Pas Brazil 2014, duhet të ndryshojë rregulli i play-off-it për kualifikueset në botërorin e futbollit. Fjalë të Sep Blatter, i cili nëpërmjet një videoje të postuar në faqen zyrtare të FIFA-s, konfirmon se nuk është më dakord me disa nga modalitetet e seleksionimit të skuadrave që marrin pjesë në fazën finale të botërorit, duke lajmëruar se sapo të përfundojnë eleminatoret e Brazil 2014, do të propozojë modifikimet e nevojshme. Nën akuzë përfundon pikërisht play-off-i mes skuadrave që kanë marrë pjesë në fazën eleminatore të grupit të tyre sipas përkatësisë gjeografike.“Play-off-i është një burim pasioni, emocionesh dhe drame sportive, skuadrat eleminohen pas vetëm dy ndeshjesh, vajtje dhe kthim. Mendoj se kjo është diçka e mirë për televizionet, për spektaklin, por duhet gjetur mënyra që në fund të fazës së grupeve të eleminatoreve të jetë e qartë nëse një skuadër është e kualifikuar apo e eleminuar. Të humbasësh një botëror në play-off është diçka e rëndë për skuadrat që munden”, tha ai. Ndeshjet e play-off-it që nuk i pëlqejnë më Blatter këtë nëntor do të dhurojnë dhe 6 bileta për në Brazil 2014. Katër në Europë, një do ta diskutojnë fituesi i zonës së Oqeanisë, ( Zelanda e Re me vendin e katërt të CONCACAf, ( Meksika), dhe bileta e gjashtë do të pritet në përballjen mes skuadrës së pestë në grupin aziatik, (Jordania), kundër të pestës në Amerikën e Jugut, (Uruguaji).
