Nuk u aktivizua për asnjë minutë në fitoren e Aveiros, por në Zvicër e çmojnë si një nga lojtarët më të mirë të kampionatit vendas. Ai është sulmuesi i Baselit, Shkëlzen Gashi, i cili është votuar si lojtari më i mirë i kampionatit helvet nga lexuesit e prestigjiozes, “Blick”. Shqiptari i kampionëve në fuqi ka marrë 46.8 % të votave virtuale, duke lënë pas bashkëkombësin e St. Gallen, Albert Bunjaku, me 16.5 %, i cili përfaqëson kombëtaren e Kosovës dhe Davide Chiumienton e FC Zyrich me 16.1%. Një tjetër lojtar me origjinë shqiptare në listë është edhe Berat Sadiku, që mban të veshur fanellën e FC Thun. Ai renditet në vendin e pestë të klasifikimit me 6.4 % të votave. Ky sondazh konfirmon edhe një herë peshën e madhe që Gashi ka në kampionatin zviceran, ku sezonin e shkuar fitoi trofeun e shënuesit më të mirë. Nga ky kampionat, në kombëtaren e drejtuar Gianni De Biasi vijnë edhe Lenjani që aktivizohet me St Gallen, Kukeli me Zyrich, Taulant Xhaka me Basel dhe Amir Abrashi me Grasshopers.
