndryshëm të komunitetit të biznesit që thonë na jepni gjykatën dhe ne do të shpëtojmë nga taksat. E quaj që është një gënjeshtër.”
pashe emisionin e lajmeve tek Topi dhe me pelqeu pasazhi ku Z.Rama zotohet solemnisht para njerezve te biznesit se do te heqe CMIMET E REFERENCAVE DOGANORE….te cilat nuk jan asgje tjeter vetem trajtimi diferencuar i mjedisit te biznesit dhe favorizim haptas i monopoleve te mbrojtura nga shteti…
Te nderuar komentues,me besoni,jam njeri i biznesit,solla nga serbia 4 kamione me sheqer,me EUR-1 ( ata qe punojne imp-exp e dine kete ) dhe 4 kamionet e mi u taksuan me cmimin e references ( sepse kishte kaluar Ferra qe e sjell nga Bosnja….!!!?? ) dhe taksen e transportit e kane vene sikur malli vinte nga Brazili…!! humbja e menjehereshme 14 milione lek te vjetra…!! etj.etj.etj cfare te tregoj me pare per yneret e kesaj qeverie ” te duarve te pastra ” ne fakt,duareve te ndyra…!!
Mendoj qe Kryeminstri i mbas 23 Qershorit,z.Rama,duhet te shikoje me perparesi edhe modifikimin e TVSH per lendet e para te nevojeshme per prodhim,ne menyre qe te inkurajohet prodhimi vendas,hapja e vendeve te reja te punes dhe mos rrjedhja jashte e valutes,sic ndodh tani…