Bllokohen programet e doktoraturës në publik

redaktor

Bllokohen studimet e doktoraturës në publik. Ndonëse prej muajsh të tërë fakultetet publike kanë dërguar pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit propozimet konkrete në lidhje me kuotat e pranimeve për ciklin e doktoraturës për vitin akademik 2013-2014, ende nuk ka asnjë vendim të miratuar nga Qeveria që t’u hapë udhë aplikimeve. Janë me dhjetëra kandidatët që paraqiten çdo ditë pranë sekretarive mësimore të fakulteteve me shpresën se do të marrin përgjigje për nisjen e aplikimeve në ciklin e tretë të studimeve universitare. Por, e vetmja përgjigje që marrin është se nuk ka ende një vendim konkret lidhur me afatet kur do të çelen aplikimet për këtë cikël studimesh. Lidhur me këtë situatë, në një prononcim për gazetën “Dita”, dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë Shezai Rrokaj sqaron se nuk mund të çelen aplikimet për pranimet e reja gjatë këtij viti akademik, për shkak se nuk janë miratuar ende kuotat nga Qeveria. “Kuotat janë propozuar prej nesh para disa muajsh dhe Qeveria ende nuk ka miratuar gjë. Kështu që shkolla doktorale rrezikon të mos hapet këtë vit akademik. Për derisa nuk ka kuota, ne nuk mund të fillojmë aplikimet”, sqaron dekani Rrokaj. Gjatë vitit të shkuar aplikimet për studimet e doktoraturës kanë nisur në javën e fundit të muajit gusht, ndërkohë që vendimi i Qeverisë me kuotat dhe tarifat e studimeve ishte miratuar shumë javë më parë nga çelja e aplikimeve. Me këtë problematikë përballen edhe fakultetet e tjera publike që ofrojnë studime të shkollës doktorale. Sekretaritë mësimore sqarojnë se kërkesat për këtë cikël studimesh në publik vijojnë të jenë të larta. Kjo nisur edhe nga numri i lartë i kandidatëve që janë paraqitur pranë tyre gjatë javëve të fundit për të marrë informacion se kur do të çelen aplikimet. Si rrjedhojë e fluksit të lartë të kërkesave, seleksionimi i fituesve në këto programe për vite me radhë është zhvilluar në bazë të disa kritereve të vendosura nga vetë fakultetet. Megjithatë, ky bllokim i doktoraturave në publik duket se është shfrytëzuar më së miri nga strukturat private të arsimit të lartë, të cilat ofrojnë studime edhe në ciklin e tretë. Gjatë kësaj kohe ato kanë zhvilluar aplikime lidhur me këtë cikël studimesh, kundrejt edhe tarifave më të larta se sa ato të aplikuara gjatë viteve të shkuara.

Kush mund të aplikojë për studimet e doktoraturës

Programet e studimeve të doktoratës janë programe të studimeve të ciklit të tretë, me karakter plotësisht akademik, që kanë në bazë kërkim shkencor dhe veprimtari krijuese. Në studimet e doktoratës pranohen kandidatë që kanë fituar diplomë universitare të nivelit “Master i shkencave” ose “Master i arteve të bukura”. Këto programe të studimeve zgjasin të paktën 3 vite akademike dhe përfshijnë 60 kredite për studime të organizuara teorike. Institucionet e arsimit të lartë, në bazë të rezultateve të arritura në studimet e organizuara teorike, vendosin kritere klasifikimi për kandidatët që kanë të drejtë të zhvillojnë projektin kërkimor dhe të përgatisin tezën e doktoratës. Janë vetë universitetet ato që përcaktojnë standarde e kritere kualifikuese për njohjen e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare, si dhe metoda për vlerësimin e nivelit teorik të përgjithshëm të kandidatëve. Kandidatët, që nuk arrijnë të përmbushin kriteret e vendosura, nuk klasifikohen për të vazhduar më tej studimet e doktoratës dhe pajisen me një dëshmi, në të cilën jepen modulet e zhvilluara së bashku me kreditet e grumbulluara dhe vlerësimin e tyre. Në përfundim të programeve të studimeve të doktoratës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor”.

Share This Article
2 Comments
  • pershendetje , me pelqeu artikulli sepse eshte i vetmi qe po na tregon per nngjarjet ne UT. web faqja e Ut nuk eshte perpunuar qe 3 vite dhe ne nuk kemi informacione . ju kisha lututr dhe bere apel te shkoni te pyesbi direkt ministren se qa po ndodh me doktoraturen , a do te kete kete vit apo jo ??

    hana nga Kosova

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *