Emiljano Vila është goditja e bujshme në këtë merkato vere për skuadrën e Partizanit. Mesfushori i cili në sezonet e fundit ka qenë pjesë e skuadrës Pas Janina në kampionatin grek gjatë ditës së djeshme ka arritur akordin me drejtuesit e kuq. Vila ditët e fundit ka qenë në vendin tonë, duke qenë se kontrata me klubin grek i kishte përfunduar. Emri i tij është përmendur si një alternativë për skuadrën e Kukësit, por kjo e fundit edhe pse e ka pritur lojtarin për të firmosur kontratën nuk ka arritur ta bëjë një gjë të tillë. Madje zyrtarë të ndryshëm të klubit verior u shprehën se futbollisti kishte humbur gjurmët dhe nuk hapte telefonin. Ndërkohë, që surpriza sa i takon aktivizimit të lojtarit në të ardhmen ka ardhur nga Partizani. Drejtuesit e kuq në heshtje kanë punuar që lojtari të jetë pjesë e ekipit të tyre dhe e kanë bindur për një gjë të tillë. Në deklaratën zyrtare të nxjerrë nga zyra e shtypit pranë klubit të kuq thuhet: “Emiljano Vila është zyrtarisht lojtar i FK Partizanit. Klubi konfirmon goditjen e radhës në merkato duke përforcuar tashmë ndjeshëm organikën e skuadrës, që në këtë sezon do të synojë fitimin e të dy trofeve në vend. Akordi mes 26-vjeçarit dhe Klubit është arritur mesditën e sotme (dje) teksa është nënshkruar edhe kontrata 1 vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon. Pas eksperiencës tepër pozitive në kampionatin grek tek skuadra e Pas Janinës, Vila aktualisht edhe pjesëtar i ekipit tonë Përfaqësues rikthehet në Kategorinë Superiore me fanellën e Partizanit pas aventurave të mëparshme në vend me Teutën dhe Dinamon”. Partizani është një nga skuadrat aktive në merkato, pasi të kuqtë që sezonin e ardhshëm futbollistik do të drejtohen nga Shpëtim Duro kanë afruar plot 12 lojtarë të rinj në përbërje të tyre.

Z. Starova e Duro! Do t’ u rekomandoja nje mesfushor brilant. Eshte sallaks. Bej fjale per NERTIL FERRA. Ish lojtar i kombetares U.19, 21. Ka dale nga shkolla e “Dinamos”. Ka luajtur mjaft kohe me ate ekip, madje ne kampionatin e humbur nga “Partizani” ne ndeshjen e fundit me “Dinamon”, ky lojtar na ka bere golin e dyte.
Duke dale 4 ekipe nga SUPERIORIA kampionatin e kaluar, kuptohet qe kane mbetur pa pune rreth 100 futbolliste. Nertili ka luajtur dhe me Tiranen duke shenuar disa gola, madje dhe ne ndeshje nderkombetare. Vitin e kaluar, pas krizes e mos pageses se Tiranes, luajti me “Kastriotin”. Fati i saj dihet dhe ky futbollist cilesor eshte pa ekip. Merreni se nuk do zhgenjeheni. Eshte mjaft teknik, cilesor ne dhenie pasi, ka goditje te fort e te sakt, centron bukur goditjet kendore dhe sidomos goditjet jashte zones se rreptesise.
Me respekt per ju qe drejtoni nje ekip legjendash, siç jeni edhe ju te dy pjese e te shuares brilante.