Presidenti i FIFA-s, Sep Blatter, cilësoi Mesin si favorit për të fituar “Topin e Artë”, duke i thurur elozhe pa fund argjentinasit. Gjatë fjalës së mbajtur në Oxford Union Society, zvicerani u shpreh me superlativa për atë çka Mesi bën brenda por edhe jashtë fushës. “Leo është një djalë i mbarë dhe çdo prind do të dëshironte të kishte një fëmijë si ai. Mesi është edhe një lojtar shumë i mirë, i shpejtë me topin dhe shpeshherë duket sikur vallëzon në fushën e lojës”. Krejt ndryshe shprehet për Ronaldon: “Ai është një komandant në fushën e lojës, por shpenzon më shumë tek parukieri se Mesi. Gjithsesi, nuk mund të them se është më i miri. Lista tashmë është publike dhe të gjithë kanë të drejtë të votojnë për lojtarin e preferuar, mua më pëlqejnë të dy, por e përsëris që personalisht dua të fitojë Mesi”. Menjëherë pas këtyre deklaratave, klubi i Realit i ka kërkuar zyrtarisht të tërheqë mbrapsht fjalët, duke i cilësuar ato si fyerje për Ronaldon. Presidenti i FIFA-s nuk ka ngurruar t’i kthejë përgjigje Perezit apo t’i japë shpjegime Ronaldos. “Më vjen keq që kjo situatë ka shkaktuar dhimbje dhe kërkoj ndjesë”, shkruan Blater. “Nuk e kam pasur kurrë si synim të shfaq mungesë respekti për Realin, lojtarët e tij apo tifozët”. Po ashtu, Blater i ka shkruar Ronaldos në Twitter: “Të kërkoj ndjesë nëse je mërzitur nga përgjigja pa të keq që dhashë në një ngjarje private të premten. Kurrë nuk kam dashur të të ofendoj”.