Fakulteti i Gjuhëve të Huaja kthen sytë nga Ministria e Arsimit për zgjidhjen e ngërçit që po mban të bllokuara programet e “Masterit profesional”. Për shkak të vendimit të marrë nga Senati i Universitetit të Tiranës, nisja e vitit akademik 2013-2014, nuk është shoqëruar me çeljen e programeve “Master profesional”. Dekania e këtij fakulteti, Klodeta Dibra ka bërë me dije se bllokimi i këtyre masterave ka penalizuar shumë studentë të cilët duhet të mendojnë për alternativa të tjera studimi me qëllim përfitimin e vendeve të lira që ofrohen në tregun e punës, ku një ndër kriteret kryesore të përzgjedhjes është edhe mbarimi i nivelit të dytë të studimeve “Master profesional”.
Diploma 3-vjeçare, “Bachelor” nuk është e mjaftueshme për të afruar këtë kategori me tregun e punës, në mungesë të studimeve master. Kundrejt kësaj problematike, Dibra sqaron janë në pritje të ndërhyrjes së Ministrisë së Arsimit në zgjidhjen e këtij ngërçi, pasi institucioni është njoftuar përmes shkresave përkatëse. Paraqitja e programeve pranë senatit është bërë prej muajsh, përkatësisht në muajt e nxehtë të verës.
Por, pavarësisht këtij fakti fakultetet të ndryshme që janë pjesë e senatit të Universitetit të Tiranës nuk i miratuan ato, me arsyetime nga më të ndryshme, duke nxjerrë në pah se këto kurrikula nuk ishin të përgatitura si duhet nga stafi akademik. “Ne shpresojmë që të kemi një reagim nga Ministria e Arsimit për të gjykuar mbi mënyrën se si është vepruar për procesin e kalimit të këtyre masterave, mbi mënyrën se si bëhet oponenca edhe në senatin akademik për këto mastera. Në të vërtetë nuk ka qenë oponencë e senatit, por ka qenë oponencë e bërë nga departamentet e ndryshme të fakulteteve, ku të pabazuara në ligj, janë shprehur për kurrikulat që ka paraqitur fakulteti i gjuhëve të huaja duke mos respektuar reciprocitetin midis fakulteteve”, ka deklaruar dekania Dibra.
Gjithashtu të shumta janë edhe pikëpyetjet e ngritura mbi funksionimin e vlerësimit të programeve nga komisionet. Sipas Dibrës, komisionet e vlerësimit të programeve në senatin e UT-së, nuk e kryejnë punën e tyre, duke qenë se nuk kanë asnjë vendim të marrë. Ngritja prej kohësh e këtyre strukturave nuk është shoqëruar me marrjen e vendimeve nga ana e tyre lidhur me programet e caktuara. Sa i takon kësaj problematike Dibra shton më tej se :”Për sa kohë jam në senat, për vite nuk kam marrë pjesë në asnjë mbledhje të senatit. Duhet të funksiononin komisionet sepse kanë kryetarët e tyre”.
